Postuar më: 23 Qershor 2016

Marrëveshje për tregtinë e lirë edhe në zona të tjera gjeografike

Mbledhja e Komisionit të Integrimit- Seancë dëgjimore me Ministren e MZHETTS

Fjala e Ministres Ekonomi:

Faleminderit shumë Zonja Bregu,

Në e pritëm me shumë kënaqësi ftesën që bëri komisioni i Integrimit, sepse edhe për ne ishte një ngjarje e rëndësishme që të shikonim ecurinë e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Në ministri jemi duke u bërë gati që, në datën 1 dhjetor, kur mbushen plot 10 vjet nga hyrja në fuqi e marrëveshjes tregtare të ndërmjetme, të kemi dhe një raport të punës për këto 10 vjet. Kështu që, në momentin që ju bëtë ftesën u ndjemë vërtet mirë dhe punuam për të kuptuar dhe më mirë se si duhet ta paraqisnim ne situatën e tregtisë me shkëmbimet tregtare me vendet e BE, por edhe më gjerë, ku kjo marrëveshje tregtare ka influencuar për përmirësimin e situatës së shkëmbimeve për Shqipërinë.

Komunikuam së bashku me zyrën e Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe me departamentin e ngarkuar në Ministri për të ndjekur këtë situatë dhe u përpoqëm që të shikonim të gjithë së bashku, se çfarë kishte ndodhur në situatën e shkëmbimeve tregtare me Bashkimin Europian.

Vumë re se, në këto pesë vitet e fundit, shkëmbimet tregtare me Bashkimin Europian janë rritur me një rritje mesatare për periudhën pesë vjeçare të eksporteve që shkon në 8.9 për qind, ndërkohë që po të vëmë re rritjen mesatare të importeve për këtë periudhë, kemi një rritje mesatare me luhatje, sidomos në vitin 2012-2013, që shkon në rreth 2.9 për qind. Gjatë kësaj periudhë edhe deficiti tregtar është përmirësuar me këto vende, duke shënuar një ulje mesatare vjetore me 0.5 për qind.

Bashkë me analizën e kësaj periudhe, ne u përpoqëm të shikonim edhe tremujorin e parë të vitit 2016, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015 dhe vumë re, që kemi një rritje totale të vëllimit tregtar, përsa i takon eksportit, në sasi dhe në vlerë, duhet të përmendet këtu fakti që edhe konjuktura e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka pasur një efekt të konsiderueshëm në madhësinë dhe vëllimin të eksporteve që kemi pasur. Kështu, nëse do të vëmë re rritjen e tremujorit të parë të eksporteve, ato në vlerë janë rritur rreth 6.1 për qind, por në sasi janë rritur 56 për qind, dhe kjo vjen në sajë të ndryshimeve që ka pasur konjuktura  ndërkombëtare e çmimeve, e cila në të vërtetë për sasinë e hidrokarbureve që ne kemi eksportuar ka një rritje në sasi prej 84 për qind, por në vlerë ka një rritje negative -12.5 për qind. Ulja e çmimeve në tregun ndërkombëtar ka treguar që çmimet mesatare të këtyre produkteve kanë rënë me gati -53 për qind.

Në vitin 2015, ne në fakt u përpoqëm të mendonim shumë seriozisht për diversifikimin e shportës së eksporteve, duke pasur parasysh pikërisht këtë situatë që vinte nga tregjet ndërkombëtare, ndaj dhe struktura e shportës së eksporteve për Shqipërinë, ka ndryshime, dhe ndryshimet pozitive që vijnë kryesisht nga futja në masën e produkteve që ne eksportojmë të disa grupeve të rëndësishme, siç është p.sh. grupi “tekstile dhe këpucë” që krahasuar me vitin 2013, masa që ato zënë në eksport u rrit me 50 për qind. Ndërsa, përsa i takon “Pijeve dhe ushqimeve”, kjo u rrit me 30 %.

