Postuar më: 07 Gusht 2017

Konfirmohet rritja ekonomike e Shqipërisë

Ekonomia shqiptare ka ruajtur vlerësimet pozitive nga dy agjencitë prestigjioze të vlerësimit të riskut të kreditit të ekonomisë në botë, Standard and Poor’s dhe Moody’s.

Standard and Poor’s afirmoi vlerësimin ‘B+/B’, që reflekton progresin e qëndrueshëm të vendit në drejtim të konsolidimit fiskal, mbështetur nga rritja e qëndrueshme ekonomike dhe progresi i reformave. Në raportin e saj, S& P vlerëson se rritja e ekonomisë do të vazhdojë të përshpejtohet, mbështetur nga rritja e kërkesës, konsumit privat dhe investimeve. Ndërkaq, përmirësimi i klimës së biznesit dhe forcimi i institucioneve do të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në energji, turizëm, bujqësi.

Edhe agjencia Moody’s afirmoi vlerësimin e saj B1 për ekonominë shqiptare, duke ruajtur parashikimin e qëndrueshëm. Vendimi për të ruajtur këtë vlerësim është marrë duke pasur parasysh disa faktorë kyçë, si progresi në konsolidimin fiskal, reformat strukturore dhe forcimi i kapaciteteve institucionale; apo dhe sfidat e reformave strukturore, pavarësisht përmirësimit të  perspektivave të rritjes.  “Rritja ekonomike pritet të përshpejtohet, ndërsa avancimi i procesit të integrimit do të ndihmojë në përmirësimin e klimës se biznesit dhe konvergjencën e të ardhurave me rajonin”, thuhet në raport.