Postuar më: 09 Qershor 2017

Fjala e Ministres Ekonomi në konferencën “Promovimi i fuqizimit të rinisë në Ballkanin Perëndimor”

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj Milva Ekonomi mori pjesë sot në konferencën me temë:  “Promovimi i fuqizimit të rinisë në Ballkanin Perëndimor”.  Konferenca e zhvilluar në Durrës, u organizua nga grupi i Aleancës progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, dhe të pranishëm ishin zv. presidentët e grupit S&D, Victor Boştinaru e Tanja Fajon, dhe  eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Tonino Picula. I pranishëm ishte dhe kreu i parlamentit dhe presidenti i zgjedhur z Iliri Meta.

Qëllimi i konferencës ishte afirmohej perspektiva europiane e rajonit të Ballkanit, dhe angazhimi i të rinjve në një dialog të hapur për të zhvilluar iniciativa të fuqizimit të tyre, për rritjen ekonomike dhe punësimin e denjë si dhe lufta kundër populizmit dhe nacionalizmit në rritje. Shqipëria është një vend i privilegjuar pasi rreth 70% e popullsisë janë të rinj, ndaj politikat për të rinjtë janë thelbësore në fushatën elektorale që po zhvillohet në vend .

Në fjalën e saj Ministrja Ekonomi tha se “rinia ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e qeverisë shqiptare për faktin se jo vetëm që përballet me sfida, por sfidat e rinisë shqiptare janë sfida që janë të ngjashme me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës, që lidhen me procesin e përfshirjes në vendimmarrje, por edhe me punësimin, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me kalimin nga grup mosha rinore në grup moshën e të rriturve”.

Ajo shtoi se  përfshirja e të rinjve në tregun e punës uli papunësinë e tyre me 5 pikë përqindje, pasi përveç përfshirjes me punësim në tregun e punës, qeveria nxiti dhe politika të vetëpunësimit, sepse programet qeverisëse mbështetën iniciativa të start-up-it të rinisë shqiptare, duke bërë të mundur që shumë të rinj të fillojnë një aktivitet biznesi për llogari personale.

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministres Ekonomi në këtë konferencë..

Mirëmëngjes të gjithëve.

Unë jam shumë e gëzuar që jam këtu sot me ju për të përshëndetur këtë konferencë, e cila bën fjalë për fuqizimin e rinisë në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve.

Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera europiane, është një vend që vazhdon të ketë një masë të madhe të rinjsh. Popullsia rinore e grup moshës 15-29 vjeç vazhdon të jetë shumë përfaqësuese në Shqipëri dhe përbën gati ¼ e popullsisë. Për këtë arsye konsiderohet si një motor shumë aktiv , i cili mund të çojë përpara ekonominë e vendit, mund t’i japë fuqi tregut të punës dhe natyrisht mund të sjellë shumë optimizëm dhe energji për reformat që ndërmerren.

Ndaj, ne socialistët shqiptarë, po ndërtojmë Shqipërinë e të gjithëve, me një shtet funksional, me punë të sigurt, mirëqenie për qytetarët dhe të ardhmen e gjeneratës tjetër, ku të rinjtë përbëjnë një element shumë të rëndësishëm në fokusimin e politikave dhe të aksioneve.

Në modelin ekonomik të zgjedhur për rritjen ekonomike të vendit, për ofrimin e shërbimeve sociale të cilat duhet të jenë të aksesueshme nga të gjithë, dhe duhet ta mbrojnë qytetarin, sidomos qytetarin e moshës së re nga përjashtimet sociale, arroganca e pushtetit, është ajo për të cilën ne punojmë fort dhe punojmë çdo ditë, që çdo shqiptar, pavarësisht nga mosha, të ketë mundësi të aksesojë burimet.

Ne socialistët, duam një Shqipëri më të drejtë.

Ne jemi të vendosur të reformojmë pushtetin dhe në këtë reformim të përdorim drejtësinë si një element kyç, i cili ndihmon shtet formimin dhe ndihmon krijimin e një shoqërie më demokratike.