Në të dyja rastet, kur bëjmë analizën, themi që situata në grupin e “Tekstileve dhe këpucëve” ka ardhur si rezultat i përdorimit të paketës fason, ndërsa për “Pijet dhe ushqimet” në fakt ka ardhur si rezultat i përmirësimit të produkteve bujqësore që ne kemi filluar të eksportojmë në vendet e CEFTA dhe kjo është falë MSA-së, sepse MSA ishte ajo që na dha ne mundësinë për tu futur në këto tregje, por falë edhe përpjekjes së vazhdueshme që është bërë për të përafruar legjislacionin tonë me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Siç e përmenda edhe në fillim, në këtë analizë ne përfshimë edhe Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, sepse kur shikonim situatën që vinte nga eksportet, kuptonim se padyshim që roli i bizneseve shqiptare ka një peshë të madhe në këtë sasi të rritur të eksporteve kundrejt vendeve të BE-së. Gjithashtu biznesi, në momentin që ne kemi bërë përpjekje për të përafruar legjislacionin, për ta bërë atë më të gatshëm për të lejuar eksportet e produkteve shqiptare në tregjet e vendeve të BE-së, ka rritur ndërgjegjësimin e vet për rëndësinë që merr përafrimin i legjislacionit. Në këtë drejtim edhe AIDA ka pasur një rol të rëndësishëm, duke i dhënë bizneseve një mundësi më shumë në formën e përdorimit të një fondi qeveritar, siç është Fondi i Konkurueshmërisë, në mënyrë që produktet e tyre të bëhen të gatshme për këtë treg ndërkombëtar.

Eksportet në zonën CEFTA u rritën me 12.3 % për vitin 2014 dhe 16.5 % për vitin 2015. Ndërkohë marrëveshja CEFTA, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë sepse në CEFTA, duke qenë se të gjithë vendet e rajonit ulen në tavolina pune të përbashkëta, sekretariatet punojnë në mënyrë intensive për të parë përputhshmërinë e ligjeve dhe të rregulloreve, kjo ka mundësuar që ekonomitë e vendeve të Ballkanit të fillojnë të kenë diversifikim, i cili e bën ekonominë e këtyre vendeve jo vetëm të qëndrueshme, por edhe gati të barabartë. Gjithashtu jep mundësi që edhe legjislacioni të ketë pothuajse të njëjtën shpejtësi në përafrim. Të gjithë këta faktorë kanë lejuar që ne të kemi këto rezultate. Ne ju kemi shpërndarë edhe një material, që ka punuar  ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, për t’ju treguar se si është gjendja e import-eksporteve me Bashkimin Europian dhe me Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu duam t’ju sjellim në vëmendje që aktualisht ka dhe një ndërgjegjësim të lartë nga bizneset shqiptare, për të hapur dhe më shumë tregje për eksportin e tyre. Kështu që, në Ministrinë e Ekonomisë është duke u punuar dhe për të parë mundësinë që marrëveshja e tregtisë së lirë të shkojë dhe në zona të tjera gjeografike. Për shembull, mundësia që ne të shtrihemi në Afrikën e Veriut vjen si një lloj presioni nga situatë gjeopolitike e sotme ku në këto vende materialet e ndërtimit dhe produktet që kanë origjinë nga bujqësia dhe blegtoria të kenë mundësi të shkojnë drejt tregjeve të tyre. Edhe për të diskutuar për këtë marrëveshje të tregtisë së lirë me këto zona, ne padyshim që po përdorim gjithë mundësitë që ofron legjislacioni i Bashkimit Europian, por dhe njohuritë e fituara nga procesi negociator dhe kemi krijuar kapacitetin e duhur teknik të stafit për të realizuar këtë gjë.

Kështu që, në analizë të fundit, mund të themi që situata jonë tregtare me vendet e Bashkimit Europian është me rritje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme, sepse ne momentin që ne konstatuam, se hidrokarburet dhe mineralet po lëviznin çmimet e tyre në tregun ndërkombëtar, u përpoqëm që gjatë vitit 2014-2015 të krijonim një shportë të tillë eksportuese, që të jepte mundësi dhe produkteve të tjera për të zënë peshë në eksport, në mënyrë që bilanci tregtar të mos influencohej për Shqipërinë.

