Postuar më: 10 Qershor 2017

Ekonomi: Bimët Medicinale‎, rol të madh në eksportet shqiptare

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi, mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare Shqiptare të Bimëve Medicinale dhe Aromatike të zhvilluar në Hotel Tirana. Të pranishëm ishin kompanitë kryesorë të sektorit që përbëjnë rreth 85 % të forcës grumbulluese, përpunuese, eskportuese të bimëve medicinale në vend. Eksportet e këtij sektori llogariten në 40 mln dollare në vit dhe rreth 90 mijë vetë janë të punësuar. Të punësuarit janë kryesisht në zonat rurale, dhe kjo industri ka një efekt të madh në zbutjen e varfërisë në këto zona. Qëllimi i kësaj konference është që e gjithë kjo industri të flasë në një zë, të rrisin bashkëpunimin mes tyre, të rrisin cilësinë, dhe vendet e punës.

Në fjalën e saj Ministrja Ekonomi theksoi se ky sektor prodhon 47 përqind të bimëve medicinale e aromatike në Ballkan dhe punëson direkt dhe indirekt shtresën më të varfër të popullsisë. Ajo foli për ndihmën me fonde mbështetëse që Ministria e Ekonomisë i ka dhënë këtij sektori, ku dy vitet e fundit, katër biznese kanë fituar fondin e konkurueshmërisë dhe dy biznese fondin start-up. Ajo tha se në qeverisjen e ardhshme kjo mbështetje do të vazhdojë. Ndërsa z Filip Gjoka, kreu i shoqatës së bimëve mjekësore e medicinale, tha se klima e biznesit është më e konsoliduar se asnjëherë. Ai theksoi se paketat fiskale të miratuara kanë sjellë shumë lehtësira. Pasi falenderoi Ministren për punën dhe ndihmën e  madhe në këtë sektor ai shprehu besimin se në të ardhmen do të bëhet  më shumë.

 

Fjala e plotë e Ministres Ekonomi:

 

Faleminderit shumë të gjithëve. Faleminderit z Filipi që më bëtë pjesë të këtij takimi.

Në fakt, unë e kam njohur sektorin tuaj më mirë falë disa bashkëpunimeve që kemi bërë muajt e fundit, të cilat kishin të bënin me mundësinë e mbështetjes së këtij sektori me fonde që Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes jep për të mbështetur sipërmarrjen.

Nga të gjithë eksportuesit e sektorit tuaj, janë mbështetur katër prej tyre në vitet 2014-2016, me fondin e konkurueshmërisë, me një shumë prej 5.4 mln lekë. Ky fond ka bërë të mundur që bizneset të marrin e përfitojnë çertifikata dhe standarde që produkti të shkojë më lehtë për eskport. Nga sektori juaj janë mbështetur edhe dy biznese me fond start- up për ta bërë produktin më të mire e inovativ, me një shumë prej 600 mijë lekë.

E gjitha kjo u bë pasi sektori kishte nevojë të përhapej përveç Gjermanisë dhe Shba-së, edhe në tregje të tjera globale e europiane,siç është tregu i Kinës apo i vendeve të Mesdheut.

Jo vetēm u mbështet financiarisht sektori, por gjatë këtyre viteve u dhamë mundësinë që produktet e kësaj industrie të shkonin në panaire ndërkombëtare siç ishte panairi i Nigbos vitin e shkuar dhe këtë vit.

Megjithatë, kur sheh se si sektori përpunon dhe eksporton, kemi nevojë të mendojmë dhe ndërhyrjet që duhet të bëjmë në këtë sektor.

Sektori i bimëve medicinale dhe aromatike, i cili sot është mbledhur për të thënë që duhet të klasifikohet më shumë si një industri përpunuese se sa produkt bujqësor, ka nevojë të ndajë mirë rolin që do të ketë secili aktor i sektorit në proces: grumbulluesit që përfaqësohen  nga familje fshatare  që vijnë nga zona që nuk janë shumë të zhvilluara ekonomikisht, por kanë fatin e madh të jenë pranë pasurive natyrore të Shqipërisë prodhimi i të cilave, në tregun ballkanik përfaqëson  47 përqind të kësaj pasurie, ndaj  dhe duhen trajnuar se si të mbledhin për të shtuar vlerën e produktit: kemi grumbulluesit e mesëm dhe të mëdhenj që bëjnë edhe përpunimin e bimëve. Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që produkti i mbledhur  të grumbullohet në hapësira më të mëdha dhe qeveria në këto vite ka dhënë mundësi mbështetje për ata që krijojne magazina grumbullimi dhe kjo mbështetje do vazhdojë edhe në 4 vitet e ardhshme. Ju e dini që ne kemi një program për vënien në përdorim të pronës shtetërore nëpërmjet kontratave simbolike 1 euro dhe ka pasur iniciativa të guximshme nga sipërmarrja për këto lloj aktivitetesh ekonomike.

Për përpunuesit e mëdhenj të këtij sektori që prodhojnë vajra dhe ekstrakte të ndryshme do të ketë mbështetje në vazhdim përsa i perket çertifikimit të produktit dhe gjetjeve të tregjeve të eksportit.

Në programin e ri qeverisës ne kemi një paketë mbështetëse për bujqësine. Në këtë paketë ne kemi planifikuar mbështetje me rreth 232 mln lekë dhe nga këto rreth 100 mln janë për rrugët dytësore në fshatra. Dhe  besoj që ky është një lajm i mirë që do lehtësoje grumbulluesit e produkteve për transportin nga zonat pyjore drejt qendrave grumbulluese të mesme apo edhe  drejt industrisë së përpunimit.

Sektori juaj ka qenë një ndihmë për eksportet në ekonominë shqiptare. Z Filipi dha  shifrat e publikuara nga drejtoria e doganave për rreth 40 mln dollarë në vit. Por numri 90 mijë të punësuar besoj se nuk është vetëm punësimi direkt nga ndërmarrjet e industrisë grumbulluese dhe përpunuese por dhe punësim indirekt i fshatarëve të përfshirë në këtë proces. Theksoj se ky sektor ka nevojë për vëmendje e mbështetje për të hapur tregje të reja për eksportimin e këtyre produkteve.

Ju uroj punë të mbarë në konferencën tuaj dhe jam e sigurtë që do nxirrni rekomandime të vlefshme jo vetëm për të gjithë aktorët e këtij sektori por edhe për të vendosur një komunikim më bashkëpunues me Qeverinë. Faleminderit!