Postuar më: 08 Prill 2017

Hap dyert në Tiranë, Panairi i parë Mesdhetar i Turizmit

Hapi sot dyert Panairi i Parë Mesdhetar i Turizmit,  në Expocity,  Tiranë i cili synon ta fusë Shqipërinë në kalendarin ndërkombëtar të panaireve, si dhe të jetë jetë një pikë takimi i një rëndësie rajonale mes subjekteve që operojnë në këtë sektor. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj Milva Ekonomi, e cila në mënyrë simbolike preu dhe shiritin e këtij panairi të parë, duke uruar që ai të bëhet i përvitshëm dhe të sjellë një vlerë të shtuar në turizmin shqiptar.  

Në këtë panair janë 72 stenda dhe rreth 120 subjekte, ku risi është prezantimi i secilës Bashki të vendit, që nga Malësia e Madh e deri në Sarandë. Produktet e paraqitura në këtë panair janë nga më të larmishmet, që nga paketat turistike,  produktet e kulinarisë, kostumografisë, punimeve artizanale  e gjithçka tjetër të bukur dhe me vlerë që ka vendi ynë. Gjithashtu merrnin pjesë agjenci turistike nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, nga Italia, nga Greqia, të përfaqësuara nga ambasadat që i takojnë zonës së Mesdheut . Ky panair që do të zgjasë dy ditë (8-9 prill) u organizua nën kujdesin  e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes me bashkëorganizatorë  Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Unioni Turistik Shqiptar dhe Shoqata Turistike Shqiptare.

Ceremonia sot nisi me këngë e valle popullore nga trevat e Shqipërisë, të cilat u përformuan në stendën kryesore të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Në ceremoninë e hapjes Ministrja Ekonomi mbajti një fjalë ku përshëndeti gjithë të ftuarit dhe pjesëmarrësit. Ajo u shpreh shumë entuziaste që më në fund Shqipëria ia doli të porganizojë një panair të sajin dhe të mos jetë thjesht pjesëmarrëse në panaire turizmi në botë. Duke shfrytëzuar këtë mundësi Ministrja ndau gjithë arritjet e Shqipërisë në Turizëm, vecanërisht vitin e fundit të cilat kanë qenë të shumta dhe e kanë renditur Shqipërinë mjaft mirë në zhvillimin e këtij sektori, hapjen e vendeve të punës, sigurinë, dhe hapjen e Shqipërisë pra brandimin e saj në botë.

 

Fjala e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi:

Mirmëngjes të gjithëve, zonja dhe zotërinj,

Padyshim që sot është një ditë speciale. Më në fund, Shqipëria arriti të futet në hartën e panaireve që organizohen në rajon, me Panairin Mesdhetar të Turizimit. Jemi të gëzuar që kemi arritur në këtë ditë. Nuk është një përpjekje që ka e ka bërë vetëm Ministria, por është një përpjekje që e ka bërë padyshim dhe sipërmarrja turistike në vend, edhe të tjerë që merren me shfaqjen e gjithë atraksioneve turistike që ne kemi në vend.

Duke filluar që nga viti i kaluar ne jemi përpjekur që ta prezantojmë Shqipërinë në më shumë se 15 panaire, dhe gjatë këtyre prezantimeve kemi kuptuar se ka disa gjëra që duhen zbuluar në rajon dhe në vendin tonë. Për këtë arsye, tema e këtij panairi u vendos që të ishte Mesdheu, që të zbulohej më shumë kjo zonë, por të zbulohej dhe më shumë Shqipëria, si destinacion i rëndësishëm turistik.