Mbi investimet e huaja direkte

Ajo që dua t’ju sjellë në vëmendje për t’ju dhënë edhe një sqarim për situatën e investimeve të huaja direkte lidhet me metodologjinë, se si maten ato dhe se si ne i përdorim në tërësinë e vet të gjitha infot që vijnë nga burimet, e për të na informuar mbi gjendjen e investimeve të huaja direkte.

Në Shqipëri, ne përdorim tre burime informacioni: burimi i pare janë të dhënat zyrtare, që vijnë nga INSTAT dhe Banka e Shqipërisë, te cilët bëjnë krahasime në fund të vitit, për vitin që kaloi  për një periudhë 5- vjeçare, ose në bazë të nevojave për të bërë analizat përkatëse. Burimi i dytë është marrja e perceptimeve të biznesit që bëjnë dhomat e huaja përkatëse të tregtisë dhe industrisë që janë në Shqipëri si përshembull : Dhoma Gjermane, Dhoma Amerikane, Dhoma Shqiptare etj. Burimi i tretë, janë vëzhgimet që bëjnë organizatat ndërkombëtare për të kuptuar se si po shkon ecuria e frymës së investimeve të huaja, konkurueshmëria dhe efektiviteti i parave që hidhen në treg.

Në të treja këto burime informacioni në vëmë re një situatë të këtij lloji: Banka e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave, institucionet zyrtare që japin të dhëna tregojnë se, 2015-ta me 2014-ën ka një rritje të lehtë të fluksit të investimeve të huaja në Shqipëri, prej gati 1.5 %, ka një rritje të numrit të ndërmarrjeve me kapital të huaj gati 13% dhe ka një rritje të punësimit që vjen në këtë sektor falë dhe luftës që është bërë kundër informalitetit, ku janë regjistruar 33% punonjës më shumë në këto ndërmarrje. Ndërkohë po të shohim opinionet që vijnë nga Dhomat përkatëse si, Gjermane dhe ajo Amerikane në përgjithësi perceptohet se situata ekonomike e vendit është në rritje, por rritja ekonomike e vet ndërmarrjes nuk është aq pozitive. Ajo që vjen nga vëzhgimet që bëjnë organizatat ndërkombëtare sidomos OECD dhe Bashkimi Europian, e vendos Shqipërinë  në  “progres” në krahasim me rajonin në disa drejtime, me nivel mesatar në disa drejtime të tjera. Kryesisht indikatorët që janë në progres janë ato që kanë të bëjnë me nxitjen e investimeve të huaja në Shqipëri dhe kuadrin rregullator dhe legjislativ që kemi hartuar për to. Në matjen e konkurueshmërisë prej OECD, organizuar në pesë shtylla dhe 15 indikatorë, indikatori që ka të bëjë me kuadrin rregullator të nxitjes së investimeve të huaja, e veçonte Shqipërinë si një vend që ka bërë më shumë progres në rajon. Situata në Shqipëri prezantohet e tillë falë implementimit që ne po i bëjmë disa ligjeve të hartuar së fundmi, siç është Ligji i Investimeve Strategjike apo Ligji për Turizmin, të cilët nxisin më shumë investitorë të huaj të vijnë në ato zona që janë caktuar si zona prioritare të nxitjes ekonomikë për Shqipërinë në këtë periudhë.  Ndërkohë kemi edhe një situatë tjetër që vlen për tu përmendur siç është rregullimi që po i bëhet disa koncepteve të zonave ekonomike. Zonat ekonomike nuk janë një koncept i ri në Shqipëri, pasi ne kemi shumë vite që punojmë me zonat ekonomike. Këtë vit kemi futur një koncept të ri, rregulluar në Ligjin e Investimeve Strategjike ku themi se përveç një zone ekonomike do të jetë edhe një zonë teknologjike dhe aty ofrojmë disa incentiva. Në fakt për të punuar në një zonë me një dimension ekonomik edhe pse ne kemi bërë një përpjekje më pare, eksperiencat e sotme për të hartuar një model të këtij lloji nuk janë vetëm eksperienca të suksesshme të rajonit, por edhe pak më gjerë. Ne jemi ndihmuar duke parë eksperienca të vendeve të Amerikës Latine apo edhe të Azisë, të ndihmuar nga një grup teknicientësh që vjen nga Harvard School of Business. Por, pavarësisht kësaj, po punojmë që të marrë një frymë shqiptare dhe për këtë arsye po punojmë fort, që këto zona të kenë një procedurë që të jetë e arritshme për të gjithë. Pra, kudo që