Postuar më: 13 Prill 2017

Firmoset kontrata ‘qera 1 euro’ mes MZHETTS dhe kompanisë Rozafa

U firmos sot në Mjediset e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kontrata e qerasë me tarifën simbolike 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe kompanisë “Rozafa” sh.p.k, për pasurinë “Objekte dhe truall” të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit, në Labinot, Elbasan.

Marrëveshja u firmos mes Ministres znj Milva Ekonomi dhe pronarit të Rozafa shpk., z. Gjergj Luca.  Bëhet fjalë për një sipërfaqe të përgjithshme 52 514 metra katrorë ku do të investohet prej kësaj kompanie në mjediseve të rrënuara ekzsituese duke i shndërruar në fabrika për përpunimin e peshkut.

Duke firmosur këtë marrëveshje Ministrja Ekonomi u shpreh se Ministria ka në prioritetin e vet që të gjitha pronat që janë shtetërore, të lëna diku në harresë, diku jo mirë të administruara, të rikthehen dhe të vitalizohen, duke i dhënë mbështetje sipërmarrjes.  “Kontrata që nënshkruam sot është një kontratë e re, me tarifën simbolike 1 euro kontrata, në fushën e përpunimit të peshkut, por aktiviteti ekonomik do të jetë në disa nën sektorë të përpunimit” tha Ministrja Ekonomi, duke shtuar se formalizimi i sektorit të peshkimit gjithashtu ka dhënë rezultatet e veta. “Aktualisht sot kemi rreth 1000 njerëz që merren me peshkimin në det dhe ata gjenerojnë punësim në raportin 1 me 3 apo 1 me 4. Kështu që përpunues peshku në Shqipëri sot kemi rreth 3000-4000 persona që punojnë në këtë sektor” tha Ekonomi duke i uruar suksese më tej kompanisë Rozafa në rritjen e këtij sektori.

Nga ana e tij z. Luca falenderoi qeverinë për vëmendjen që i ka kushtuar sektorit të peshkimit vitet e fundit, duke theksuar se vërtet ky sektor i harruar e neglizhuar prej vitesh, tashmë ka rilindur dhe po jep rezultatet e veta në ekonomi.  

Aktiviteti i kompanisë do të fillojë jo me vonë se një muaj pas hyrjes në fuqi të kontratës së qirasë. Shoqëria merr përsipër që pas marrjes në dorëzim të objektit, dhe nxjerrjes së lejeve përkatëse për punimet të investojë në total 86 662 656 lekë, i cili do të përfundojë brenda vitit 2019.  Gjithashtu, shoqëria merr përsipër që, në fund të vitit 2019, në këtë ambient do të punësohen rreth 130 punonjës. Ky numër do të rritet edhe  më shumë, gjithmonë në funksion të ecurisë së projektit. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka lidhur gjithsej 21 Kontrata 1/euro ku 11 Kontrata janë Fason, 10 Kontrata përpunim aktiv i mallrave.

 

Fjala e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi:

Për ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ky padyshim që është një moment i rëndësishëm sepse ne nënshkruajmë një kontratë simbolike 1 euro me një nga sipërmarrësit më të rëndësishëm në fushën e peshkimit në Shqipëri. Nuk është e rastësishme që z. Luca vjen këtu sot, pasi z. Luca njihet si një ndër përpunuesit më të mëdhenj në botë të karkalecit dhe ky është një informacion që e konfirmojnë edhe bashkëpunëtorët e këtij sektori nga Skandinavia.

E rëndësishme është të theksojmë se zona ku ai përpunon peshkun, nga një zonë e cila ishte e rrënuar, është kthyer në një zonë që ka marrë jetë. Dua të ndaj me ju se, Ministria ka në prioritetin e vet që të gjitha pronat që janë shtetërore, të lëna diku në harresë, diku jo mirë të administruara, të rikthehen dhe të vitalizohen, duke i dhënë mbështetje sipërmarrjes.

Kontrata që nënshkruam sot është një kontratë e re, me tarifën simbolike 1 euro kontrata, në fushën e përpunimit të peshkut, por aktivitetin ekonomik do të jetë në disa nën sektorë të peshkut.

