Postuar më: 12 Prill 2017

Njoftim për çertifikimin e udhërrëfyesve turistikë - Faza II, dokumentet dhe afatet

Ju njoftojmë se ka filluar procesi i dorëzimit të dokumentacionit për t’u pajisur me certifikatën e udhërrëfyesit turistik, si kërkesë e Nenit 57 të Ligjit 93/2015 “Për turizmin”. 

Për t’u përfshirë në fazën e dyte të certifikimit të udhërrëfyesve turistikë, ju lutem paraqisni dokumentacionin e mëposhtëm brenda datës 18.04.2017, ora 10:00, pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Drejtoria e Përgjithshmë e Zhvillimit të Turizmit.

Dokumentacioni që duhet dorëzuar për aplikim është si më poshtë vijon:

 

1. Kërkesë e cila përmban:

a) të dhënat e aplikuesit (emrin, mbiemrin, numrin personal, adresën e saktë, numrin e telefonit);

b) kategorinë e udhërrëfyesit turistik, për të cilën kërkohet certifikata;

c) gjuhën ose gjuhët e huaja në të cilën udhërrëfyesi do të ushtrojë aktivitetin e tij.

2. Fotokopjen e letërnjoftimit ose pasaportës;

3. Dëshminë e penalitetit, të lëshuar jo më herët se tre muaj përpara datës së aplikimit, e cila mund të paraqitet origjinale ose fotokopje e noterizuar (ose formularin e aplikimit për pajisjen me dëshmi penaliteti);

4. Fotokopjen e noterizuar të dokumentit të përfundimit të studimeve të arsimit të mesëm ose të lartë;

5. Fotokopjen e noterizuar të dokumentit që vërteton përfundimin me sukses të programit të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik (Certifikata të trajnimeve, seminareve, workshope për kategorinë përkatëse të udhërrëfyesit turistik);

6. Programet e trajnimeve, seminareve etj. që janë kryer, si dhe institucionin ofrues të këtyre trajnimeve, seminareve.;

7. Certifikatën e vlefshme të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar ose subjekte të tjera, vendase apo të huaja;

8. Vërtetime pune/ kontrata pune/shërbimi ose dokumente të tjera për të vërtetuar eksperiencën në punë gjatë 5 viteve të fundit;

9. Dokumentin që vërteton njohjen dhe aftësitë komunikuese shumë të mira në gjuhën e huaj, në të cilën do të ofrojë shërbimet e tij udhërrëfyesi turistik, të paktën në nivelin B2. 

10. Vërtetimin për pagesën e tarifës së aplikimit, në shumën 500 Lekë.

Per te bere pagesen, aplikantet duhet te paraqiten prane finances se MZHETTS, per te marre nje mandat pagese per banken.

Për shtetasit e huaj, përveç dokumenteve të sipërpërmendura, duhet dorëzuar edhe:

a) Leja e qëndrimit e shtetasit të huaj në Republikën e Shqipërisë, e vlefshme për jo më pak se një vit;

b) Dokument (certifikatë/dëshmi) që vërteton njohuritë bazë të gjuhës shqipe, të lëshuar nga një institucion i certifikuar nga ministria përgjegjëse për arsimin.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, aplikuesit do t’i nënshtrohen një testimi për vlerësimin e njohurive dhe aftësive profesionale të tyre.