Postuar më: 05 Prill 2017

Marrëveshje mes dy Ministrive për përdorimin e ishullit të Sazanit për turizëm

U firmos sot në mjediset e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes “Marrëveshja e Bashkëpunimit mes MZHETTS dhe Ministrisë së Mbrojtjes për lejimin e turistëve për vizita turistike në ishullin e Sazanit”. Marrëveshja u nënshkrua sot nga dy ministret respektive nga znj Milva Ekonomi dhe znj Mimi Kodheli.

Marrëveshja në fjalë do të lejojë përdorimin e ishullit për qellime turistike nga fillimi i muajit Maj deri në fund të Tetorit, pikërisht gjatë kohës së sezonit veror.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes  dy ministret mbajtën nga një fjalë:

Ministrja Milva Ekonomi:

E dashur zonja Kodheli! Faleminderit shumë për krijimin e një mundësie të tillë shumë të mirë për turizmin gjithëvjetor shqiptar. Ne jemi në prag të fillimit të sezonit turistik veror dhe turoperatorët shqiptarë dhe agjencitë turistike kërkojnë të kenë më shumë produkte turistike për turistët. Një kërkesë e vazhdueshme që kanë bërë ata është aksesi në ishullin e Sazanit. Fakti që ne lejojmë turistët të kalojnë në ishullin e Sazanit disa momente turistike, kur konsumojnë turizëm në vendin tonë, është një lehtësim i madh për turizmin vendas. Numri i turistëve në vitin 2016 shënoi një rritje prej 15 për qind, duke e çuar numrin e turistëve në vend 4 milion e 700 mijë por, gjithashtu, duke rritur dhe ditë qëndrimin mesatar në vend, për të cilin gjatë 2016 llogaritet 6,2 ditë. Kjo është një ngjarje e rëndësishme për ekonominë shqiptare. Nga komunikimet që kemi patur me turoperatorët dhe agjencitë, jemi informuar se më shumë turistë nga vendet europiane, por edhe për më tej, kërkojnë të vizitojnë vendin tonë. Një nga kushtet që turistët kanë patur vazhdimisht në vëmendjen e tyre ka qenë siguria dhe, për këtë, dua të falënderoj shumë ministren Kodheli për vëmendjen e veçantë që treguat duke vënë në përdorim ishullin e Sazanit si dhe për të nxitur dhe më tej atraksionin turistik të Sazanit.Faleminderit!

Ministria Mimi Kodheli: Faleminderit znj ministre! Është një ndjesi e veçantë për mua që rikthehem në një ndërtesë kur dikur punonin strukturat e Forcave të Armatosura dhe të Shtabit të Përgjithshëm, e ndërkohë kthehem në këtë ndërtesë për të folur për turizmin. Është shumë e drejtë ajo që ministrja Ekonomi thotë, turizmi përveçse është një pjesë shumë e rëndësishme të ardhurash për produktin mbarëkombëtar, sigurisht që duhet të reflektojë edhe një fytyrë që është fytyra e sigurisë që gjejnë turistët kur vijnë në vendin tonë. Në pamje të parë duket si një slogan i hedhur krejt rastësisht. Në fakt, nuk është kështu. Bota, sidomos brigjet e Mesdheut janë të trazuar dhe të shqetësuar për shkak të gjitha ngjarjeve gjeopolitike në këtë zonë dhe shumë turistë sot preferojnë të mos frekuentojnë vende me një rrezikshmëri të lartë, siç është bregdeti egjiptian, ai turk apo edhe ndonjë bregdet tjetër me një problematikë të caktuar. Ajo çka ne duhet të garantojmë  është siguria e bregdetit tonë, gjë për të cilën ne punojmë çdo ditë, por njëkohësisht edhe për vet faktin se shumë nga repartet ushtarake ndodhen në vende të spikatura të një bukurie të veçantë natyrore, siç është bregdeti shqiptar. Ne duhet dhe mund të krijojmë mundësinë e vizitimit të këtyre zonave edhe nga turistët, të cilët e bëjnë më atraktive të gjithë qëndrimin e tyre për ta zgjatur atë 6.2 ditshin e qëndrimit mesatar, në më shumë ditë. Ishulli i Sazanit është padyshim një atraksion turistik jo vetëm për pozicionin e tij por, në dijeninë time, ishulli ka një florë dhe një faunë specifike, e cila ndihmon jo vetëm turistët që mund të bëjnë një vizitë, por ndihmon shumë edhe studiuesit e huaj që kërkojnë të vijnë dhe të bëjnë studime lidhur me florën dhe faunën e kësaj zone. Njëkohësisht, në njësinë ushtarake të Pashë Alimanit ndodhet një pjesë e mirë ku gjenden mbetje arkeologjike të Orikumit dhe kjo e bën tërheqëse vizitën turistike të çdo të huaji në vendin tonë, por edhe të turistit shqiptar brenda vendit.

