Postuar më: 15 Korrik 2017

Ekonomi në Llogara: Pastërtia, element kyç për një turizëm cilësor

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi, mori pjesë sot në një prej aksioneve masive për pastrimin e plazheve dhe parqeve natyrore të Shqipërisë që po zhvillohen në gjithë vendin nga Korpusi i Vullnetarëve. Ky është një projekt i mbështetur nga MZHETTS, me synimin për të patur një Shqipëri të pastër këtë sezon turistik, por dhe për të sensibilizuar qytetarët që pastërtia është një element kyc për të tërhequr dhe mbajtur sa më gjatë turistët në vendin tonë.

Ministrja Ekonomi iu bashkua aksionit të pastrimit të Parkut të Llogarasë, ku dha një mesazh për mediat dhe publikun.‎ Në këtë aksion mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës Z.Dritan Leli. 

 Fjala e Ministres Ekonomi:

Turizmi në Shqipëri ka shënuar një bum për ekonominë e vendit, duke u bërë një kontribues shumë i rëndësishëm, jo vetëm për nga numrat mbasi përfaqëson 7% të PBB-së, por edhe nga përkushtimi që ne po tregojmë për kulturën dhe natyrën e vendit tonë, për t’ia bërë të njohur të gjithë turistëve që vijnë e vizitojnë Shqipërinë. Por që të lëmë një mbresë të mirë tek të gjithë vizitorët padyshim ndërhyrje të rëndësishme duhen bërë. Një nga këto ndërhyrje si për turistin e huaj apo dhe për atë vendas që lëviz nga njëri destinacion në tjetrin në Shqipëri, është padyshim edhe pastërtia.

Në fillim të sezonit turistik MZHETTS iu bashkua nismës Europiane të plazheve të pastra, ndërsa më pas mbështeti iniciativa të shoqërisë civile për të pastruar plazhet. Këtu jemi me Korpusin Shqiptar të Vullnetarëve që merren me pastrimin e plazheve dhe parqeve natyrore dhe kanë eksperiencë shumëvjeçare në këtë drejtim. Prej disa javësh ky korpus vullnetarësh ka filluar aksionet për të pastruar plazhet në vendin tonë dhe sezoni turistik e gjeti vendin tonë, me plazhe të gatshme më të pastra. 

Ndërkohë sot kemi ardhur një nga parqet natyrore më të bukur dhe vizituar të vendit tonë siç është, Parku Kombëtar i Llogarasë, ku duam të japim një mesazh të fortë si për publikun dhe për Bashkitë, që atraksionet tona turistike kanë nevojë jo vetëm të promovohen por edhe të mirëmbahen. Pastërtia është një treguesit kryesore të mirëmbajtjes së destinacionit turistik. Prandaj dua ti bëj thirrje gjithë qytetarëve që përdorin këto atraksione por dhe Bashkive që të kenë vemendjen ndaj pastërtisë dhe të punojnë shumë për të patur një sezon turistik të shëndetshëm dhe shumë mikpritës për të gjithë ata që janë turistë, vendas apo të huaj."