Postuar më: 05 Korrik 2017

Ministrja Ekonomi pret ambasadorin japonez, në fokus bashkëpunimi ekonomik

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi priti sot në një takim kortezie ambasadorin e Japonisë në Shqipëri z. Makoto Ito.

Ambasadori Ito është i sapo akredituar në Tiranë dhe qëllimi i vizitës ishte njohja dhe diskutimi i çështjeve me interes të përbashkët sidomos bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi i turizmit.

Ministria Ekonomi shprehu kënaqësinë për këtë takim, për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Tiranë, si dhe për mundësinë e shtrirjes së bashkëpunimit të mëtejshëm me Japoninë. Gjithashtu, Ministria Ekonomi i adresoi Ambasadorit Ito një falenderim të përzemërt për asistencën e Japonisë, veçanërisht në sektorin e zhvillimit ekonomik, ku theksoi se falë asistencës së Japonisë një numër i konsiderueshem specialistësh nga Ministria janë trajnuar në Japoni.

MZHETTS dhe JICA gjithashtu sapo kanë nënshkruar dokumentin ‘Record of Discussion’, një marrëveshje që i hap rrugë projektit më të ri të JICA në Shqipëri “për përfshirjen financiare të familjeve/sipërmarrjeve të vogla në Shqipëri”, program 4 vjeçar (2017-2021)

Ministria Ekonomi theksoi se projekti i sapo dakordësuar me Japoninë për Përfshirjen Financiare të familjeve/sipërmarrjeve të vogla në Shqiperi, është një hap i rëndësishëm në mbështetje të zhvillimit rural të familjeve apo sipërmarrjve të vogla në zonat e varfra të vendit. Me besim se ky projekt do të shfaqë një qasje të re dhe shumë pragmatike në zhvilimin e ndërmarrjeve dhe sipërmarrjeve familjare në zona të largëta dhe pa akses në sistemet financiare të vendit.

Gjatë takimit u diskutua dhe për mundësinë e një vizite të Ministres Ekonomi në Japoni në kuadër të forcimit të shkëmbimeve tregtare dhe organizimit të takimeve mes sipërmarrësve Shqiptarë e Japonezë, për nxitjen e rritjes së bashkepunimit ekonomik midis dy vendeve.

Në takim Ambasadori Ito shoqërohej nga  Zv. Ambasadori i Japonisë Z. Sakaguchi dhe Koordinatori Kombëtar i Agjensise Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar JICA, Sokol Konomi.