Postuar më: 02 Shkurt 2017

Intervista e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, mbi programin kombëtar “Një miliardë për rindërtim”, në TV Ora News

Pyetje: Zonja Ekonomi, çfarë pritet t’i sjellë vendit projekti “1 miliardë dollar” dhe pse ky projekt është i ndërtuar në këtë mënyrë, që duket paksa i veçantë?

Ministrja Ekonomi: Ky është një projekt i cili në të vërtetë e ka emrin “1 miliardë për rindërtimin”. Është një projekt që synon të vendosë në lëvizje një kapital të konsiderueshëm, për të nxitur me një intensitet edhe më të lartë se ai që kemi sot, një proces rindërtimi që ka të bëjë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, edukimit dhe shëndetësisë. Është një projekt që synon të përmirësojë këtë infrastrukturë anembanë vendit. Nuk është një gjetje e re për Shqipërinë. Kjo është një gjetje që ka kohë që përdoret në vendet europiane, por edhe në Shqipëri ka gjetur vend sepse ka të bëjë me Partneritetin Publik Privat, për ato të mira që i shërbejnë komunitetit. Në këtë rast, ndërtimi i rrugëve është një e mirë për komunitetin, sikurse janë edhe shkollat që do të ndërtohen dhe rikonstruktohen në mbarë vendin dhe, përveç atyre, do t’i jepet rëndësi jashtë shkollave të ekselencës në edukimin profesional si dhe një spitali rajonal të ekselencës me qendër në Fier, por edhe disa qendrave ekselence shëndetësore që do të shpërndahen në gjithë vendin, të cilat janë 10. Projekti vjen si një formë e Partneritetit Publik Privat, i cili ka gjetur vend jo vetëm në Shqipëri, pasi ne kemi raste të këtij partneriteti, por edhe në shumë vende europiane. Së fundmi, Shqipëria ka bërë diçka të rëndësishme që ka të bëjë me një përmirësim që ka ndodhur me ligjin e koncesioneve dhe ligjin e Partneritetit Publik Privat, që këtë risi europiane e përfshin në legjislacionin e vet. Po t’i referohemi të dhënave që vijnë nga zyra europiane dhe koncesioneve të Partneriteti Publik Privat, do të vëmë re që këto forma të kontraktimit janë rritur në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015 me 72 për qind të vlerës së buxhetit që ato kanë pasur, rreth 8.2 miliardë euro për vitin 2016. Kuptohet që risku për të ndërtuar veprat që i shërbejnë të mirës publike është një risk që e merr përsipër qeveria, për t’i dhënë popullit më shumë shërbime me cilësi. Ky është pak a shumë thelbi i këtij programi “1 miliardë për rindërtimin”.

Pyetje: Cili do të jetë projekti i parë dhe sa projekte janë në total? Cili do të jetë afati kohor për realizimin e tyre?

Ministrja Ekonomi: Projekti shtrihet në një periudhë që do të zgjasë rreth tre vjet. Lista e projekteve është e gjatë, sepse Partneriteti Publik Privat do të thotë një kontratë që bëhet midis një sipërmarrje dhe qeverisë për të kryer një punë, për të cilën qeveria nuk i ka të gjitha paratë e gatshme. Sipërmarrja merr përsipër ta kryejë këtë punë duke investuar fillimisht paratë e veta, të cilat i merr të paguara nga qeveria për një periudhë 10 ose 12 apo edhe më pak vjeçare. Qeveria ka bërë një listë projektesh që kanë dalë nga diskutime me ekspertë vendas e ndërkombëtar, por gjithashtu edhe autoritetet që kanë përgjegjësinë për zhvillimin e këtyre fushave, sepse kur themi që do të ndërtojmë një infrastrukturë rrugore kemi parasysh se do hyjmë në akse që kërkojnë të bëjnë një ndërlidhje rajonale. Për shembull, nëse ne do të duam të përmirësojmë më tepër aksin tonë rrugor që lidhet me Vlorën, me Gjirokastrën, apo me Beratin, përmirësimi i aksit në këto zona ka të bëjë edhe me mënyrën se si do të zhvillohet më tej sipërmarrja, turizmi, apo si do arrihet edhe tek ato që janë pika të trashëgimisë kulturore. Prandaj, ndërthurja e agjencive që kanë përfitim nga ky projekt është shumë i rëndësishëm. Përsa i përket listës së projekteve, i rëndësishëm është fakti se këto projekte do të zbatohen në ato raste kur ne kemi një projekt fizibiliteti të bërë gati, prandaj lista e projekteve prioritare ka të bëjë me situatën kur projekti i fizibilitetit është i gatshëm. Në këtë rast, projekti që mund të quhet i gatshëm, apo që është pjesë e kësaj pakete, është rruga e Arbrit, sepse projekti i fizibilitetit është i gatshëm. Mënyra se si do të operohet në këtë lloj forme të Parneritetit Publik Privat do të jetë me propozimin e pakërkuar që vjen nga një sipërmarrje private, për listën e prioriteteve që tashmë qeveria do të shpallë.

