Postuar më: 18 Korrik 2017

Ministrja Ekonomi merr pjesë në ceremoninë e hapjes së Ambasadës Japoneze në Tiranë

Është zhvilluar dje ceremonia zyrtare e hapjes së Ambasadës Japoneze në Tiranë, si një ngjarje që konfirmon kurorëzimin e marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Japonisë.

Të pranishëm në ceremoni ishin Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, Ministri Japonez i shtetit për Punët e Jashtme të Japonisë z. Nobuo Kishi, Ambasadori i parë japonez në Shqipëri,  z. Makoto Ito, si dhe deputetë, personalitete nga fusha të tjera dhe përfaqësues të medias.

Në fjalën e vet, Ministrja Ekonomi përshëndeti hapjen e ambasadës Japoneze në Tiranë, duke theksuar se vetëm pak kohë më parë u arrit të firmosej një marrëveshje mes MZHETTS dhe Qeverisë Japoneze, për mbështetjen e një projekti në zonat rurale të Shqipërisë. Ekonomi tha se ky projekt, në zonat ku nuk ka akses finance, është një demonstrim i një miqësie reale dhe i një mirësie që vjen nga qeveria Japoneze, për të mbështetur Shqipërinë dhe për të treguar bashkëpunimin mes dy vendeve.

Ndërsa, Ministri Bushati theksoi se hapja e Ambasadës japoneze tregon se do kemi një rritje të bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimeve ekonomike e kulturore dhe kontakteve mes dy popujve.

Nga ana e tij, Ministri Japonez i shtetit për Punët e Jashtme të Japonisë, z. Nobuo Kishi, theksoi interesin e madh të Japonisë për Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria është faktor stabiliteti.

Ministrat Bushati dhe Kishi morën pjesë edhe në ceremoninë e dhurimit nga Qeveria Japoneze të 129 automjeteve japoneze të prodhimit të fundit, një donacion i mundësuar nëpërmjet një granti prej 500 milionë YEN ose 4.6 milionë dollarë.