Për fat të keq, të dyja këto ndodhen në një zonë të mirëfilltë ushtarake. Por, ne do të sigurojmë, nëpërmjet strukturave tona dhe angazhimit tonë, qoftë të Shtabit, qoftë të Ministrisë së Mbrojtjes, një akses të mirë dhe një lehtësim të procedurave për të gjithë ata që kanë dëshirë ta frekuentojnë gjatë sezonit turistik këtë zonë dhe njëkohësisht edhe për të siguruar sigurinë e tyre fizike, që është shumë e rëndësishme për çdo njeri që udhëton në një vend të huaj.

Unë ju falënderoj ministre për këtë iniciativë tuajën dhe sigurisht, kur gjërat vihen në letër, dhe marrëveshja flet shumë, kjo tregon seriozitetin dhe rëndësinë që qeveria shqiptare i jep një fushe të rëndësishme, siç është turizmi dhe siguria, që kanë lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën. Ju faleminderit edhe njëherë.

 

Pyetje nga gazetarët

Pyetje: Për sa kohë do të qëndrojë i hapur nga turistët ishulli i Sazanit?

Ministrja Ekonomi: Në marrëveshjen që sapo nënshkruam, ishulli hapet në 1 Maj të 2017 dhe përfundon aksesin në 31 tetor po të këtij viti. Ishulli do të jetë subjekt i vëzhgimit nga ana e sigurisë për një periudhë kohe të caktuar.

Pyetje: Ka ndonjë projekt për Sazanin përgjatë verës? Çfarë mund të bëjnë turistët në Sazan?

Ministrja Ekonomi: Besoj se po. Ne jemi duke e diskutuar edhe me forcat e Shtabit të Përgjithshëm për mënyrën se si do aksesohet Sazani, cilat do të jenë shtigjet dhe çfarë mund të bëjë një vizitor në Sazan. Shumë shpejt do të ketë edhe një kalendar aktivitetesh.

Ministrja Kodheli: Ju duhet të dini se Sazani ka qenë një ishull i banuar dikur, ka patur struktura të konsiderueshme në banesa, spital, por edhe shkollë. Disa struktura janë ruajtur. Por, ai është një objekt brenda pronave të menaxhuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe, për pasojë, investime të mirëfillta turistike, në një vend që konsiderohet akoma i ushtrisë, është një gjë e vështirë. Por, unë besoj se ky është pikërisht atraksioni që njerëzit kërkojnë të gjejnë në ishullin e Sazanit, përveç bregdetit. Nuk po i zbuloj të gjitha gjërat që të ketë ende kuriozitet që njerëzit të shkojnë ta shikojnë se çfarë do gjejnë atje.

 

Pyetje: Po me vilat italiane çfarë do të bëhet atje?

Ministrja Kodheli: Atje çdo gjë është pronë e shtetit që administrohet nga Ministria e Mbrojtjes, për aq kohë sa është në territorin e një njësie ushtarake.

Pyetje: Janë shumë objekte nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes në zonat turistike përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, në zona si Zvërnec apo Porto Palermo. A ka Ministria e Mbrojtjes ndonjë plan se si mund të shndërrohen në atraksione apo të përdoren për turizëm të tilla zona?

Ministrja Kodheli: Ministria e Mbrojtjes di dhe duhet të thotë vetëm nëse ajo shërben nga pikëpamja ushtarake apo jo. Të gjitha të tjerat janë në përgjegjësinë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Turizmit dhe sigurisht e politikave të turizmit dhe zhvillimit ekonomik të qeverisë. Ne duhet të themi na duhet apo nuk na duhet ne, kjo është detyra jonë