janë njerëzit, që kanë qëllim të investojnë ta shikojnë këtë zone, ndaj është krijuar një website i dedikuar dhe përveç kësaj po punojmë shumë fort me diplomacinë ekonomike. Çfarë dua të them më këtë?! Dua të them që në Ministrinë e Ekonomisë sot ne kemi një grup të vogël ekspertësh, jo më shumë se katër, të cilët janë duke trokitur derë më derë të ambasadave, kanë bërë takim derë më derë, deri tani me Ambasadën Kineze, Turke e ndërkohë që janë në plan për të bërë takimin me Ambasadën Çeke dhe me Ambasadën e Izraelit për të sensibilizuar atje atë pjesë të ambasadës që merret me biznesin dhe zonat ekonomike, që të sensibilizojnë për investimet drejtuar Shqipërisë të shkojë në këto rajoneve. Tani do t’ia dalim me sukses apo jo? Kjo është një sfidë që ne kemi përpara. Ne besojmë që me këtë mundësi rirregullimi që i kemi bërë një zone siç është zona e Spitallës e cila nuk është më e madhe, por është ndarë në tre pjesë të vogla, pra nuk është 500 hektarë, por është 200, 200 dhe 100 hektarë të kemi mundësi të tërheqim investitorë që do vijnë të investojnë në Shqipëri. Ka një interes në rritje për këtë zonë falë edhe bashkëpunimit që kemi patur me Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë së Shqipërisë, pasi kjo dhomë mundësoi takimin me Dhomën e Maqedonisë veriore, të cilët e panë me kujdes zonën e Spitallës dhe zonën e Koplikut, zona që po planifikohen dhe që kanë interes nga disa biznese që vijnë nga Maqedonia e veriut dhe nga Turqia. Ky nuk është vetëm qëllimi i ministrisë, por është edhe qëllimi i Dhomës sonë të Tregtisë dhe Industrisë për ta nxitur më tej këtë lloj bashkëpunimi. Unë besoj që në këto kushte ne kemi shanse për të sfiduar veten, që këto zona ekonomike dhe teknologjike, shpallur me disa incentiva lehtësuese, ti bëjmë të realizueshme. Shpresoj shumë që të ndodhi kjo, pasi jemi angazhuar plotësisht për këtë gjë. Përsa i takon informacioneve që vijnë nga Dhomat e Bizneseve të Huaja që janë në Shqipëri, duke e ditur që është një çështje e nxehtë, besoj se ka nevojë për një komunikim më të mirë midis palës së qeverisë dhe palës që vjen nga biznesi. Ndërkohë me Dhomën Amerikane dhe Dhomën Italiane, takimet kanë qenë më të shpeshta. Kemi filluar të organizojmë mëngjese pune ku të paktën çështje të vogla e të mëdha që kanë nevojë për zgjidhje të adresohen dhe të zgjidhen në kohë reale dhe për këtë ne jemi ndihmuar edhe nga Këshilli i Investimeve. Në Këshillin e Investimeve në mbledhjen e muajit Mars u depozituan 55 nevoja për përmirësim të procedurave administrative dhe ndërkohë deri më sot ne kemi zgjidhur 17 nga këto procedura, ua kemi bërë të qartë edhe dhomave hapat që kemi ndërmarrë. Nga ana tjetër kemi intensifikuar shumë edhe komunikimin me Dhomën Shqiptare të Tregtisë, Industrisë  dhe të Biznesit për të parë nevojat që ka realisht biznesi sipas strukturës së sektorëve dhe kemi vënë re se përshembull sektorë të tillë siç janë sektorët e agropërpunimit, kanë nevojë për mbështetje më të adresuara. Aktualisht mund të përmend faktin që jemi duke punuar për të rinegociuar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për një lloj produkti që tregtohet në vendet e BE-së siç është produkti i açugeve dhe kemi filluar rinegocimin për kuotën që kemi, dhe kjo falë një komunikimi të vazhdueshëm më këto dhoma. Unë besoj se duhet të vazhdojmë të komunikojmë në këtë formë,  sepse nga njëra anë ka nevojë që agjencitë shtetërore të kuptojmë vërtetë nevojën, por nga ana tjetër edhe biznesi duhet të kuptojë kohën që nevojitet për të realizuar procedurat e nevojshme, pra besoj që këto komunikime, të cilat tashmë janë bërë të zakonshme në ministri, do të jenë shumë të dobishme për të sensibilizuar pikërisht nxitjen e investimeve të huaja dhe për të qetësuar gjithë frymën e bashkëpunimit që ka qeveria me biznesin.

