Postuar më: 09 Maj 2017

Këshilli i Investimeve rekomandon lehtësimin e mëtejshëm të procedurave doganore

U mblodh sot në Mjediset e MZHETTS, takimi i 10-të i Këshillit të Investimeve, i cili drejtohet nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi.

Tema e Mbledhjes së X-të ishte “Lehtësimi i mëtejshëm i procedurave doganore”, një temë e votuar në mbledhjen e fundit të 2016 nga anëtarët e KI.  Në hapje të takimit Ministrja Ekonomi mbajti një fjalë ku theksoi se tema në fjalë është shumë e rëndësishme pasi vjen si një kërkesë e vazhdueshme nga biznesi për lehtësimin  e procedurave doganore, dhe  rritjen e konkurueshmerise dhe stimulimin e eksporteve. E sigurisht edhe si detyrim për të përmirësuar klimën e biznesit dhe renditjen e Shqipërisë në Doing Business. Ministrja permendi  përmirësimet e ndjeshme të kryera në Kodin e ri Doganor dhe kerkoi qe kodi i ri doganor dhe mundesite qe ai ofron te kthehen ne nje instrument i cili te ndihmoje konkurueshmerine. Ministrja vlerësoi punën e Drejtorisë së Doganave dhe i kerkoi organzimin e nje aktiviteti ne bashkepunim me shoqatat e biznesit dhe Sekretariatin për të shpjeguar gjithë bizneseve eksportuese  ndryshimet që po pëson Kodi Doganor dhe mundesite e reja qe ai ofron.

“Ne e dimë se në fillim të vitit 2015, në doganën e portit të Durrësit, u vendos kanali jeshil. Jo vetëm në Këshillin e Investimeve, por edhe në Komitetin e Lehtësimit të Tregtisë dhe në Komisionin për Vlerësimin e Masave për Importet ne kemi diskutuar disa herë për kanalin jeshil dhe për lehtësirat që ky kanal ose kjo mënyrë komunikimi i jep biznesit duke shkurtuar kohën e procedurave dhe barrierave administrative që ato kanë në momentin që ato bëjnë shkëmbime mallrash. Koha e matur lëviz nga 3 orë që ishte përpara vendosjes së kanalit jeshil në 10 minuta sot. Kjo do të thotë se për biznesin është më shumë kohë, më pak shpenzim, natyrisht dhe arritje më e shpejtë e tregut destinacion” tha Ministrja në fjalën e saj.

Anëtarët e këshillit dëgjuan me vëmendje gjetjet e raportit të përgatitur nga Sekretariati i KI, lidhur me problematikat në procedurat aktuale doganore dhe disa rekomandime si mund të lehtësohen dhe përmirësohen. Analiza u bazua në ankesat e bizneseve të depozituara në Sekretariat gjate periudhës 2015 – 2016 (rreth 30 ankesa). Më tej një pyetësor i hapur u hodh online  dhe u plotësua nga 23 kompani. U zhvilluan rreth 25 takime janë zhvilluar me biznese, importuese dhe eksportuese dhe në rrethe, kompani konsulence, administratën doganore, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Ekonomisë. Ndërsa më 20 Prill u zhvillua një takim konsultimi me ekspertë të fushës nga administrata doganore, tatimore dhe biznese për të diskutuar paraprakisht rekomandimet më të mundshme dhe të rëndësishme për t’u prezantuar në KI. Pas këtij anketimi u arrit në disa gjetje dhe rekomandime që mund të grupohen në: a) rekomandime të cilat kërkojnë plotësimin e kuadrit ligjor sekondar; b) rekomandime të cilat nuk kanë nevojë për plotësime ligjore dhe nënligjore, por që kërkojnë zbatimin me rigorozitet të dispozitave doganore në fuqi nga administrata doganore; dhe c) rekomandime për realizimin e te cilave kërkohen investime dhe ndryshime operacionale/teknike.

Konkretisht, rekomandimet  kryesore konsistojnë në: Përgatitja në kohë e legjislacionit sekondar doganor referuar hyrjes në fuqi të Kodit të Ri Doganor në 1 Qershor 2017 dhe konsultimi me biznesin, si një praktikë e mirë për nxitjen e partneritetit; Dokumentimi i qartë dhe gjurmimi në sistemin e brendshëm të DPD të mënyrave të llogaritjes së vlerës doganore nëpërmjet rishikimit të akteve/udhëzimeve të brendshme, përditësimi i listës së çmimeve të referencës; Nevoja për ndërgjegjësim për biznesin për të kërkuar nga administrata doganore informacion klasifikim tarifor të detyrueshëm dhe kthim nga degët doganore përgjigje bizneseve për rezultatet e laboratorit të doganës mbi klasifikimin tarifor. Institucionalizimi i bashkëpunimit dhe konsultimit me biznesin: Të rritet komunikimi online i informacionit dhe marrjes së autorizimeve të ndryshme të biznesit si në dogana dhe në institucione të tjera të lidhura, tatime, AKU, etj. Finalizimi i projektit “single window” në dogana do të lehtësojë koordinimin ndërinstitucional.

Raporti i plotë do të publikohet së shpejti në faqen zyrtare të Këshillit të Investimeve.

 

Fjala e Ministres së MZHETTS, znj. Milva Ekonomi:

Faleminderit për pjesëmarrjen dhe mirë se keni ardhur!