Sot në këtë panair kam dhe një lajm shumë të gëzuar për të gjithë ata që janë sipërmarrës turistikë në pjesën e segmentit të sipërmarrjeve akomoduese. Ju dëgjuat që qeveria sapo kaloi për miratim në Kuvend ligjin për uljen e TVSH-së në strukurat akomoduese, i cili zbret nga 20 për qind në 6 për qind. Ky është një lajm shumë i mirë.  Por, padyshim që është një lajm shumë i mirë edhe raporti që publikoi World Economic Forum, para dy ditëve, për Indeksin e Konkurrueshmërisë në sektorin e turizmit dhe udhëtimeve, ku Shqipëria u rankua në 15 vendet që kanë bërë progres në fushën e turizmit, duke përmirësuar pozicionin e vet me 8 pikë. Kështu që, për ta gjithë ata që janë sipërmarrës turistikë, padyshim që këto janë lajme shumë të mira.

Një gjë tjetër që duhet ndarë me shumë kënaqësi është që në çdo panair ne jemi përpjekur të japim brandin e Shqipërisë “Albania go on yopur on way” dhe padyshim që Agjencia Kombëtare e Turizimit ka pasur një rol për këtë dhe një nga arsyet që në morëm atë pikëzim në Indeksin e Konkurrueshmërisë së Turizimit ishte pikërisht brandimi i Shqipërisë. Një fakt tjetër i rëndësishëm ishte që, të gjitha strukturat tonë që i shërbejnë turizimit, si për shembull infrastruktura, siguria, mbrojtja e mjedisit, siguria në plazhe, kanë luajtur rolin e tyre duke u përmirësuar situatën nga viti në vit. Natyrisht që ne kemi akoma shumë gjëra për të bërë dhe për ta përmirësuar edhe më tepër infrastrukturën turistike në vend, por duhet të jemi shumë të gëzuar që numri i turistëve në vitin 2016 arriti në më shumë se 4 milionë e 700 mijë, duke treguar që Shqipëria pati një rritje të numrit të vizitorëve në vend prej 15 %.

Nga ana tjetër, një lajm i rëndësishëm është që edhe në matjet që bëjnë institucionet shqiptare, si Banka e Shqipërisë, nëpërmjet bilancit të Pagesave, tregojnë se kontributi i këtij sektori në ekonominë e vendit është duke u rritur.

Në përgjithësi, sektori i turizmit, në vitin 2016, kontribuoi me 7 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto, punësoi në totalin e vet 267 mijë individë, të cilët nuk hyjnë vetëm në punësimin direkt të turizimit, por edhe në punësimin indirekt, çka do të thotë se ekonomitë e vogla rajonale përfituan nga paketa turistike që ato afruan, duke vënë në shërbim dhe ekonomitë ndihmëse të turizimit. Është një fakt i rëndësishëm që edhe botimi i World Trade Tourism Center tregoi që në Shqipëri punësimi që vjen nga turizmi renditej në vendin e katërt, lajme që janë shumë të mira për industrinë turistike në vendin tonë.

Padyshim që ky panair që ne po organizojmë është një tjetër event, i cili do të mundësojë ta shikojnë më nga afër paketën turistike të vendit dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata kryetarë bashkie që bënë të mundur pjesëmarrjen e zyrave të tyre turistike në panair, bënë të mundur sjelljen e produkteve turistike në këtë panair. Dua të falënderoj dhe përpjekjen që kanë bërë zyrat e turizmit në çdo bashki, për të krijuar ato që quhen info points në gjithë vendin, ku është grumbulluar informacioni për atraksionet turistike që ata kanë.

Sot mund të shohim se në shumë zona kemi një hartë informuese për paketën turistike që ofron zona dhe kjo është një përpjekje që do të vazhdojë.

Unë shpresoj të gëzohemi në këtë panair, të argëtohemi, të shohim sa gjëra të bukura kemi dhe të falënderojmë padyshim Expo city, Agjencinë Kombëtare të Turizimit, të falënderojmë padyshim shoqatat turistike që punojnë në vend, dhe shoqatat e hotelerisë që e kanë marrë më shume seriozitet pjesëmarrjen në panair.

Ju faleminderit shumë për prezencën dhe punë të mbarë.