Përqindja e sipërmarrëseve gra?

Ndoshta nuk e mbaj mend shumë shifrën, por është më shumë se 25 për qind ose midis 25 - 27 për qind sipërmarrëse gra. Është duke u rritur shifra, nga viti në vit. Nuk është aq e kollajshme për gratë të hyjnë në rrugën e biznesit. Megjithatë janë më serioze jo vetëm në respektimin e detyrimeve, por dhe në lidhjen e kontratave që kanë me punonjësit e tyre. Ndërkohë, nga ana tjetër, për sa kohë papunësia midis të rinjve në Shqipëri është e lartë, sikurse gjithandej, jo vetëm në Shqipëri, dhe papunësia midis grave është e lartë, këto janë format që e nxisin të ulet, sepse tregu i punës është bërë pak më hermetik dhe tentohet shumë që të thyhen barrierat për të hyrë gratë dhe të rinjtë. Tek AIDA janë ngritur dy fonde të reja financimi që janë Fondi i Artizanatit, i drejtuar kryesisht për gratë, dhe Fondi i Start-Up i drejtuar kryesisht për të rinjtë dhe bizneset e reja që mund të lindin, të cilë përfitojnë dhe nga Fondi i Konkurueshmërisë dhe Kreativitetit. Për gratë sipërmarrëse duhet të themi se kemi sot një plan veprimi që shkon deri në 2020, se si mund të nxiten ato në sipërmarrje. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është angazhuar me një fond të veçantë për gratë në sipërmarrje, dhe Bordi Këshillimor që vepron pranë Ministrisë së Ekonomisë funksionon për të nxitur përdorimin e këtij fondi. Kështu që, numri i grave që kanë përfituar kredi dhe kanë hyrë në jetën e biznesit është më i lartë se në 2014-2015 dhe se sa në 2013-2012, për arsye të ngjarjeve që kanë ndodhur, por dhe për arsye të sensibilizimit që kanë gratë për të punuar në këto sektorë. Doja të shtoja tjetër, midis gjërave që diskutuam sot, se në përgjithësi po punohet që këto programe të shkojnë në mënyrë kapilare rajon më rajon. Tek AIDA kemi ngritur një grup të vogël ekspertësh, të cilët lëvizin në çdo qark dhe nëpërmjet degëve rajonale që kanë dhomat e biznesit si dhe duke folur me Qarkun ose me Bashkitë përkatëse, bëjnë me dije për këto programe që ndjekim. Në një lloj mënyre, këto programe po nxisin edhe pjesëmarrjen e të rinjve në projekte. Aktualisht kemi një program që quhet programi COSME, ku biznesi shqiptar duhet të marrë pjesë në projekte të Bashkimit Europian të dedikuara rajonit dhe më gjerë. Pjesëmarrja e Shqipërisë ka qenë jashtëzakonisht e ulët. Tani ka filluar të ketë një lloj ndërgjegjësimi, falë dhe trajnimeve që kanë bërë Bashkimi Europian, Bashkëpunimi Italian, por edhe vetë AIDA, lidhur me programin COSME, ku biznese të caktuara mund të marrin pjesë në aktivitete që quhen “green field” apo “të energjisë inovative”. Kështu që, ka një rritje të ndërgjegjësimit për këtë dhe nuk ka diskriminim gjinor. Vihet re që serioziteti i grave për të qenë pjesë e këtyre projekteve është pak më i lartë deri tani, se sa ai që vjen nga meshkujt. Unë nuk e di pse ndodh kjo gjë, po mund të bëjmë një analizë më të thelluar, por kështu është shfaqur deri më tani.

