Postuar më: 05 Nëntor 2014

Prezantohet Paketa e Bujqësisë - mbështetje sektorit për më shumë të ardhura dhe cilësi

Qeveria Shqiptare prezantoi sot Paketën në mbështetje të sektorit të bujqësisë dhe agroindustrisë.

Në konferencë ishin të pranishëm Kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Bujqësisë, z. Edmond Panariti, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Arben Ahmetaj, si dhe Zv.Ministrat e Bujqësisë dhe Financës, z. Alban Zusi dhe z. Ervin Mete.

Kjo paketë përmban 26 masa dhe u hartua nën shembullin e Paketës Fason nga një grup i përbashkët pune, i cili kryesohej nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik.

Një nga fokuset kryesore të kësaj pakete është mbështetja e fermerit, si një pjesë e rëndësishme e zinxhirit të vlerës në ekonomi dhe promovimin e sektorit të bujqësisë, që aktualisht kontribuon në 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në fjalën e tij, Ministri z. Arben Ahmetaj theksoi rëndësinë e sektorit të bujqësisë për ekonominë Shqiptare dhe filozofinë e re të qeverisë Rama për mbështetjen dhe promovimin e sektorëve potencialë.

Duke iu referuar Paketës, Ministri tha se fokusi i saj i parë është fermeri, jo më si një individ e si mbajtës i një ngastre të vogël toke, por si një pjesë e rëndësishme e zinxhirit të vlerës në ekonomi.

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj:

 

Paketa e bujqësisë, kapitull i ri për fermerin si pjesë e rëndësishme e zinxhirit të vlerës

Ekonomia shqiptare është sot një ekonomi e cila në bazë të të gjithë treguesve apo të qëndrimeve të institucioneve ndërkombëtare dhe të Bankës së Shqipërisë, është një ekonomi e cila po konsolidohet drejt pozitivitetit dhe rritjes së qëndrueshme.

Paketa e bujqësisë është pjesë e traditës së re të qeverisë, me idenë, qëllimin dhe vëmendjen për t’i dhënë mbështetje sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë siç ishte manifaktura, industria dhe siç është sot bujqësia. Ka një historik shumë të shkurtër por shumë intensiv bërja e paketës së bujqësisë ; pas suksesit që pati paketa në manifakturë dhe në industri, Kryeministri, Ministri i Bujqësisë dhe të gjithë ne në mbështetje të tyre, menduam që fokusimi tek bujqësia si 20% e GDP do të ishte vendimtar për rritjen ekonomike dhe në fakt viti 2014 tregon që bujqësia ka qenë një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike.

23 vjet me radhë pothuajse nuk është bërë asgjë. Dikush mund të më kundërshtojë por fakti është që sot jemi akoma në nivelin e ngastrave të vogla të cilat pengojnë zhvillimin e ekonomive të shkallës në bujqësi, pengojnë modernizimin dhe pengojnë mbi të gjitha zinxhirin e vlerës i cili transferohet drejtpërsëdrejti në eksporte dhe ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen ekonomike.

Dua t’ju sjell një fakt interesant por që flet jashtëzakonisht shumë për atë që ka ndodhur me bujqësinë në gati 23 vite. Gati 15 vite më parë kanë qenë nën ujë gati 80 mijë hektarë, janë harxhuar gati 500 milionë dollarë dhe sot, në 2014 të paktën duke iu referuar statistikës së fundit të vitit të kaluar, akoma nën ujë, të garantuara, janë 80 mijë hektarë që do të thotë që gjithë ato para të taksapaguesve shqiptarë apo mbështetje e donatorëve janë tretur në tokë më kot.

Kjo pra është arsyeja pse sot ne e kthejmë vëmendjen tek fermeri, jo si individ, por si institucion; dhe jo si një mbajtës i një ngastre të vogël në terren, por si një pjesë e rëndësishme e zinxhirit të vlerës, duke u fokusuar tek ekonomia e shkallës.

Çfarë ka paketa, pa dashur të hyj në detaje.

