Postuar më: 24 Qershor 2016

Mikrofinanca shqiptare e rëndësishme. Portofoli i saj 110 milionë euro

 

Qendra Europiane e Mikrofinancës (Organizmi më i madh i mikrofinancës në Europë) zhvilloi punimet e Asamblesë së saj të Përgjithshme vjetore 2016 duke mbledhur në Tiranë krerët më të rëndësishëm të mikrofinancës në Europë. Kjo është hera e parë që të gjithë krerët më të lartë të Mikrofinancës Europiane mblidhen në Shqipëri. Aktiviteti u organizua nga Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës.

E  pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, Ministri Bujqësisë Edmond Pasnariti, Presidenti i Qendrës Europiane e Mikrofinancës, z.Grzegorz Galusek si dhe përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, institucioneve financiare vendase dhe ndërkombëtare, rreth 400 përfaqësues nga 104 Fonde, Institucione Financiare dhe Banka nga 32 shtete europiane etj. 

Ministrja Milva Ekonomi, vlerësoi nismën e ndërmarrë nga Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës dhe rëndësinë e një aktiviteti të tillë, i cili e kthen Shqipërinë në “kryeqytetin Europian të Mikrofinancës”. Duke shprehur mbështetjen e qeverisë, ministrja Ekonomi u ndal tek rëndësia e mikrofinancës në ekonominë shqiptare duke thënë se përfaqëson një portofol prej 110 milionë eurosh.

 

Fjala përshëndëtëse e Ministres Milva Ekonomi në Asamblesë e Përgjithshme vjetore 2016 për Mikrofinancën.

Mirëmëngjes  të gjithëve 

E nderuar Znj. Ann Branch 

I nderuar Z. Uwe Schober

Shqipëria është një vend që e mirëpret  konferencën vjetore te microfinancës europiane, pasi historia e mikrofinancës për të është një histori e gjatë dhe sepse organizatat e mikrofinancës kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm gjatë këtyre 22 viteve për të zbutur varfërinë dhe  nxitur e mbështetur biznesin e vogël.

Personalisht kam një histori të lidhur me institucionet e mikrofinancës, kam qenë që në fillimet e krijimit të Fondacionit Besa, duke besuar se historia e mikrofinancës në Shqipëri do të shndërrohej në një instrument i cila do të ndihmonte shumë në zbutjen e varfërisë.

Fondacioni Besa dhe Unioni Shqiptar i kursim kreditit, i cili sot është fondacioni që ndihmon zhvillimin e sektorit  agrobujqësor në vend, kanë qenë  padyshim instrumente shumë të rëndësishëm për të zbutur varfërinë.

Këto institucione të mikrofinances, ashtu si i rekomandon edhe literatura ndërkombëtare lehtësuan aksesin ne finance për ndërmarrjet e vogla dhe individët, duke u  konsideruar edhe  si instrumente që mundësojnë zhvillimin.

Ndonjëherë, ndërmarrjet e vogla dhe individët kanë nevojë që të kenë më shumë informacion për mënyrën se si funksionon sistemi i kreditimit, si funksionon sistemi i mikrofinancës dhe si mund të zhvillohen ato në ndërmarrjet e tyre.

Për këtë arsye, institucionet e mikrofinancës në Shqipëri kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm; jo vetëm që kanë pasur aftësi për të dhënë kredi, por kanë pasur dhe aftësi për të përcjellë dije për sipërmarrjen tek këto aktivitete, sidomos në zonat rurale.

Ajo çfarë kemi vënë re në këto 22 vite funksionimi është se, mikrofinanca në Shqipëri përfaqëson rreth 60 mijë sipërmarrës, familje ose fermerë,  dhe fondet që ato kanë arritur të përfitojnë kanë qenë rreth 110 milionë euro.

Mikrofinanca në Shqipëri është një iniciativë që nisi që nga viti 1992, si iniciativë e qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.

Në rrugën e vet të zhvillimit, duke pasur edhe këtë rritje të portofolit, u kuptua që, nëse këto institucione punojnë në mënyrë të pavarur, suksesi dhe performanca e tyre do të ishte më e lartë. Kjo ishte një nga arsyet pse institucionet u bënë të shkëputura nga programi qeveritar dhe funksionuan si institucione të pavarura, duke dhënë kështu një model tjetër, përveç fondacionit Besa dhe Shoqatës të kursim kreditit,  që të funksiononin edhe si shembuj për të sjellë të tjera programe të mikrofinancës në Shqipëri.

Në të vërtetë, mikrofinanca në Shqipëri është bërë burim për modele projektesh që mund t’i drejtoje sot edhe vetë  institucioni qeveritar. Aktualisht në Shqipëri kemi një institucion, i cili mundëson dhënien e kredive të vogla, lehtësuese, dhe mundëson gjithashtu edhe  dhënien e granteve, për projekte që vijnë nga sipërmarrja, kur këto projekte kanë të bëjnë me zonat teknologjike, kanë të bëjnë me start up-et, me kreativitetin, por edhe në ndihmë të grave në fushën e sipërmarrjes. Ky institucion është AIDA. 

Padyshim që sektori bujqësor zë një pjesë shumë të rëndësishme në këtë paketë të mikrofinancës dhe, në këto vite qeverisëse jemi përkushtuar në disa incentiva  të rëndësishme të këtij sektori, që mund të sjellin zhvillim dhe rritje në ekonominë shqiptare.

Ekonomia shqiptare ka pësuar një transformim në këto tre vjet dhe ka treguar se arrin të jetë një ekonomi me rritje të qëndrueshme, ka gjetur të tjerë shtytës të zhvillimit, siç është sektori i turizmit, i bujqësisë dhe i agropërpunimit.

Për këtë arsye, vëmendja qeveritare lidhur me programet e mikrokredisë shqiptare do të  kërkonte mbështetje për bizneset ekzistuese ose iniciativat e reja të përqendruara në këta sektorë.

Mendoj se, me eksperiencën fantastike të institucioneve të mikrokredisë në Shqipëri, është dhënë një shembull i mirë se si mund të performojnë më mirë institucionet qeveritare.

Në fushën e bujqësisë, ku  eksperiencat e mikrofinances kanë luajtur një rol të rëndësishëm, Ministri i Bujqësisë, z. Panariti mund të shtojë plot elementë suksesi dhe arritjesh, për ato zona ku është zbutur varfëria dhe ku sipërmarrja shqiptare është bërë pjesë e tregjeve rajonale, por dhe më gjerë se sa kaq, duke synuar eksportimin e produkteve edhe tej se sa në vendet e Ballkanit.

Unë ju uroj shumë që ju të gëzoni Shqipërinë në këto dy ditë, sepse vetëm lajmi që ju jeni prezent është një lajm i rëndësishëm. Shpresoj të gëzoni edhe Tiranën, pasi është një qytet i bukur dhe të keni shumë shkëmbime idesh në konferencën tuaj të 19-të vjetore, duke shpresuar se të tjera arritje do të keni në sektorin tuaj të mikrofinancës.

Faleminderit për ftesën.