Postuar më: 11 Qershor 2017

Ministrja Ekonomi inauguron Impiantin e Përpunimit të Granitit në Xhafzotaj, Durrës

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes mori sot pjesë në ceremoninë e inagurimit të Impiantit të Përpunimit të Granitit në Kompaninë Albamer,  Xhafzotaj-  Durrës, një investim prej 5 mln euro në makineri e pajisje. Ministrja Ekonomi si e ftuar nderi, preu shiritin e këtij investimi të madh të kësaj kompanie, një investim që sjell një vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare.

Ministrja Ekonomi në fjalën e saj përshëndetëse në këtë ceremoni tha se kjo kompani nisi fillimisht punën si tregtuese e granitit dhe mermerit,  ndërsa sot ka kaluar në një nivel tjetër në prodhimin e tyre dhe eksportim në tregjet botërore.

Ministrja Ekonomi ndërsa vlerësoi suksesin e kësaj kompanie theksoi se dhe shteti, dhe veçanërisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisw dhe Sipwrmarrjes, që ajo drejton, ka dhënë kontributin e vet në zhvillimin e sipërmarrjeve shqiptare, pasi ka lehtësuar procedurat doganore dhe lehtësirat për biznesin, duke krijuar një klimë shumë pozitive për biznesin. Ajo premtoi se mbështetja ndaj sipërmarrjes do të vazhdojë dhe në qeverisjen e ardhshme.

Fjala e plotë e Ministres Ekonomi

Ju faleminderit që më ftuat në këtë festë të suksesit tuaj. Mesa mësova, puna juaj ka nisur si një biznes i vogël familjar. Ndërsa sot kemi një kompani që na bën krenar e që funksionon plotēsisht në tregun shqiptar. Ata që kanë qenë afër kompanisë tuaj e dinë që kjo kompani bënte vetëm tregtimin e mermerit, dhe të gurëve. Ndërsa sot bën prodhimin. E kuptoni se çfarë vlerë të shtuar i ka sjellë sot kjo kompani ekonomisë shqiptare?

Në atë që quhet zinxhiri i vlerës në eksport kjo kompani meriton një vlerësim dhe përgëzim të veçantë. Vlera e investimit prej 5 mln euro, i dha një dimension tjetër prodhimit tuaj. Jeni nje shembull sukesi i kesaj industrie ne Ballkan! Besoj se dhe ne të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ndihmuam disi në suksesin tuaj, pasi kemi lehtësuar më shumë procedurat e biznesit dhe i dhamë mbështetje exportit te produkteve vendore. Sot edhe procedurat doganore dhe mënyrat si i qasemi biznesit janë më të lehta se disa muaj më parë dhe besoj se edhe ju keni përfituar nga këto masa.

Unë ju uroj suksese dhe garantoj që mbështetja ndaj sipërmarrjes do të jetë prioritare, sepse Shqipëria kërkon të bëhet një vend ku vlera e shtuar në produktin kombëtar të rritet më tepër dhe ne të kemi mundësi që eksportet tona të arrijnë jo vetëm në Europën Lindore por dhe më tej, përtej oqeanit ku përdoret kjo cilësi e përpunimit të gurit. Urime dhe faleminderit!