Pyetje: Si do të realizohet ndershmëria e kësaj skeme? Ju thatë që do të jetë një bashkëpunim me biznesin, një Partneritet Publik Privat dhe projekti i paraqitur nga një biznes le ta marrim konkretisht, shifrat që do të paraqesë, kostoja e tij, etj., në çfarë pike duhet të jemi transparent apo jo? Si do të shmanget pandershmëria?

Ministrja Ekonomi: Duke qenë se këto janë projekte të një vlere të madhe dhe ndërkohë që angazhojnë burime financiare publike, natyrisht që do jenë projekte me garë. Ajo që do të shmangë pandershmërinë do të jetë gara. Do të jenë gara të niveleve nacionale, por mund të jenë gara edhe të niveleve internacionale për nga vlera që do të ketë projekti. Në ligjin tonë të koncesioneve të Partneritetit Publik Privat ne kemi përcaktuar madhësinë e garës dhe formën e garës ndërkombëtare në varësi të projekt financimit që kërkon projekti në fjalë. Këto rregulla janë të publikuara në websitin e ATRAKO-s. Për një vepër, e cila kryesisht synon ndërtimin, bëhet një garë ndërkombëtare kur vlera e projektit shkon më shumë se 1.2 miliardë lekë, ndërkohë që garat do të jenë të shpallura. Në rastin e një propozimi të pakërkuar, kompania, agjencia private ose sipërmarrja e bashkuar që mund të sjellë këtë propozim, mund të ketë të drejtën të përfitojë një bonus në vlerësim nga një deri në dhjetë pikë, në funksion të vlerës që ka vet projekti. Pra, do të ketë një listë projektesh dhe kur një kompani është e interesuar të sjellë një projekt, do ta sjellë mbi bazën e kësaj liste. Kur projekti propozohet, qeveria do të shpallë një garë, e cila do të ketë kohën e vet dhe kjo varet nga ligjet dhe nga mënyra se si ne prokurojmë, e më pas do të jetë Komisioni i Vlerësimit ai që do të caktojë kompaninë që do të marrë përsipër të zhvillojë këtë projekt, por duhet të kemi parasysh që kompania duhet të plotësojë disa karakteristika. Së pari, kompania duhet të ketë një sasi parash, apo kesh likuiditeti të barabartë me 20 për qind të vlerës së projektit dhe paratë nga fondi i qeverisë do të vijnë në llogarinë e kompanisë vetëm pas vitit të dytë të zbatimit të projektit, ose në fillim të vitit të tretë. Në raste të veçanta, për nga natyra e projektit, mund të fillohet edhe të disbursohen pasi është harxhuar 50 për qindëshi i vlerës së projektit sepse të ndërtosh një qendër shëndetësore apo të ndërtosh një shkollë nuk është i njëjti konsum si të ndërtosh një rrugë. Rruga mund t’i marrë shpenzimet në fillim të vitit të tretë, ndërsa një qendër shëndetësore në gjysmën e sasisë së parave që ka harxhuar investitori.

Pyetje: Cilët janë sektorët më me prioritet nëse ju keni një listë gjysmë gati të projekteve?

Ministrja Ekonomi: Sektorët me prioritet janë sektorët e infrastrukturës, sektori i arsimit i cili ka të bëjë me të ardhmen e gjeneratës së re në Shqipëri, sepse fëmijët tanë kanë nevojë të kenë shkolla ekselente ku ne, përveç hapësirës për të mësuar, të kemi dhe hapësirën për të eksperimentuar, hapësirën për qendër komunitare për të dhënë shërbime të tjera sociale që ofron një shkollë. Gjithashtu, kemi dhe projekte që kanë të bëjnë me shërbimet shëndetësore në vend sepse, përveç spitalit rajonal ekselence që do të ndërtohet në Fier, do të përpiqemi të ndërtojmë dhe qendra shëndetësore të cilat mbledhin bashkë jo vetëm mjekun e familjes, por edhe disa specialitete, për t’i ardhur në ndihmë popullsisë së rajoneve. Por, përveç këtyre, ka edhe projekte që nuk janë në këtë fazë, projekte që diskutohen, projekte që kanë të bëjnë me mundësinë e përmirësimit të qasjes së trashëgimisë kulturore në një zonë të caktuar. Qasja ndaj trashëgimisë kulturore do të thotë që ai rajon do të marrë një zhvillim tjetër, i cili e bën atë edhe më shumë kërkues ndaj zhvillimit të ekonomisë rajonale, por sidomos ndaj zhvillimit të turizmit në atë zonë. Prandaj, lista e prioriteteve është një listë, e cila do të pasurohet në mënyrë të vazhdueshme edhe për vetë faktin se sa shumë para do të jenë të lira gjatë hedhjes në zbatim të këtij projekti.

Pyetje: Sa prioritet do të ketë rruga e Arbrit dhe kur do të nisë?

Ministrja Ekonomi: Rruga e Arbrit është prioriteti numër një. Kryeministri e lançoi po sot edhe projektin e parë, i cili do të jetë pikërisht rruga e Arbrit. Pra, sot konsiderohet e hapur gara për këtë projekt.

Pyetje: A ka konkretisht interes nga kompanitë dhe bankat për të financuar në këto projekte?

Ministrja Ekonomi: Kam qenë e pranishme në dy takime që ka zhvilluar kryeministri, në takimin e djeshëm me bankat në Shqipëri dhe në takimin e sotëm me bankat dhe investitorët. Vihet re se interesi është i lartë. Ky është një projekt i ri dhe të gjithë kanë entuziazmin e fillimit, por ata duan edhe më shumë informacion për mënyrën e përdorimit të projektit. Të parat janë bankat që janë të kënaqura, sepse bankat kanë likuiditete që mund t’i vënë në shërbim të projekteve të këtij lloji.  Sipërmarrja shqiptare do të jetë e aftë të shkruajë projekte që janë të kreditueshme, pra bankat të financojnë këtë lloj sipërmarrje. Ky është një moment i artë pasi edhe sipërmarrja bëhet e gatshme të tregojë që është e zonja të hartojë projekte që janë të kreditueshme, serioze dhe me garanci nga banka të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Ky ishte një mesazh që u dha shumë qartë gjatë takimit të sotëm.

Pyetje: Për procedurat e biznesit, çfarë problematikash keni evidentuar ju në 2016 që mund të reflektohen gjatë këtij viti dhe që mund të kenë nevojë për përmirësim?