Në një sipërfaqe prej gati 53 mijë metra katrorë do të ndërtohen disa fabrika që do të japin disa produkte si fshikëzën notuese të merlucit të Atlantikut;  fileton e peshkut dhe peshkut panato; miellin e peshkut; dhe do të krijohen frigoriferikë për ruajtjen e produkteve.

Një tjetër gjë që dua të shtoj është se, për arsye të formalizimit në peshkim, aktualisht sot kemi rreth 1000 njerëz që punojnë në det për peshkimin dhe këto 1 mijë njerëz gjenerojnë punësim për ata që përpunojnë peshkun, në raportin 1 me 3 apo 1 me 4. Kështu që, përpunues peshku në Shqipëri sot kemi në rangun 3000-4000 persona që punojnë në këtë sektor. Prandaj, kjo industri sot është shumë e rëndësishme. Unë shpresoj që tu kemi ndihmuar duke lehtësuar të gjithë aktivitetin tuaj.

Fjala e z. Luca

Znj. Ministre faleminderit.  Unë doja vetëm të shprehja para mediave se, është hera e parë që pas 20 vjetëve si prodhues një ministër vjen në fabrikë, jashtë historive mediatike e jashtë protokollit, për të parë se çfarë problemesh kemi ne në biznes. Kjo ishte një nxitje shumë e madhe për ne, e cila na bëri që të paraqisnim këto projekte të reja pranë jush. Dikur duhej më shumë se 1 apo 2 muaj kohë për të takuar një ministër, ndërsa sot është më e thjeshtë për të takuar me një ministër e për t’i shpjeguar problemet.

Në këtë investim të ri synojmë të fusim edhe burrat në sektorin e prodhimit, sepse deri më tani kemi punuar me gratë. Mendojmë të punësojmë rreth 200-250 burra, pasi na duket një zonë që mund të ofrojë këtë numër të punësuarish.

Sektori i peshkimit ka bërë një bum sepse 250 barka shqiptare janë endur për 20 vjet në gjithë ujërat e Mesdheut me një flamur të grisur, pa personalitet, që kanë ndaluar nëpër portet e gjithë Europës për të marrë naftë ose për të lypur naftë, ose për tu rregulluar nëpër kantiere, dhe sot flotës shqiptare i është kthyer dinjiteti. Sektori i peshkimit ka rilindur sepse nuk mund të rilindin ata njerëz që nuk kanë lindur asnjëherë, por rilindin ata njerëz që kanë lind një herë në jetë dhe ata njerëz që kanë lind dhe u janë shkatërruar ëndrrat nga politikat e mnbrapshta të këtij vendi, dhe kur njeriut i vjedh ëndrrën, i ke vjedhur motivin dhe njeriu pa motiv nuk mund të ecur përpara.

Këta njerëz na kthyen ëndrrat, këta njerëz na kthyen motivin, këta njerëz na rilindën. Nëse e kanë pasur sloganin e parë rilindje, sloganin e dytë duhet ta kenë rindërtim, rindërtim të vlerave të këtij kombi, të vlerave morale e rindërtim të Shqipërisë.

Unë i uroj ministres që të jetë edhe katër vjet të tjera për të na shërbyer.

Pyetje nga gazetarët: Si ka ecur procesi i kontratave simbolike 1 euro me sipërmarrjen?

Ministrja Ekonomi: Kontratat 1 euro që kemi lidhur deri më tani kanë ndihmuar kompanitë në përpunim aktiv dhe në fason. Këto kontrata kanë sjellë rreth 3.200.000.000 lekë investime dhe numri i të punësuarve nga kontratat 1 euro ka arritur në 2060. Ne do vazhdojmë të operojmë me kontratat 1 euro. Përveçse operojmë që të vazhdojmë të nxisim biznesin, kemi dhe një sektor të posaçëm që merret me merret me monitorimin e kontratave dhe ndjekjen e rezultateve ekonomike financiare të kompanive që kanë përfituar nga këto kontrata. Sipërmarrja që do të mbështet me kontratat 1euro do të jetë gjithmonë në vëmendjen e Ministrisë dhe në planin e zhvillimit ekonomik dhe në vëmendjen e Ministrisë, sipas vlerës së investimit dhe planit të biznesit që sjell. Sektorët që mbajnë më shumë peshë janë ai fason dhe përpunimi aktiv i mallrave, siç është rasti i industrisë së përpunimit të peshkut.