Programi i Qeverisë (Zhvillimi Ekonomik)

Njëzetë e dy vjet mbas fillimit të “shock therapy” dhe ndërtimit të “ekonomisë së tregut” kemi shkuar drejt “mbylljes” përfundimtare të një cikli të rëndësishëm të tranzicionit “nga planifikimi i centralizuar drejt tregut të lirë”. Kemi shfrytëzuar e përdorur shumë mundësi për vendosjen dhe performancën e ekonomisë së tregut në kuadrin e paketës së axhustimeve strukturore, kemi zbatuar me rigorozitet “rekomandimet specifike” dhe “recetat për ekonominë shqiptare” të FMN-së dhe Bankës Botërore për privatizimin e ekonomisë dhe hapjen e saj, jemi treguar ortodoksë në çështjen e ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë duke u etiketuar si “nxënës të mirë”, jemi fokusuar pothuajse plotësisht te rritja ekonomike si treguesi i vetëm i suksesit e performancës së politikave ekonomike e qeverisjes.

Kemi ndërtuar një model ekonomik tipik të tranzicionit, një profil të vetë ekonomisë shqiptare që me të mirat dhe defektet e tij u bë “lokomotiva” që na tërhoqi deri në fund të dekadës së dytë të këtij tranzicioni radikal, ndoshta nga më radikalët në gjithë grupin e vendeve të Europës Qëndrore e Lindore.  Por, kohës dhe përmbajtjes së këtij modeli duket se i ka ardhur fundi, pasi shumë nga elementët dhe energjitë e tij e arritën maksimumin e tyre dhe tashmë rezultojnë të ezauruara për një periudhë tjetër 15-20 vjeçare të ardhme që shkon deri në horizontin 2025-2030.

 

Kriza ekonomiko-financiare globale na evidentoi probleme thelbësore me natyrë strukturore:

  • sa e qëndrueshme është rritja jonë ekonomike?
  • sa të qëndrueshme janë burimet dhe furnizuesit e kësaj rritjeje?
  • a kemi modelin e përshtatshëm për të garantuar ritmet e kësaj rritje në vitet që vijnë?
  • a kemi një ekonomi të strukturuar e rezistente me të cilën mund të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm afat-gjatë?