Ministrja Ekonomi: Pavarësisht nga projekti “1 miliardë dollarë për rindërtimin” ne kemi tre struktura të rëndësishme komunikimi me biznesin: i pari është Këshilli Ekonomik Kombëtar, i dyti është Këshilli i Investimeve dhe i treti është Komiteti i Tregtisë. Në tre këto struktura që ne komunikojmë me biznesin, ne jemi të prirur të gjejmë tematikën që shqetëson biznesin në një moment të caktuar. Për shembull, deri më sot, në Këshillin e Investimeve janë zhvilluar të paktën gjashtë takime të rëndësishme. Ka një sekretariat, i cili është shumë serioz në përgatitjen e materialeve për Këshillin e Investimeve, ku pasqyrohen shqetësime nga biznesi dhe rekomandimet përkatëse. Në paketën fiskale të këtij viti u përfshinë 34 përmirësime të procedurave tatimore dhe 13 prej tyre erdhën si propozime nga komuniteti i biznesit, falë komunikimeve me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe që u reflektuan në ndryshimet legjislative që pësoi paketa fiskale në vendin tonë. Në përgjithësi, komuniteti i biznesit ka nevojë që kontrollet ndaj tyre të jenë të lehta, sidomos kontrollet tatimore. Mundësisht, kontrolli të jetë i lajmërueshëm. Nga ana tjetër, ka nevojë për rimbursim automatik të TVSH-së i cili, sipas një analize që është bërë në Këshillin e Investimeve, nga 2% në vitin 2013, ka shkuar në 70% sot. Ka ende nevojë për përmirësim, por edhe përmirësimi i deritanishëm është mëse i dukshëm. Një tjetër gjë e rëndësishme në komunitetin e biznesit është fakti si ne përpiqemi të negociojmë në marrëdhëniet/marrëveshjet e tregtisë së lirë që kemi me vendet e rajonit, por edhe më gjerë. Gjithashtu, me rëndësi është mënyra se si ne po përpiqemi të vendosim konektivitetin, në kuadër të procesit të Berlinit, sidomos me vendet e rajonit dhe të përmirësojmë legjislacionin që lidhet me shkëmbimet e produkteve bujqësore dhe blegtorale në kufi, me Maqedoninë dhe me Malin e Zi. Shpesh komuniteti i biznesit ka dhënë orientime të cilat janë marrë në konsideratë në takimet e CEFTA-s dhe është një zë i shtuar në këto takime që vjen nga komuniteti i biznesit. Një tjetër gjë e rëndësishme është që, vështirësitë që has komuniteti i biznesit në komunikimet me  partnerët e vetë, në vendet fqinjë, të transmetohen në politika mbështetëse për biznesin. Këtë detyrë e merr përsipër AIDA, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, që orienton programe të mbështetjes së sipërmarrjes mbi bazën e rekomandimeve që dalin pikërisht nga ky shkëmbim tregtar që ne kemi me vendet e rajonit. Vazhdimisht kanë qenë të diskutueshme çështjet e ngritur nga komuniteti i biznesit. Çështja e radhës që duam të trajtojmë lidhet me mundësinë e edukimit në vazhdim për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, për të përgatitur një staf i cili është i aftë të shtojë produktivitetin në prodhim dhe për të mundësuar këtë gjë natyrisht që kërkohen shkollat e edukimit profesional. Prandaj dhe projekti “1 miliardë dollar për rindërtim” është një projekt shumë i rëndësishëm, sepse i jep fokus edhe shkollave të edukimit profesional. Kjo është një gjë që kërkohet edhe nga vetë biznesi.

Pyetje: Sa është numri i kontratave të hedhura deri tani në regjistrin e koncesioneve dhe si po shkon procesi në tërësi?

Ministrja Ekonomi: Numri i kontratave ka shkuar në 128 dhe vazhdon rritet. Ky është një proces i cili ka nisur vitin e kaluar. Nga komunikimi me ministritë e linjës në kemi arritur të grumbullojmë 128 kontrata koncesionare, nga 107 që ishte ky numër në fillim të muajit janar. Ky informacion është transparent dhe mund të gjendet në faqen web të ATRAKO. Gjithkush mund ta shikojë dhe pas vitit të parë të ngritjes së këtij regjistri, zyra përgjegjëse për këtë regjistër do të realizojë edhe botimin vjetor të kontratave koncesionare që zhvillohen në Shqipëri.

Pyetje: A pritet të ketë një impakt projekti “1 miliardë dollarë” në turizëm?

Ministrja Ekonomi: Po, pritet të ketë një impakt, sidomos projektet që lidhen me infrastrukturën rrugore. Disa projekte të infrastrukturës rrugore janë parashikuar në zona ku turizmi ka pasur zhvillim në 2-3 vitet e fundit. Për shembull, zona e jugut, si Vlorë, Gjirokastër, Berat dhe e Thethit, janë zona ku ka pasur rritje të numrit të turistëve vitet e fundit. Përmirësimi i infrastrukturës në këto zona lidhet me nevojën që kemi për të thithur me shumë turistë në këto zona, si dhe për të evidentuar produkte turistike në zona ende të vështira për tu aksesuar. Sidomos në pjesën veriore të vendit ne kemi zona që kanë nevojë për përmirësim dhe për të kuptuar që turizmi alpin ka nevojë të  përdoret më shumë.

Pyetje: Përsa i përket turizmit, a ka një strategji konkrete për këtë vit, për të shmangur dhe probleme që janë shfaqur në të kaluarën në zonat turistike?

