Postuar më: 11 Prill 2017

Takim pune me përfaqësuesit e studiove ligjore

Ministrja e zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj Milva Ekonomi zhvilloi një mëngjes pune me studiot ligjore, për të diskutuar lidhur me reformat e ndërmarra nga Qeveria për përmirësimin e klimës së biznesit dhe lehtësitë e të bërit biznes. 

Ministrja i informoi përfaqësuesit e studiove ligjore mbi masat që Qeveria ka marrë vitin e fundit në drejtim të thjeshtësimit të procedurave administrative për biznesin. Renditja e Shqipërisë në vendin e 58 në raportin e Bankës Botërore Doing Business 2017 ishte reflektim i reformave të ndërmarra gjatë 2015 dhe fillimit të 2016.  Ministrja Ekonomi theksoi se edhe gjatë gjysmës së dytë të 2016 dhe 2017 reformat për lehtësitë e të berit biznes kanë vijuar, kryesisht ato në fushën e lejeve të ndërtimit, marrjes së energjisë, marrjes së kredisë dhe fillimin e një biznesi. Qeveria po punon që renditja e mirë e vitit të kaluar të vazhdoje edhe ketë vit. 

Përfaqësuesit e studiove ligjore, ndër të tjera, parashtruan problematikën që hasin bizneset në raport me shtetin, çështjet e pazgjidhura që shkojnë në gjykatë dhe sugjeruan mënyra efektive për të ndërhyrë dhe përmirësuar klimën e të bërit biznes nga këndvështrimi i bizneseve.

Gjithashtu, në takim u paraqitën disa çështje që kanë të bëjnë me nevojën për zbatimin  korrekt të ligjeve nga nëpunës të institucioneve shtetërore, nevojën për më shume transparencë, lehtësimin e disa procedurave specifike si psh procedurat në dogana, procedurat për marrjen e licencave, përmirësimin e mëtejshem të shërbimeve online dhe nënshkrimin elektronik, kontratat elektronike, etj.

Ministrja premtoi për takime më të shpeshta për të dëgjuar më tepër zërin e biznesit përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë.