Postuar më: 12 Prill 2017

Ekonomi: Inovacioni, i lidhur fort me zhvillimin e qëndrueshëm

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi mori pjesë sot në konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Inovacioni dhe Zhvillimi i qëndrueshëm” organizuar nga Kolegji Universitar Luarasi.  Shqipëria ende renditet në nivele të ulëta globale përsa i përket klasifikimeve në fushën e inovacionit, ndaj nevojitet që të punohet shumë për të përqafuar gjithë zhvillimet teknologjike, në mënyrë që vendi ynë të shndërrohet nga një treg konkurent për krahun e lirë të punës, në një treg konkurent për teknologjinë ‘smart’.

Ministrja Ekonomi duke marrë fjalën në këtë konferencë tha se inovacioni është pjesë e zhvillimit të qendrueshëm ekonomik, dhe synimi i Ministrisë së Ekonomisë është të nxisë politika që të përdorë dijen dhe zhvillimin e inovacionit në fushën e prodhimit. Ministrja tha se pikërisht në ato ndërmarrje ku është përdorur inovacion, rritja e të ardhurave të asaj sipërmarrje ka qenë e qëndrueshme nga viti në vit.

Ekonomi më tej duke kujtuar se në Shqipëri janë 152 000 ndërmarrje aktive në Shqipëri, shumica e të cilave të vogla e të mesme me 1-4 punonjës, tha se inovacioni duhet t’i shkojë përshtat këtij lloj biznesi.

Ministrja Ekonomi përmendi fondet e AIDA, si një mundësi e shkëlqyer për të çuar përpara një ide inovative. Ajo përmendi dhe studimin e fundit të  paraqitur në mbledhjen e radhës së Këshillit të Investimeve ku rezulton se Shqipëria ka 40%  kapacitete pune për shërbime të kontraktuara ‘outsource’ si Finance, IT etj dhe këto duhet të shfrytëzohen. Në fund, Ministrja përmendi sektorin e markave dhe patentave që shume shpejt do kthehet në agjenci, duke shtuar se janë rreth 7000 marka e patenta shqiptare të regjistruara deri më sot, çka tregon se sipërmarrjet po ndërjegjësohen për të mbrojtur biznesin, markën apo patentën për produktet e tyre inovative.

Ekonomi ftoi të rinjtë të prodhojnë ide inovative në ndihmë të biznesit, sepse çdo ide e mirë, padiskutim e gjen rrugën për t’u financuar dhe për t’u vënë në zbatim.

Rektori i Universitetit Luarasi, z Arben Malaj përmendi disa shifra që tregojnë se ku është Shqipëria në raport me vendet e tjera në fushën e inovacionit. Kështu sipas Global Talent Competitiveness Index 2017 Shqipëria renditet në vendin e 80 nga 118 duke u përmirësuar me 5 pozicione nga viti i kaluar. Ndërsa për Vocational and Techincal Skills ndodhet në vendin e 70 nga 118 duke u përmirësuar 6 pozicione në krahasim me një vit më parë. Në ‘Talent Impact’ pozicionohemi në vendin e 112 nga 118, një pozicion ky jo i mirë. Ai theksoi se Zvicra apo Singapori që janë në nivelet më të larta në këtë sektor, e kanë kryesisht këtë renditje të mirë prej talenteve në radhet e emigrantëve dhe jo të vendasve. Shqiptarët kanë shumë potencial për të  përqafuar më shpejt ndryshimet teknologjike në botë.

 

Fjala e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi:

Dua të ndaj me ju një informacion të rëndësishëm që besoj se ju si anëtarë të botës akademike, tashmë jeni informuar mbi zhvillimet për vendin. Është e rëndësishme të dimë se rritja ekonomike e Shqipërisë në këto vite ka qenë një rritje e qëndrueshme dhe ka treguar që, duke ndërmarrë disa reforma në sektorët kyçë të vendit, sot të kemi një rritje ekonomike 3.46 për qind, me një vlerë të PBB prej më shumë se 1 500 miliardë lekë. Ndërkohë përpiqemi të ulim pabarazinë midis familjeve të pasura dhe të varfra, duke venë në përdorim skema të rishpërndarjes në favor të familjeve që kanë shumë të ardhura dhe atyre që kanë më pak. Të gjitha reformat synojnë të lehtësojnë një treg punësimi, i cili të jetë më joshës për individët.

Natyrisht që punësimi vjen nëpërmjet dy burimeve kryesore. Burimi i parë është punësimi individual dhe burimi i dytë është punësimi që mund të bëhet pranë ndërmarrjeve që mund të kenë pronësi shtetërore apo private.