Këshilli i Investimeve diskuton sot, në mbledhjen e tij të radhës, mbi lehtësimin e procedurave doganore, një temë e cila është zgjedhur nëpërmjet votës nga anëtarët e Këshillit në mbledhjen e fund vitit të kaluar, ku Sekretariatit i dhamë të drejtën që të bëjë një hulumtim për procedurat doganore. Në momentin që Sekretariati filloi këtë hulumtim, në Doganën shqiptare po ndodhte diçka e re, që është përmirësimi i Kodit Doganor.

Kërkesa që bëri Këshilli i Investimeve për të hulumtuar mbi këtë tema nuk ishte e rastësishme sepse edhe në Doing Business, në raportimet që kishim për tregtinë, u vu re se kishte nevojë për të përmirësuar edhe më tej pozicionin që kishte Shqipëria. Gjithashtu, kishim vënë re se në shkëmbimet tonat tregtare, importet dhe eksportet në Shqipëri, kishin një trend rritës, por importi i makinerive dhe pajisjeve ishte një import i cili po linte gjurmë dhe kjo lidhej dhe me investimet publike dhe private që po ndodhnin në vend. Kështu që, kishte nevojë ta analizonim importin e makinerive dhe në dimensionin e zhvillimit dhe të rritjes.

Ne e dimë se në fillim të vitit 2015, në doganën e portit të Durrësit, u vendos kanali jeshil. Jo vetëm në Këshillin e Investimeve, por edhe në Komitetin e Lehtësimit të Tregtisë dhe në Komisionin për Vlerësimin e Masave për Importet ne kemi diskutuar disa herë për kanalin jeshil dhe për lehtësirat që ky kanal ose kjo mënyrë komunikimi i jep biznesit duke shkurtuar kohën e procedurave dhe barrierave administrative që ato kanë në momentin që ato bëjnë shkëmbime mallrash. Koha e matur lëviz nga 3 orë në 10 minuta sot që është vendosur kanali jeshil. Kjo do të thotë se për biznesin është më shumë kohë, më pak shpenzim, natyrisht dhe arritje më e shpejtë e tregut destinacion.

Nga ana tjetër, ajo çfarë kemi parë në këtë listë të rekomandimeve të përgatitura nga Këshilli i Investimeve, ka të bëjë me faktin se Drejtoria e Përgjithshme  e Doganave në Shqipëri, për të gjitha këto përafrime që ka bërë në Kodin Doganor, është udhëhequr shumë edhe nga “acquis communautaire” dhe nga rregulloret e tjera të Bashkimit Europian. Pra, është munduar në gjithë përpjekjen e vet për përgatitjen dhe përmirësimin e kuadrit të ri legjislativ të udhëhiqet nga këto parime, por duke parasysh gjithashtu që Shqipëria, ka nevojë që këto lehtësime doganore t’i shikojë edhe në kuadrin se çfarë sjell CEFTA, si vend anëtar i saj.   

Megjithatë, nisur nga diskutimet që kemi pasur në dy Komisionet e tjera, Drejtoria e Doganave është duke bërë një punë të lavdërueshme në këtë moment për mënyrën se si po i qaset, në mënyrë kapilare, të gjithë bizneseve eksportuese, të cilat kanë nevojë të kenë një informacion më të plotë për ndryshimet që po pëson Kodi Doganor dhe gjithashtu ka nevojë që të krijojë edhe një ndërgjegjësim publik për ndryshimet e reja që po vijnë në Kodin Doganor.

Përveç këtyre çështjeve që do të diskutojmë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Investimeve, ashtu siç e kemi bërë traditë, do të shohim edhe statusin e rekomandimeve të mëparshme. Na është kërkuar, nga mbledhjet e kaluara, që të bëjmë një status për Kodin e Punës dhe për të parë gjithashtu se ku jemi me ecurinë e rekomandimeve që ka nxjerrë deri tani Këshilli.

Në këtë mbledhje të Këshillit të Investimeve ne njihemi me raportin që ka bërë Sekretariati dhe është detyrë e Këshillit të Investimeve të miratojë, të ndryshojë apo të sugjerojë përmirësime në raport, dhe sapo raporti të marrë formën e vet përfundimtare, ai do t’i vihet në dispozicion medias. Prandaj media është e pranishme sot, për të bërë këtë fazë të parë transparente.

Një tjetër gjë e rëndësishme që duhet të them është se, pasi u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit me Universitetin Epoka, që ishte një nga vendimet që mori Këshilli i Investimeve për të shtuar kërkuesit e rinj në fusha të caktuara të jetës ekonomike apo juridike të administratës publike, ne kemi pasur shumë kërkesa nga Universitete të ndryshme. Ka shfaqur interes për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi Universiteti Luarasi, Universiteti i Tiranës, UET. Pra, kërkesa për të hulumtuar çështje që kanë të bëjnë me ekonominë po vjen si një ndërgjegjësim në rritje nga ana e atyre që jetojnë në botën akademike, sidomos studentëve të nivelit master. Për këtë vlen të falënderohet edhe media, e cila ka bërë publikimin siç duhet dhe në kohë të marrëveshjeve të bashkëpunimit që kemi nënshkruar me universitetet.

Faleminderit.