Ndërkohë, ajo që dua të sjell në vëmendje dhe në ndihmë të bisedave që bënë përfaqësuesit e dhomave, është se së fundmi është miratuar një urdhër i Kryeministrit për të ngritur Komitetin e Tregtisë, brenda muajit Qershori ky Komitet do angazhojë biznesin për të folur për tregtinë, jo vetëm me BE-në por edhe më gjerë. Biznesi ka pak më shumë rol se sa qeveria në këtë Komitet. Kështu që, është një ngjarje e rëndësishme kjo që po ndodh në komunikimin me biznesin. Gjëja e dytë e rëndësishme që dëshiroj të them është se, në këto diskutime që kemi pasur me biznesin, një çështje e mprehta që ka zënë vend, lidhej me parashikueshmërinë e të gjitha ndryshimeve legjislative që ndodhin në Shqipëri, qoftë tarifore, qoftë dhe procedurale, sepse një biznes i ri që hap aktivitetin nuk është aq i frikësuar nga niveli i taksave, se sa nga paparashikueshmëria. Në këtë rast, unë mendoj që i gjithë aktiviteti që bën, jo vetëm Ministria e Ekonomisë, por edhe Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Energjisë, është që të ofrojmë një mjedis te sigurt për një biznesi të huaj apo vendas me një pritshmëri pozitive për investimin që bën.

Kjo ka qenë dhe arsyeja që paketa e re Fiskale është diskutuar kaq gjerësisht me biznesin, që të mos kemi të papritura kur bizneset te bëjnë ciklin e tyre të plan biznesit.

Nga ana tjetër, një gjë e rëndësishme për t’u vënë në dukje lidhet me ligjin “Për informim publik” dhe detyrimin ligjor që rrjedh prej tij. Duhet të krijojmë mundësi për një konsultim prej 60 ditësh lidhur me një ligj të ri dhe për këtë arsye, në çdo faqe ministrie të kemi një pjesë të dedikuar konsultimit me publikun për ligjet e reja që ne hedhim për diskutim në parlament, në këtë drejtim unë kam bërë kujdes që të jetë të faqja e ministrisë që unë drejtoj.

Gjithashtu, desha të vija theksin edhe te zonat ekonomike. Shqipëria vjen me disa incentiva për zonat e reja ekonomike. Ofrojmë 20 për qind zbritje për investimet kapitale që bën një biznes në këto zona. Nga ana tjetër, ofrojmë një reduktim dyfish në rastet kur biznesi bën trajnime për punonjësit e vet apo kur merr punonjës të rinj. Po ashtu, ofrojmë një ulje të tatim fitimit prej 50 për qind për tre vitet e para kur biznesi punon dhe kemi dhe një reduktim në rastet kur një biznesi që shkon në një zonë ekonomike merr përsipër të bëjë kërkim dhe eksperimentim në biznesin që operon. Të gjitha këto incentiva të reja që kanë zonat ekonomike i parashikon paketa legjislative, të cilat po bëhen pjesë e paketave informuese për ambasadorët tanë që punojnë në vende të ndryshme. Ndaj, kur të jetë mbledhja e ambasadorëve, së bashku me dhomën e tregtisë dhe industrisë, do te kemi një prezantim të veçantë për këto lehtësira fiskale, që të paktën ky informacion, të shkojë edhe tek dhomat tona të diplomacisë ekonomike, kudo që janë nëpër botë.