Ka tre komponentë kryesorë:

  1. Fokusimi tek fermeri për të rritur prodhimin, për të kaluar tek ekonomia e shkallës, për t’u futur në zinxhirin e vlerës, për t’u bërë eksportues i konsoliduar dhe i certifikuar në BE
  2. Ana fiskale
  3. Institucionet

Sot në Qeveri kalon një vendim i cili bën të mundur dhe në bujqësi, për të gjithë agroindustrinë dhënien me qira të aseteve shtetërore me 1 Euro. Është një eksperiencë e cila na funksionoi, më duhet të them me krenari, për sa i përket industrisë së manifakturës. Janë sot rreth 6 vendime të dhëna për sipërmarrjen më 1 Euro dhe janë në proces rreth 12 të tjera në Ministrinë e Ekonomisë.

Ndryshimi që bëjmë do të mundësojë për sipërmarrjen në agroindustri që të përfitojë drejtpërsëdrejti nga qiradhënia me 1 Euro për asetet shtetërore. Më besoni që ka qenë pengesë në vitet e kaluara. Do të kemi rezultate brenda gjashtë muajve që vijnë drejtpërsëdrejti nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe në terren.

Dua të përmend dy nga masat që kanë qenë kalvar i përhershëm në sektorin e bujqësisë. Është TVSH që ka qenë gangrenë qoftë për formalizimin, qoftë për zhvillimin e bujqësisë dhe agroindustrisë. Sot me ligjin bazë të TVSH, duke filluar që nga 1 Janari 2015, fermerët, bashkimet e fermerëve së bashku me grumbulluesit kanë mundësinë të kalojnë në nivel të konsoliduar formalizimi duke përfituar drejtpërsëdrejti nga rimbursimi i TVSH-së.

 Me një prej jush, një industrialist në agroindustri, tejet i nderuar, kam bërë një debat para nëntë muajsh, ku me të drejtën e tij legjitime për shkak të eksperiencës dhe kontributit të tij në këtë industri, gati më bërtiste në një emision televiziv për industrinë e peshkimit dhe i kam thënë duro sepse jemi duke menduar për një paketë për bujqësinë; i kam thënë specifikisht që kjo qeveri atë që thotë e bën dhe sot besoj se premtimi i mbajtur për peshkimin, jo thjesht duke i hequr taksën e qarkullimit dhe akcizën e cila do të përfitojë të gjithë atë shumë që tha ministri drejtpërsëdrejti, por e fut peshkimin në një rrugë të re që mund të kthehet në një nga instrumentet bazë të eksportit të produkteve ushqimore të përpunuara.

Para se ta mbyll, dua të ndaj me ju një statistikë të fundit që ka dalë nga Banka e Shqipërisë. Kemi orientimin e importit dhe orientimin e eksportit. E thënë qartë orientimi i importit është ushqime, janë 850 milionë euro importe ushqimore dhe makineri e pajisje. Dhe janë këto elemente që tregojnë mundësi të pafundme në bujqësi, pra zëvendësimi i gjithë importeve me atë shumë, sigurisht jo që ditën e parë apo të dytë, por në vazhdimësi, dhe është mundësi për biznesin dhe sipërmarrjen e agroindustrisë në Shqipëri dhe për eksportin; dhe tendenca tjetër e importit është makineri dhe pajisje, që do të thotë që bujqësia është sot e përputhur me tentativën edhe përpjekjen e sipërmarrjes për të zhvilluar prodhimin.

Të njëjtën gjë ka edhe eksporti; viti 2014 tregon një rritje të ndjeshme të eksportit të produkteve ushqimore. Por duke parë statistikën është akoma i papërpunuar, që do të thotë që sipërmarrja e agroinudstrisë ka një mundësi tejet të madhe që të kalojë në hapin e dytë cilësor të ciklit të prodhimit, pra të produkteve të përpunuara ushqimore për të cilat ka nevojë rajoni dhe Bashkimi Evropian dhe sigurisht për atë “cash” mbrapsht që ka kaq shumë nevojë fermeri, agroindustria dhe ekonomia shqiptare.

Faleminderit