Postuar më: 21 Korrik 2017

Ekonomi: Festivali Butrinti 2000, një event i rëndësishëm kulturor e turistik

Ministrja e zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi mori pjesë në natën përmbyllëse të edicionit të 15 të Festivalit Ndërkombëtar Teatror ‘Butrinti 2000’, i cili u zhvillua për një javë rresht në Butrint nga 13-19 korrik 2017. Në natën finale performoi trupa e Teatrit Kombëtar të Kinës, pjesëmarrëse për herë të parë në këtë Festival.  E pranishme ishte dhe kryetarja e Bashkisë Sarandë, znj Floriana Koka.

Ministrja Ekonomi mbajti një fjalë ku falenderoi organizatorët si dhe sponsorët e këtij festivali që vazhdojnë të mbështesin një event të tillë dinjitoz dhe me vlera kulturore jo vetëm për Sarandën por për gjithë Shqipërinë.

Fjala e plotë e Ministres Ekonomi në hapjen e natës së fundit të Festivalit ‘Butrinti 2000’:

Teksa afroheshim amfiteatrit  së bashku me kryetaren e Bashkisë Sarandë, Znj. Floriana Koka vumë se sa shumë shumë njerëz vazhdonin të vinin akoma këtu, gjë që tregon se ky nuk ishte event i një nate,  por eventi kryesor i kësaj jave  në Sarandë. Ndaj dëshiroj të falenderoj shumë Z. Alfred Bualoti, drejtorin e këtij festivali për organizimin e përvitshëm. Besoj se Saranda është bërë dhe më e bukur me prezencën e këtij festivali. Një event i këtyre përmasave tregon se kur ka vullnet të mire dhe këmbëngulje arrihen punë të mira.

Ju e dini se ky festival kremton 15 vjetorin e tij dhe kjo është një ngjarje e veçantë. Veçantia qëndron në faktin se zhvillohet në Butrint, një vend me një histori shumë të vjetër që fillon që nga shekulli i 3 para erës tonë.  Për ata që punojnë në sektorin e turizmit vënë re me kënaqësi që Butrinti është një atraksion i cili nga viti në vit sjell gjithnjë e më shumë vizitorë, jo vetëm për Sarandën por dhe për gjithë Shqipërinë.

Me kënaqësi mund të ndaj një shifër me ju; këto javët e fundit  vizitorët mesatarë ditorë kanë qenë 2 200 persona në Butrint, parku ka patur një ngarkesë të madhe turistike.

Nëpermjet promovimit të turizmit  arrijmë të promovojmë dhe disa vlera të mira tonat,  një prej të cilave  është miqësia e mire. Ndaj fakti që kemi sot një trupë kineze që luan në skenë, është padyshim një nga ato ngjarje që vite më pare kemi dashur ta përcjellim me emocion.

Shfaqjet që janë dhënë këtu, kanë qenë në gjuhë të ndryshme, por njerëzit e kuptojnë shumë mirë gjuhën e artit dhe aktorëve. Kjo është edhe merita e organizatorëve.  Ndaj ju uroj shumë gëzim në orët që do vijnë dhe përgëzoj trupën e teatrit kinez që do të vijë tani. Një nderim i veçantë shkon për gjithë sponsorët tuaj. Dua të falenderoj kryesisht Ministrinë e Kulturës që s’ka hequr asnjëherë dorë së mbështeturi këtë aktivitet tuajin.  Ministri e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes japim një mbështetje modeste nëpërmjet  Agjencia Kombëtare e Turizmit, është shumë krenare që është bashkëudhëtare me ju në këtë festival.  Po një meritw vecantë i shkon edhe Ambasadës Kineze që mundësoi ardhjen e trupës së teatrit kombëtar kinez në Butrintin tonë të dashur.‎

Ju faleminderit dhe shikim të këndshëm!