Ajo që kërkojmë vazhdimisht është  reformim dhe reformim nëpërmjet sistemit të drejtësisë, që të kemi një qeverisje funksionale të përgjegjshme, e cila të shikohet si një kontratë e ligjshme, e monitorueshme dhe e kontrollueshme midis të zgjedhurve nga njëra anë dhe qytetarëve të lirë nga ana tjetër. Por, më shumë një qeverisje e cila është përmbajtur dhe efikase, në një ekuilibër në shpërndarjen e përgjegjësive, të financave, të pasurive dhe përbën një mbartëse të demokracisë lokale dhe funksionale në vendin tonë.

Ne jemi të vendosur të vazhdojmë më tej punën tonë për reformat strukturore të cilat sollën një rritje ekonomike të qëndrueshme, si ajo që patëm në këtë periudhë 3.5 %, një rritje ekonomike inteligjente dhe gjithëpërfshirëse, ku edhe inovacioni bëri pjesë në të, të lidhur ngushtësisht me punësimin, mbrojtjen e kohezionit social dhe territorial, konkurrencën, mbrojtjen e mjedisit, përdorimin me eficencë të burimeve kombëtare natyrore, në bashkëpunim të mirë me vendet e Rajonit, për një të ardhme europiane të Shqipërisë.

Edhe në këtë perspektivë, nuk duhet të harrojmë për asnjë çast që themelimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor vitin e kaluar ishte një hap shumë i rëndësishëm në procesin e Berlinit, por edhe të krijimit të një bashkëpunimi rajonal dhe ndërveprimit midis të rinjve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët janë mbledhur sot në këtë konferencë për të ndarë pikërisht këto ide që shqetësojnë të rinjtë, përfaqësimin e tyre në politikë, por edhe angazhimin e tyre në reforma që kanë kuptim për shtet formimin dhe shtetin e së drejtës.

Rinia ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e qeverisë shqiptare për faktin se jo vetëm që përballet me sfida, por sfidat e rinisë shqiptare janë sfida që janë të ngjashme me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës, që lidhen me procesin e përfshirjes në vendimmarrje, por edhe me punësimin, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me kalimin nga grup mosha rinore në grup moshën e të rriturve. Rrugëtimi i tyre drejt rritjes është një rrugëtim që ka nevojë për shumë politika në funksion të integrimit më të mirë të tyre.

Fokusi ynë ka qenë përshtatja e rinisë përsa i takon arsimit të kualifikuar , i cili ka të bëjë me nxënien më të mirë të të rinjve për dijet bashkëkohore, por dhe për bërjen aktiv të këtyre të rinjve në tregun e punës, duke sjellë në vëmendje që edukimi profesional përbën tashmë një element të rëndësishëm të vazhdimit të formimit të të rinjve shqiptarë.

Gjithashtu, të rinjtë shqiptarë kanë nevojë edhe për edukim të vazhdueshëm universitar, me dije që shkojnë drejt ekonomisë së dijes, që t’i ndihmojnë ata të jenë të barabartë më të rinjtë e tjerë në rajon, duke bërë përqasje profesionale dhe konkurruese me të rinjtë bashkëmoshatarë të rajonit.

Përveç kësaj, një vëmendje e veçantë i është kushtuar të rinjve që përfshihen në tregun e punës. Natyrisht që tregu i punës nuk është një treg i lehtë për të rinjtë shqiptarë, ashtu siç nuk është një treg i lehtë dhe për të rinjtë e Ballkanit. Por, në këto vite, ne demonstruam që përfshirja e të rinjve në tregun e punës uli papunësinë e tyre me 5 pikë përqindje dhe bëmë të mundur që të rinjtë, përveç përfshirjes me punësim në tregun e punës, të përfshiheshin edhe nëpërmjet vetëpunësimit, sepse programet qeverisëse mbështetën iniciativa të start-up-it të rinisë shqiptare, duke bërë të mundur që shumë të rinj të fillojnë një aktivitet biznesi për llogari personale.

