Postuar më: 14 Korrik 2016

Të ndiqet shembulli kompanive të mëdha në përgjegjësinë sociale

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) publikoi botimin e titulluar “Raporti CRS 2015- Bankat për Shoqërinë që paraqet veprimtarinë e bankave në kuadrin e Përgjegjësisë Sociale të Korporatave sipas 17 Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Kombet e Bashkuara.

Fjala e plotë e ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi në promovimin e raportit të Përgjegjësisë Sociale Koorporative

Mirëmbrëma të gjithëve,

Faleminderit për ftesën që më keni bërë në promovimin e raportit tuaj shumë të rëndësishëm, i cili tregon se si ka zënë vend kjo filozofi në Shqipëri.

Më kujtohet viti 2005 tek mbaja radhën në një bankë dhe prisja të më shërbenin në një sportel, shihja posterat e vendosura në muret e bankës ku në njërin prej tyre ishin renditur 10 principet e përgjegjësisë sociale koorporative të bankës. Që nga ajo kohë, kam kuptuar se e gjithë kjo filozofi e cila erdhi si një bashkëveprim midis një biznesi të mirë organizuar dhe komunitetit, eshte zhvilluar me tej falë edhe vëmendjes që kanë dhënë iniciativat globale të Kombeve të Bashkuara.

Dëshiroj të ndalem në një moment tjetër shumë të rëndësishëm. Bizneset tona, sidomos ato që njihen si biznese të mëdha përsa i takon xhiros dhe numrit të të punësuarve, ndërtojnë një kod etik të sjelljes së biznesit. Ky kod etik bëhet ndonjëherë edhe pjesë e përgjegjësisë sociale koorporative që ato kanë përkundrejt komuniteteve qofshin edhe komunitete të ndërmarrjeve të vogla. Dhe meqënëse bizneset e vogla zënë rreth 95 për qind të numrit total të bizneseve, këta të fundit kanë nevojë edhe për shembuj pionier për të ndërtuar kodin e tyre të etikës dhe të përgjegjësisë sociale me komunitetin.

Unë besoj se në momentin që CRS mbështet filozofinë e punës tek objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, e bëjnë edhe më të lehtë kuptimin që mund të marrë sjellja sociale e biznesit në përgjithësi dhe lehtëson të kuptuarit e përgjegjësisë sociale të koorporatës edhe nga komunitetet e margjinalizuara.  

Për t’i ardhur në ndihmë gjithë kësaj filozofie të re, të qenurit të përgjegjshëm në biznes, por edhe  në shoqëri, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka ndihmuar të zhvillohet një plan veprimi. Plan veprimi i cili përfshin periudhën 2016- 2020 lidhet me axhendën e zhvillimit të qëndrueshëm, por dhe me sjelljen e bizneseve të mëdha ndaj përgjegjësisë sociale që ato marrin. Ky plan veprimi i cili ka shtatë shtylla kryesore operimi ndihmon pikërisht këtë sjellje. Ai nuk është një plan i detyrueshëm për ta përqafuar biznesin, por është një plan i cili orienton biznesin si të veprojë në këtë drejtim. Në këtë plan ne çmojmë shumë përfshirjen e medias, e cila luan një rol shumë të rëndësishëm në promovimin e këtyre vlerave, por edhe në çuarjen afër komunitetit të aksioneve që ndërmerr biznesi  për t’i shërbyer shoqërisë. Vazhdimi i mbështetjes për një Shqipëri pa varfëri, për një Shqipëri e cila përqafon teknikat inovative, për një Shqipëri që nxit zhvillimin e energjisë, për një Shqipëri që promovon transportin e mençur, sigurisht që çdo projekt do të jetë gjithmonë i mirëpritur edhe nga MZHETTS.

Uroj që ky network i kompanive të mëdha të cilat marrin përsipër që përgjegjësia sociale koorporative të rritet dhe të behet edhe më e prekshme nga komuniteti, të jetë po kaq i suksesshëm sa ka qenë deri tani, dhe që ne të kemi rastin të lexojmë sërish me kërshëri raportin e radhës në kohën e prezantimit. Edhe sërish të shikojmë me shumë dashuri që ky lloj suporti shkon tek grupet e vogla të cilat kanë nevojë për mbështetje të formave të ndryshme, duke bërë kështu të mundur demokratizimin e jetës së shqiptarëve kudo që janë.

Uroj ta gëzojmë të gjithë së bashku përpjekjen që keni bërë dhe faleminderit shumë për mos heqjen dorë asnjëherë nga kjo sipërmarrje.