Postuar më: 10 Korrik 2017

MZHETTS përfundon fushatën e trajnimeve për ndihmën Shtetërore

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS), me mbështetjen e projektit të “Asistenca teknike për zhvillimin e legjislacionit të ri të ndihmës shtetërore” IPA 2014 Action Programme: “European Union Integration Facility”, ka përfunduar këto ditë korriku fushatën e trajnimeve me përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit në fushën e ndihmës shtetërore, fushatë e cila nisi që në tetor 2016.

Ndihma shtetërore ofron mbështetje me burime shtetërore, apo ofron lehtësira, në çfarëdolloj forme për një ndërmarrje ose sektor të prodhimit. Dhënës të ndihmës shtetërore janë organet e pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore, si edhe çdo ent tjetër, që vepron në emër të shtetit dhe është i autorizuar të administrojë  burime shtetërore. Përfitues i ndihmës shtetërore është çdo person fizik ose juridik, privat ose publik, që kryen veprimtari ekonomike.

Për të kuptuar më mirë rolin që ka qeverisja vendore në këtë proces falë projektit janë zhvilluar në total 40 trajnime, 24 prej të cilave janë fokusuar në trajnimin e nëpunësve të pushtetit lokal.  Trajnimet e zhvilluara në Bashkinë Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Lushnjë, Kavajë, Kamëz, Vorë, Gjirokastër, Korcë, Pogradec, Tepelenë, Përmet, Himarë, Sarandë, Divjakë, Berat, Skrapar, Gramsh, Fier, Vlorë, me temë “Kuptimi dhe parimet kryesore të kontrollit të ndihmës shtetërore”.  Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve lidhej me forcimin dhe zbatimin e rregullave specifike të ndihmës shtetërore, përfshirë pasojat e moszbatimit, si dhe procedurat ligjore që duhet të ndjekin për të marrë vlerësimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore për çdo aprovim që sjell implikime të ndihmës shtetërore.

Gjithashtu, trajnime të dedikuara me tema specifike janë zhvilluar me qeverisjen qendrore si Ministria e Financave, Energjisë dhe Industrisë, Mjedisit, Arsimit dhe Sportit, Mirëqenies Sociale dhe Punës, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të cilët janë njohur me rregullat e ndihmës shtetërore që zbatohen lidhur me lehtësirat fiskale, energjinë, mbrojtjen e mjedisit, ndihmën rajonale, ndihmën për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme etj.