Postuar më: 10 Prill 2017

Mbyllet me sukses Panairi Mesdhetar i Turizmit në Tiranë 'MTF 2017'

Ka përfunduar me sukses Panairi i parë Mesdhetar i Turizmit në Tiranë, i organizuar në Expocity, në Tiranë nën kujdesin e Ministrisë së zhvillimit Ekonomik Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Panairi veç ceremonisë festive të hapjes së tij, përurimit simbolik të një eventi që synon të bëhet i përvitshëm në Shqipëri dhe synon të fusë Shqipërinë në kalendarin botëror të panaireve turistike, pati dhe një axhendë shumë të pasur me aktivitete. Gjithsej ishin 72 stenda, 120 subjekte pjesëmarrëse nga 5 shtete të Mesdheut. Pjesëmarrësit ishin agjenci turistike, operatorë turistikë, biznese, shoqata por risia e këtij panairi ishte prezenca e mbi 30 bashkive përmes zyrave turistike të tyre, ku prezantuan produktet turistike të njohura dhe të panjohura për secilën zonë.

Panairi përveç ekspozimit të produkteve turistike, ka shërbyer dhe si një vend për ndarjen e mendimeve, eksperiencave dhe trajtimit të tematikave të ndryshme se ku jemi me turizmin si Shqipëri, por dhe si rajon dhe se ku duhet të shkojmë. Janë zhvilluar gjithsej 4 sesione me tematika të ndryshme. Sesioni i parë: Bashkëpunimi rajonal në turizëm duke marrë në konsideratë kontekstin e Vitit 2017 si Viti Ndërkombëtar i Turizmit të Qendrueshëm, sfidat dhe perspektiva afatgjatë. Ky panel u fokusua në bashkëpunimin rajonal në fushën e turizmit me qëllim kryesor rritjen ekonomike, gjithpërfshirjen sociale, punësimin dhe uljen e varfërise, përdorimin efikas të burimeve, mbrojtjen e mjedisit, vlerave kulturore, diversitetin dhe trashëgiminë etj.

Në sesionin e parë mbajti një fjalë dhe Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj Milva Ekonomi, e cila ndër të tjera tha se Ballkani i dalë nga luftrat tashmë në paqe, ka një mundësi unike për t’i treguar botës një rajon të paeksploruar por që mendon për një zhvillim të përbashkët. “Gjithë rajoni ynë është përfshirë në atë që quhet projekti i ndërlidhjes ballkanike, ku synojmë të hapim kufijtë tanë tregtarë dhe kufijtë tanë rrugorë e energjetikë, duke i dhënë kështu ndihmë zhvillimeve ekonomike”, - tha Ministrja Ekonomi. Ajo përmendi disa produkte turistike që janë ballkanike dhe duhen çuar me tej, dhe duhen marrë si shembull si Via Dinarica, por apo projektet e GIZ për të ndërtuar atë që quhet piku i Ballkanit që lëviz mes tre vendeve, Shqipëri- Kosovë e Malit të Zi.”

Në të njëjtën linjë vazhdoi dhe përfaqësuesja maqedonase në panel, Lela Krstevska, drejtore e Agjencisë ‘Për promovim dhe përkrahje të turizmit’, e cila tha se në shumë panaire të largëta, ku ftohen grupe aziatike apo japonezë për të vizituar Ballkanin, kompanitë turistike të Ballkanit duhet të ofrojnë paketa të përbashkëta, pasi askush nga aq larg nuk vjen për të parë vetëm një vend të vetëm, por gjithë rajonin, pasi vijnë për të kaluar një kohë më të gjatë dhe më cilësore.

Brajan J Williamsh, përfaqësues i Kombeve të Bashkuara në Tiranë, i cili foli në kontenstin e vitit 2017 si viti ndërkombëtar i turizmit të qendrueshëm për zhvillim, shprehu entuziazmin e tij lidhur me atë se çfarë imazhi ka patur deri pak vite më parë Shqipëria jashtë vendit, dhe sa bukuri natyrore dhe veçanti unike ka realisht, të cilat ia vlen t’i prezantohen pjesës tjetër të botës. Ai u impresionua nga prania e gjithë e Bashkive në këtë panair dhe gamën e gjerë të produkteve që ata kishin sjellë për të promovuar.

