Postuar më: 17 Mars 2017

Ekonomi në takimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë: Indikatoret ekonomikë janë pozitivë

Dhoma Amerikane e Tregtisë AmCham paraqiti dje në mjediset e Hotel Sheraton rezultatet e sondazhit për indeksin të biznesit në Shqipëri. Sipas sondazhit, vitin e kaluar klima e biznesit ka shënuar përmirësim. “Indeksi i biznesit për vitin 2013 është në vlerën 43.7. Ka një ngritje të ndjeshme krahasuar me vitin e mëparshëm. Madje është më e lartë edhe nga 2012-ta, kur mbante rekordin, hotë drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane, Lorenc Gjoni. 

I pranishëm në këtë tryezë ishte dhe Ambasadori Amerikan Donald Lu, i cili e konsideroi vitin 2017 si viti kur Shqipëria nis zbatimin e reformës në drejtësi, e cila do të transformojë përgjithmonë mjedisin e biznesit biznes.  

Në këtë takim merrte pjesë edhe Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj Milva Ekonomi e cila mbajti një fjalë lidhur me indikatorët ndërkombëtarë dhe statistikat kombëtare për ekonominë dhe të bërit biznes, të cilat janë pozitivë për Shqipërinë në vitet e fundit  Më poshtë fjala e plotë e saj: 

 

I nderuar Zoti Ambasador,

Të nderuar pjesëmarrës të Asamblesë,

I nderuar Zoti Crawford,

 

Për mua është hera e dytë që jam e ftuar në Asamblenë tuaj dhe e kam pritur me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë Asamble.

Në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit duhet të flas pas rezultateve të Indeksit të Biznesit, pasi vitin e kaluar fola para rezultateve. Dua të ndaj me ju disa mendime të mia lidhur me rezultatet. Padyshim që Dhoma Amerikane e Tregtisë është një nga Dhomat më serioze që ne kemi dhe ndërkohë, duke e parë sallën të mbushur plot, kuptoj se shumë biznese regjistrohen pranë jush. Duke parë rezultatin e anketimit tuaj besoj se biem dakort që së pari, rezultati i një sondazhi të kryer nga Dhoma, pavarësisht nga numri i bizneseve që ka, është deri diku orientues për mënyrën se si vetë bizneset që aderojnë te kjo Dhomë shikojnë ecurinë e ekonomisë së një vendi. Por ndërkohë, nga  ana tjetër, ka matje kombëtare që masin ecurinë e ekonomisë, dhe është me shumë vend që në të ndajmë këto dy lloj matjesh, matjet që janë të lokalizuara për Dhomën dhe statistikat që janë kombëtare. Është kënaqësi të vërej se matjet e lokalizuara dhe matjet kombëtare, për këtë vit që ne flasim, kanë të njëjtën tendencë, sepse po t’i referohemi indikatorëve ndërkombëtarë që kanë të bëjnë me lehtësinë e ”Të bësh biznes”, “Indeksin e konkurrueshmërië”, “Lirinë e tregtisë”në Shqipëri, të gjithë këto indikatorë ndërkombëtarë kanë treguar që në këto dy vitet e fundit Shqipëria ia ka dalë mirë të rankohet në pozicione më të larta, falë reformave që ka ndërmarrë qeveria për të lehtësuar klimën e të bërit biznes.

Ajo që dua të ndaj gjithashtu është se, institucione shtetërore që kanë mandatin e publikimit të të dhënave zyrtare, siç është INSTAT, Banka e Shqipërisë,  tregojnë që sipërmarrja shqiptare ka arritur të ketë disa rezultate pozitive në këto dy vitet e fundit. Për shembull, INSTAT thotë që shitjet neto në vitin 2015, në krahasim me vitin 2014, u rritën me 3.6 %, numri i të punësuarve në biznese private u rrit me 17.4 %, investimet private të realizuara nga sipërmarrja u rritën me 208 miliardë lekë, dhe ndërmarrjet prodhuese të të mirave dhe shërbimeve e rritën numrin e tyre me 22.7 %, krahasuar me vitin 2014. Të gjitha këto sipërmarrje arritën të kenë një rezultat të mirë ekonomik, i cili në fund të fundit, u përkthye në mirëqenien e familjeve shqiptare duke rritur konsumin mesatar të tyre 1,9% dhe duke ulur pabarazisë midis familjeve në Shqipëri të dhëna.

Po pse po i përmend këto indikatorë? Se në fakt, të dhënat që vijnë nga Dhomat janë të dhëna që duhet të na ndihmojnë më shumë për të dialoguar më mirë midis qeverisë dhe sipërmarrjes, dhe përveç zërit të Dhomave, siç ju e dini se dikush nga ju dhe është i ulur në tavolinën e Këshillit të Investimeve, ku shumë prej problemeve që Dhomat kanë, adresohen në Këshillin e Investimeve dhe përkthehen në masa konkrete që ndërmerr qeveria për të lehtësuar “Të bërit biznes” në vend.

Por ka ende shumë për të bërë. Padyshim që ka shumë për të bërë akoma, për të përmirësuar komunikimin dhe për të lehtësuar të bërit biznes, por unë besoj që një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të luftojmë të gjithë për të çuar përpara, është padyshim reforma në drejtësi.

Besoj që reforma në drejtësi do të krijojë dhe më shumë siguri për të qenë një biznes i sigurt dhe për të pasur një parashikueshmëri për aktivitetin ekonomik, sidomos kur sipermarrësi vendos të shtojë më aktivitetin për ndërmarrjen e tij.

Natyrisht që reforma në drejtësi do të luaj një rol të dorës së parë për të vënë në vend të drejtat mbi pronën dhe titujt e pronësisë, sidomos kur bëhet fjalë për investimet strategjike, qofshin këto të huaja apo kombëtare, në territorin e vendit.

Unë besoj që kontributi i Dhomës Amerikane do të jetë i vazhdueshëm dhe dialogu me qeverinë do të jetë i hapur, të paktën siç ka qenë në këto vitet e fundit, ku do të kemi mundësinë të ndajmë bashkë edhe problematikat që kanë nevojë të adresohen për të përmirësuar ligje të caktuara, apo për të përmirësuar akte të Këshillit të Ministrave që ndihmojnë të gjithë biznesin për të qenë më i suksesshëm në jetën e tij. Ju faleminderit edhe një herë që më bëtë pjesë të Asamblesë tuaj sot.