Prandaj, për ne është shumë e rëndësishme që të rinjtë shqiptarë jo vetëm të kenë mundësi të jenë pjesë e ndërgjegjësimit politik, por të kenë mundësi dhe të japin kontributet e tyre në çdo hap të reformave që ne sot ndëmarrim.

Ndërkohë, është shumë e rëndësishme të themi që brezi i të rinjve është një brez energjik, jo vetëm për nga mosha, por edhe për nga shpejtësia me të cilën të rinjtë ndjekin zhvillimet e shkencës botërore. Ndaj, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër ne jemi angazhuar që për të gjithë ato të rinj që fillojnë biznese inovative të teknologjisë së informacionit, të ketë një qasje më mbështetëse përsa i takon nxitjes së kësaj sipërmarrjeje, duke ulur në 5 për qind tatimin mbi fitimin.

Qeveria ka ndërmarrë reforma për të rinjtë në Shqipëri, por reforma më e rëndësishme ka qenë reforma në arsim, e cila bëri të mundur që dijet të demokratizohen; nuk mjafton vetëm merita, por duhet edhe talenti që të shkohet drejt shkollave universitare në Shqipëri.

Procesi i transformimit të arsimit të lartë në Shqipëri bëri të mundur që shumë të rinj të mos shpërdorojnë më paratë e familjeve për diploma që nuk vlejnë, por ama të orientojnë dijet drejt nevojave që ka tregu. Ndaj, përveç shkollave të larta që pësuan një transformim, i cili ende vazhdon sot në Shqipëri, u morr përsipër dhe po ndërtohet me sukses rrjeti i shkollave profesionale. Sot kemi më shumë të rinj me dije profesionale, numri i tyre është dyfishuar në vend. Ndërkohë, kjo do të shoqërohet edhe me programet e ardhshme të qeverisë që kanë të bëjnë me ngritjen e 61 qendrave të këshillimit për punësim dhe karrierrë në çdo bashki dhe në hapjen e 6 shkollave profesionale në gjithë territorin e vendit, për të sjellë aty dije që janë të lidhura me industrializimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.

Për ne socialistët realizimi i reformave është një domosdoshmëri. Vazhdimi i reformave të ndërmarra dhe krijimi i një shteti më të drejtë, me më shumë punë dhe me më shumë mirëqenie është i pandalshëm. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm se për të rinjtë e sotëm është shumë e rëndësishme që të japim modele dhe shembuj pozitivë sepse në fakt, të rinjtë e sotëm kanë nevojë të shohin se si modelet bëjnë të funksionojë shteti i së drejtës, se si modelet nxisin iniciativat sipërmarrëse dhe motivojnë iniciativën e lirë.

Shumë shpesh të rinjtë kanë nevojë të dëgjohen, por theksoj që të rinjtë kanë nevojë të shikojnë shembujt pozitivë të shoqërisë dhe të udhëhiqen prej tyre. Ndaj unë besoj që Aleanca Progresiste e Socialistëve dhe Demokratëve është pikërisht një shembull i mirë ku të rinjtë mund të shikojnë modele, se si ndërhyrja në politikë mund të sjellë më shumë influencë ndaj reformave, reforma të cilat bëhen të matshme, me rezultate përgjatë gjithë kohës që ato zbatohen.

Unë besoj se të rinjtë shqiptarë kanë një energji, e cila duhet përdorur në të mirën e zhvillimit të vendit por, duhet përdorur duke pasur parasysh që ekuilibri i dijeve dhe i moshës të jetë një ekuilibër i menaxhueshëm me kujdes dhe të jetë një ekuilibër i cili i bën mirë energjizimit të ekonomisë, shoqërisë dhe të kulturës së vendit. Politika ka për detyrë t’i lërë atyre një Shqipëri më të mirë.

Faleminderit.