Kur flasim për inovacionin, duhet të kemi parasysh që një pjesë e tij është inovacioni që ju merrni si pjesë e dijes, dhe Prof. Malaj ju shpjegoi shumë mirë për këtë gjë, se çfarë bën Universiteti për t’ju shtuar pjesën e dijes përkundrejt inovacionit. Ndërkohë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është përgjegjëse për të përdorur dijen e marrë nga Universiteti në fushën e prodhimit. Në fakt, ajo që ne quajmë inovacion është diçka që lidhet me përdorimin dhe vënien në punë të një ideje, të një metodë apo të një mjeti, dhe ka shumë shembuj inovacioni që nuk janë vetëm teknologjik, por i shërbejnë rritjes së produktivitetit në vendin tonë.

Duke folur për rritjen ekonomike, produktivitetin dhe inovacionin dua të ndalem në një faktor të rëndësishëm që është rritja e eksporteve në Shqipëri. Një prej elementëve që ka shtuar eksportet në Shqipëri është padyshim prodhimi fason. Ministria e Ekonomisë ka tre vjet që ka hartuar një paketë mbështetëse për prodhimin fason në vend, duke lehtësuar disa hapa që lidhen me procedurat tarifore me vlerë apo të procedurave administrative. Ndërkohë që barrierat janë lehtësuar në disa biznese fason është mundësuar prezenca e ideve inovative. Ka biznese që kanë një treg të sigurt në perëndim, por shpejtësia me të cilën ato duhet të prokurojnë kërkesën, të implementojnë kërkesën dhe pastaj duhet ta bëjnë cargon, varet shumë nga mjetet e vogla inovative që një biznes fut një përdorim. Sot në Shqipëri ka shembuj të tillë ku një mjet i ri inovativ, mënyra se si përmirësohen proceset e punës rrit eksportin, ose prodhimin falë prezencës së inovacioneve teknologjive. Personalisht kam vizituar një biznes fason që ushtron aktivitetin ekonomik në Shijak dhe ka një treg të siguruar në Gjermani. Eksperienca e bashkëpunimit austriak solli tek ata një prezencë jo vetëm ndërkombëtare, por mundësoi një inovacion mbi procesin e prodhimit brenda ndërmarrjes. Ndryshimet inovative dukeshin shumë të thjeshta por në fakt biznesit i kanë sjellë një produktivitet shumë të lartë dhe falë këtij inovacioni rritja e eksportit të tyre ka qenë 2 për qind, nga njëri vit në tjetrin dhe kjo është një ngjarje e mirë për një kompani.

Por a kanë mundësi ndërmarrjet të mbështeten nga gjetjet e tyre inovative? A kanë ato mundësi të ndjekin modele inovative, a kanë mjaftueshëm para për të bërë këtë gjë?

Në Shqipëri ne kemi rreth 152 mijë ndërmarrje aktive.  Pjesa më e madhe e tyre, rreth 95 %, janë ndërmarrje që kanë 1 deri në 4 punonjës. Ju e kuptoni që shumica janë ndërmarrje të vogla dhe inovacioni për metodat apo të tjera ide duhet të jetë një inovacion që i shkon për shtat madhësisë që ka ndërmarrja. Prandaj, tek AIDA, që është Agjencia Shqiptare e Investimeve të Huaja, janë krijuar disa fonde që mbështesin ndërmarrjet. Fondet kanë të bëjnë kryesisht me rritjen e konkurrueshmërisë, rritjen e kreativitetit, krijimin e start up-eve dhe thithjen e ideve që vijnë nga Universiteti dhe shkojnë drejt prodhimit. Ka disa shembuj shumë të suksesshëm ku përdoren pikërisht këto dije. Unë nuk e di se sa ju si studente keni parë se si operojnë miqtë tuaj që përfundojnë Universitetin dhe kanë dalë në tregun e punës, por në Ministrinë e Ekonomisë janë mbështetur me fonde start up disa kompani që ushtrojnë aktivitet në fushën e IT. Ju mund ta keni dëgjuar për Pomodoro-n, e cila është një kompani biznesi që shpërndan pica, por ideja është inovative. Ka vetëm një website ku ju zgjidhni picën tuaj, sipas një aplikacioni të krijuar, shtoni përbërësit sipas dëshirës dhe porosia ju vjen në adresën që e kërkoni. Kjo psh, është një ide inovative e mbështetur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Gjithashtu, ka ide të tjera inovative që lidhen me kreativitetin dhe kreativiteti ka nevojë që të vendosësh në proces pune disa ide që mund të kenë qenë të fjetura diku këtu, por kanë nevojë të marrin një formë, kanë nevojë që të marrin jetë në një ambient të caktuar prodhimi. Me kreativitetin lidhen edhe disa produkte që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe me zhvillimin e qëndrueshëm dhe kryesisht ato që lidhen me riciklimet. Ka aktivitete që kanë të bëjnë me riciklimet, të cilat vijnë nga sektori i tekstileve apo nga sektori i letrës, që në fakt kanë qenë start up-e të mirëfillta, ku një ide inovative ka zënë vend dhe është mbështetur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes falë fondebe të Start Up.