Sesioni i dytë kishte të bente konkretisht me artin e krijimit të atraksioneve të reja, si për shembull, Via Dinarica.  Sesioni 3  kishte në fokus rajonet dhe impakti në turizëm dhe sesioni i  katërt: ‘Zhvillimin e Turizmit si një mundësi e rritjes ekonomike te komuniteteve locale”. Në këtë të fundit Hanes Jurgen Cassens, drejtor i Giz në Shqipëri informoi se projektet e GIZ në Shqipëri synojnë pikërisht këtë: rritjen ekonomike për komunitetet lokale. Tashmë GIZ po punon në jug të Shqipërisë, në zonat rurale për të çuar eksperiencën e Valbonës apo Thethit, si një mënyrë turizmi të qëndrueshëm për të rritur ekonomikisht të ardhurat e këtyre komuniteteve të thella lokale.

E ftuar e veçantë në Panair ishte Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, z, Hykmete Bajrami e cila ndoqi punimet e Panairit dhe aktivitetet e posaçme, ndërkohë që Kosova vetë paraqitej me një stendë të sajën për të treguar produktet e veta turistike.

Një moment i veçantë ishte prezantimi i Shqipërisë si destinacion turistik nga Drejtori i Përgjithshëm i AKT, z Ardit Çollaku. Ai prezantoi para të pranishmëve punën e kryer deri më sot nga agjencia që ai drejton për promovimin  e Shqipërisë në gjithë panairet ndërkombëtare dhe mediat prestigjoze të huaja.

Evente të shumta u zhvilluan në stendën e AKT: prezantime në orare të caktuara të dokumentarëve për bukuritë e Shqipërisë, traditat, kulinarinë etj; performanca live me grupe muzikore nga gjithë trevat e Shqipërisë, teatër lëvizës kukullash për fëmijët e pranishëm në panair, prezantim nga organizata shqiptare e somelierevë me prezencën e dy ministreve Ekonomi dhe Bajrami; promovimi i kampionatit të 9-të botëror të Fluturimit të Lirë,i cili cili starton në maj; u realizuan lidhje direkte nëpërmjet Qendrës Multimediale të Panairit me atraksione të tjera të Tiranës, si është Pazari i ri etj.  Gjithashtu në stendën e AKT u promovuan zhvillimet e fundit në sektorin e mikpritjes ‘hospitality’, nga shoqata dhe qendra profesionale të shkollimit apo trajnimeve në sektorin e turizmit etj.  Federata Shqiptare e Ciklizimit promovoi aktivitetin e saj ‘Tour of Albania’ që do zhvillohet në fund të majit dhe do përshkojë 975 km nëpër gjithë vendin duke promovuar vendet më të bukura të Shqipërisë.

Në fund të Panairit u zhvillua dhe eventi i ndarjes së shortit të organizuar nga AKT, ku fituese u shpallën Laura Kadiqi  e cila fitoi udhëtimin treditor në Theth e Jetmira Hoxha që fitoi udhëtim dyditor në Valbonë, të cilat do të mundësohen nga Klubi Discover Albania. Panairi MTF 2017, ia doli të ishte një event i sukesshëm, i cili pritet të pasohet nga të tjerë në vitet që do të vijnë. 

 

Fjala e plotë e Ministres Milva Ekonomi në sesionin e parë:

Po e nis duke ndare me ju çfare diskutova ketu me Zonjen Lejla Krstevska: Ne duhet jo vetëm që të shkëmbejmë emaile dhe raporte,  por është shumë e rëndësishme që të takohemi bashkë, të takojmë njerëz me njerëz. Ndaj në turizëm B2B dhe P2P është shumë e rëndësishme. Dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria merr pjesë në aktivitetet që organizon Maqedonia dhe rajoni  nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Dhe është fat që sot Agjencia Kombëtare e Turizmit ne Shqiperi po e zgjeron aktivitetin e vet promovues duke marrë pjesë dhe më shumë në panaire që organizohen në rajon dhe përqark.

Po t’i drejtohemi Kombeve të Bashkuara, vitin 2017 e kanë quajtur si viti i turizmit të qendrueshëm. Bashkë me iniciativat e UNWTO janë bashkuar kete vit edhe aktivitete te UNESCO sepse drejtimet kryesore të zhvillimit të qendrueshëm në turizëm lidhen me pese drejtime të rëndësishme. Zhvillimi i qendrueshëm do të synoje të sjellë; rritje ekonomike gjithëpërfshirëse; gjithëpërfshirje sociale, punësim dhe reduktim varfërie, rritje të eficiencës të aseteve turistike, mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimaterike, vlera kulturore, diversitet dhe trashëgimi që ndahet mes vendeve për mirëkuptim reciprok, paqe dhe siguri. Thënë këto gjëra, ne kuptojmë që Ballkani ka një moment që mund ta demostrojë në botë, sepse Ballkani është një rajon që ja doli që luftërat t’i kthejë në paqeje dhe të mendojë që ky moment paqësor të sjelle  mundësi për një zhvillim të përbashkët. Prandaj të gjithë jemi përfshirë në atë që quhet projekti i ndërlidhjes ballkanike, që synojmë të hapim kufijtë tanë tregtarë dhe kufijtë tanë rrugorë dhe energjetikë, duke i dhënë kështu ndihmë zhvillimeve ekonomike.