Ministrja Ekonomi: Një grup pune i ngritur që vitin e kaluar ka punuar mbi problematikat e shfaqura gjatë sezonit veror 2016 dhe mesazhi ynë është që duhet të kemi një turizëm gjithëvjetor. Për këtë arsye ne po përpiqemi të identifikojmë ato që quhen destinacione turistike brenda rajoneve. Pra, së pari jemi duke punuar me bashkitë për të identifikuar destinacionet turistike lokale në vendin tonë për turizmin gjithëvjetor. Por, ajo çfarë është më e rëndësishme të theksojmë në këtë fillim viti është se, i gjithë fokusi i punës është vendosur në rregullimin e tregut. Aktualisht në tregun e turizmit kemi katër operatorë ekonomikë që operojnë që janë agjencitë, tur operatorët, guidat turistike ose udhërrëfyesit, dhe strukturat akomoduese. Ne po përpiqemi që për këta operatorë ekonomikë të kemi të njëjtat standard me të cilat operon tregu i vendeve ballkanike apo tregu i vendeve europiane. Falë komunikimit që kemi pasur në Këshillin Konsultativ të Sektorit të Turizmit kemi përcaktuar rregulla dhe manuale, por kemi bërë dhe përmirësime për të çuar në nivelet më të ulëta, më kapilare, këtë nevojë që kemi për të vendosur rregulla. Aktualisht ka nisur procesi i regjistrimit të agjencive dhe tur operatorëve, që kanë të bëjnë me një produkt shumë të rëndësishëm, sepse tur operatorët shesin paketa dhe agjencitë turistike  shesin bileta, dhe ky është një koncept që duhet të jetë i barabartë me atë që zhvillohet në rajon dhe në Europë. Strukturat akomoduese vlerësohen me një yll që tregon se sa të mira janë.

Pyetje: Kur do të nisë certifikimi i strukturave akomoduese?

Ministrja Ekonomi: Në një farë mënyrë mund të themi se ka nisur, sepse deri tani kanë filluar të pilotohen hotelet e mëdha, ato që pretendojnë të jenë me katër ose pesë yje, për të parë se si ai që quhet standardi i Hotel Star-eve të Europës mund të përdoret në Shqipëri. Sistemi online është ngritur. Është në një fazë pilotimi. Do të jetë një proces shumë demokratik sepse, së pari, struktura bën vetë një deklarim për standardet që ka, sipas standardeve Eu Hotel Stars. Ky informacion vjen automatikisht në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe struktura informohet për verifikimin e këtij procesi. Do të ketë një grup pune, i cili do të verifikojë në terren, pranë strukturës, gjendjen reale. Verifikimi nxjerr një raport të dytë dhe ballafaqimi i raportit të parë me atë të dytë bën që Komisioni i Standardizimit t’i japë yjet hotelit. Procesi është shumë i hapur dhe gjithmonë do të bazohet në negociata se si duhet ta përmirësojmë, pasi duhet të kemi parasysh që Eu Hotel Star ka një mënyrë se si vlerësohen yjet, që niset mbi bazën e dy kritereve, kritere detyruese dhe kritere alternative. Së bashku këto kritere duhet të japin një shumë pikësh, që varen nga yjet, dhe vetë struktura duhet të jetë e aftë të kuptojë se çfarë ylli plotëson në bazë të kushteve që ka. Prandaj, ka nevojë për një periudhë pilotimi, për të kuptuar se si duhet ta plotësojnë.

Pyetje: Një kërkesa e vazhdueshme e operatorëve turistikë është ulja e TVSH-së së turizmit. A është diskutuar kjo kërkesë në qeveri dhe a do të reflektohet?

Ministrja Ekonomi: Standardizimi i strukturave akomoduese ka dhe një aneks në pjesën e vet që është përdorimi i hotelit. Deri më tani, të dhënat për përdorimin e hotelin janë paksa informale, sepse ka një mospërputhje mes numrit të ditë apo natë qëndrimet në hotelet tona dhe numrin të personave që hyjnë në Shqipëri, të identifikuar nëpërmjet sistemit TEAMS. Prandaj ka shumë nevojë që ta formalizojmë qëndrimin në hotel dhe pastaj të fillojmë përpjekjen për uljen e TVSH. Është një diskutim që vazhdon në Këshillin Konsultativ të Sektorit  Privat të Turizmit dhe ne po bëjmë gati një studim që vjen nga kërkesa e privatëve, për të marrë parasysh se si mund të jetë norma e uljes së TVSH-së.