Këto janë info mbi fondet dhe mënyrën si të aplikoni për to janë të gjitha të disponueshme në platformat online që ka AIDA.

Por ndërkohë, ju që jeni studentë dhe pedagogë, duhet të keni parasysh që Shqipëria është gjithashtu pjesë e forumeve  ose platformave ndërkombëtare ku kërkon mbështetje për inovacion dhe teknologji. Jo rastësisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes paguan një “kuotë ” në një projekt komunitar që quhet COSME. Ne paguajmë një “fee” që është 60 mijë euro në vit dhe qëllimi i pagesës lidhet me sjelljen në jetë të ideve inovative që vijnë nga biznesi. Praktikisht, Shqipëria sot arrin të përdorë vetëm 15 % të këtij 60 mijë euro që vë në dispozicion, por fondi është i tillë që, në qoftë se ke ide inovatore, mund të marrësh dhe pesë herë më shumë nga kjo “fee” që paguan Shqipëria.

Prandaj, idetë inovatore duhet të vijnë nga Universiteti, dhe kanë nevojë të lidhen me aktivitetin  prodhues. Për të bërë këtë gjë, është e rëndësishme t’ju sjell në vëmendje edhe një fakt tjetër, që është ekzistenca e Këshillit të Investimeve. Këshilli i Investimeve është një platformë që lejon komunikimin qeveri-biznes. Aty ngrihen disa probleme që janë shumë të rëndësishme për biznesin. Tema e fundit që u diskutua kishte të bënte me disponibilitetin e fuqisë punëtore në sektorët e nënkontraktuar. Studimin e bëri një grup me eksperiencë shumë të madhe, i cili vinte nga India. Studimi u mundësua nga Kooperacioni Zviceran. Ajo që doli në pah, në rastin e Shqipërisë është se, Shqipëria ka akoma mundësi që fuqinë punëtore ta fusë në sektorët e nënkontraktuar, si janë për shembull shërbimet financiare që mund të bëhen online, regjistrimi i blerjeve online, regjistrimet e kartelave online. Mundësia e Shqipërisë për të sjell punësim në këto sektorë mund të zgjerohej edhe me 40 për qind më shumë..

Një tjetër element shumë i rëndësishëm që duhet ndarë me studentët është ekzistenca e një programi që quhet Triple Helix. Qeveria ka bërë të mundur krijimin e një plani masash për të zbatuar Triple Helix, i cili është një mundësi komunikimi mes akademisë, bankës dhe sipërmarrjes dhe herë pas here njëri nga këta aktorë merr peshën më të madhe. Por kjo ka të bëjë me një “ide”. Nëse një akademik ka një ide, qeveria të mbështet me një program financimi pilot nga fondet e  AIDA, dhe që ta zbatohet idea gjërësisht në prodhim lëhtësohët marrja e një kredie nga banakt, për të cilën është vënë në disopozicion një fond garancie. Mirëpo, fatkeqësisht, gjithë zëri i shpenzimeve që ka vënë në dispozicion qeveria për Triple Helix është gati zero i harxhuar sepse idetë nga akademia nuk kanë ardhur ende. Mendoj se nuk është mos njohja e këtij programi, pasi janë bërë vazhdimisht takime, por ndërkohë ajo që mund të kërkohet është asistenca teknike e orientuar drejt kuptimit të këtyre fondeve dhe përdorimit të këtyre fondeve.

Përveç instrumenteve që unë përmenda, kemi zhvilluar dhe një instrument të ri që lidhet me nevojën që ka tregu shqiptar për të bërë disa analiza të dijeve që vijnë nga universiteti dhe për të orientuar ciklin e prodhimit. Për këtë arsye, Këshilli i Investimeve ka filluar të nënshkruajë disa memorandume bashkëpunimi me universitetet. I pari është nënshkruar me Epoka University, së shpejti dhe universiteti juaj do të ketë një memorandum bashkëpunimi në Këshillin e Investimeve për të bërë studime në fusha të specializuara për të cilat kemi nevojë. Besoj se renditja e Shqipërisë në këto nivele për të cilat profesor Malaj ju informoi duhet të lidhet dhe me disa indikatorë të tjerë që kanë të bëjnë me klimën e biznesit dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë e cila, në të vërtetë, në përgjithësi ka bërë progres, edhe pse ka nevojë për më shumë progres, për më shumë vëmendje të përqendruar drejt sektorëve që na mundësojnë të jemi kompetitiv në tregjet kombëtare. Por, ajo që ka nevojë më shumë Shqipëria është që të mbledhë ide. Nëse vijnë ide të mira, gjendet gjithmonë një mundësi për ta zbatuar atë, por gjithashtu nuk duhet hequr dorë nga implementimi i idesë së mirë. Ju falënderoj për mundësinë që më dhatë për të ndarë me ju çka ndodh në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për të zhvilluar inovacionin dhe për të mundësuar idetë që të bëhen pjesë e sipërmarrjes.

Faleminderit!