Në zhvillimet ekonomike, padyshim që asetet e rëndësishëm janë produktet tona të trashëgimisë kulturore dhe për ballkanin perëndimor një produkt i rëndësishëm është “via Dinarica” që erdhi si iniciativë e produktit turistik mbas Samitit të Berlinit por aktualisht po merr më shumë hapësirë për t’u zhvilluar pas takimit të Vjenës. Çka ka arritur të fitojë Shqipëria këtë vit. Në vitin 2015 kishim mesatarisht 5.3 netë qendrimi për çdo turist, ndersa në vitin 2016, Shqipëria i rriti netët e qendrimi për turist në 6.3. Pra hapi ofertën e vet turistike dhe kjo falë tur operatorëve që ishin agjenci të vogla ose të mëdha që shisnin me shumicë e pakicë bileta apo që edhe angazhoheshin të punonin me rajonin. Ka disa produkte, siç e tha edhe kolegia nga Maqedonia, që shiten mes tre vendeve; mes Maqedonisë, Shqipërisë e Malit të Zi. Ka produkte të tjera që lëvizin në një rajon tjetër siç është përshembull ndërhyrja që ka bërë GIZ për të ndërtaur atë që quhet piku i Ballkanit që lëviz mes tre vendeve, Shqipërisë-Kosovës e Malit të Zi. Por sa për në Lindjen e largët, disa organizata të tjera siç JICA, mundësojnë pjesëmarrjen në panaire për të gjithë Ballkanin në një stendë të vetme, meqenëse ardhja e japonezëve në Ballkan kërkon një produkt shumë diversifikues. Ndërkohë  besoj se për vitin e turizmit të qendrushëm, padyshim që në opinion tim kjo lidhet edhe me një fakt tjetër; krenaria e vogël lokale. Të gjithë pamë sot që këtu shumë bashki që marrin pjesë. Secila nga bashkitë kërkon të tregojë atë që bën më mirë dhe t’ia shesë, jo në kuptim që të bëjë para, por në kuptimin që të marketojë bashkinë e vet, atë që ka realizuar më mirë gjatë një viti. Dhe të mos harrojmë që në zhvillimin rajonal, ato që përfitojnë më shumë janë padyshim gratë dhe grupet e margjinalizuara. Kështu zhvillimi i qendrueshëm i turizmit i shërben edhe këtij dimensioni që është dimensioni i reduktimit të varfërisë dhe rishpërndarjes së burimeve të siguruara. Dhe unë besoj se zhvillimet rajonale në Shqipëri kanë përcjellë gjithnjë e më shumë këtë reduktim të pabarazisë që ne kemi. Por nga ana tjetër, do të kërkojnë që ne të aksesojmë burimet tona turistike. I kemi të vështira disa. Kështu që do të jetë edhe një nxitje për të kuptuar orientimin që duhet të marrin investimet publike në vitin e ardhshëm në Shqipëri për dimensionin e turizmit. Në fakt nuk mund të lemë pa përmenduar që Shqipëria ka pasur shumë vizitorë në parqet kombëtare. Numri i vizitorëve në parqet kombëtare në Shqipëri në vitin e kaluar gati u trefishua. Dhe nuk ishin vetëm turistët e huaj që përdorën parkun po ishin shumë turistë vendas e kjo tregon që mënyra me të cilën ne po i qasemi natyrës, po ndryshon. Dhe ndjeshmëria e shqiptarëve ndaj mbrojtjes se pasurisë natyrore ka ardhur vazhdimisht duke u rritur. Një fakt tjetër i rëndësishëm qe duhet te vihet ne evidence eshte ai se të ardhurat që ne siguruam nga turizmi kulturor, sa i takon vizitave në muze apo në kala, në pika kulturore e historike të vendit, janë rritur në vitin 2016 me 19 % . Kjo do me thënë që kemi përdorur mirë asetin por kemi ulur edhe informalitetin. Të mos harrojmë që përpjekjet që po bëjmë për të zhvilluar turizmin janë përpjekje të të gjithëve; të qeverisë qendrore, të qeverisë lokale, të organizatave, agjencive e të vetë individëve që marrin përsipër ta mbrojnë produktin. Unë besoj që këto elementë e bëjnë turizmin një promotor të zhvillimit të vendit por edhe na japin një dimension që turizmi duhet të jetë padyshim një motor për zhvillimin e qendrueshëm.

Faleminderit!