Postuar më: 07 Korrik 2016

Fjala përshëndetëse e ministres znj. Milva Ekonomi në Korçë

I nderuar zoti Zëvendëskryeministër,

 

I nderuar Kryetar i Bashkisë,

 

Të nderuar bashkë drejtues të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim,

 

Jam shumë e lumtur që ndodhem sot këtu. Një Ministër Ekonomie dhe Turizmi nuk do të donte më shumë se kaq, të shikonte një zonë që ia ka dalë, një zone që ka ndryshuar faqe dhe po bëhet zë për të investuar e për të zhvilluar sa më shumë aktivitete.

Përveç falenderimeve për të gjithë ata që ia dolën, një falenderim i veçantë duhet të shkojë për sipërmarrësit shqiptarë të cilët e kthyen në identitet këtë zonë, pra ata ndërtues të vegjël, arkitektë të mëdhenj që e bënë këtë treg të duket kaq i bukur sot. Korçarët, besoj bashkohen në të njëjtin mendim me mua, se kjo është një ngjarje për qytetin, një ngjarje që tregon se Shqipëria ka talente dhe dëshirë për të bërë gjëra shumë të bukura.

Është vërtet shumë mirë kur dëgjon dhe sheh se një projekt ia del dhe merr frymën që ka marrë projekti korçar. Dëshira e Qeverisë Shqiptare është më e madhe sesa projekti korçar, sepse aktualisht ne sot kemi 47 projekte të vogla që lidhen me Fondin Shqiptar të Zhvillimit të rajoneve, të cilat përpiqen t’i japin jetë qendrave të qytetit, nga veriu në jug të vendit.

Plani i qendrave urbane lidhet me aftësinë që ka çdo qytet për të rivitalizuar aktivitetin ekonomik, artizanal, kreativ të sipërmarrjes së vet. Përveç kësaj, plani i qendrave urbane nxit që bashkitë bashkë me planin e zonave qendrore të qytetit të zhvillojnë edhe zonat ekonomike dhe teknologjike, të cilat janë jashtë qendrës së qytetit, për ta bërë banorin e vendas konsumator të zonës qendrore të qytetit.

Qeveria Shqiptare pavarësisht nga bashkëfinancimet e deritanishme, ku vlen të theksohet në mënyrë të veçantë Fondi Amerikano Shqiptar për Zhvillim, po përpiqet të angazhohet dhe me burime të tjera financiare që këto zona të marrin jetë. E mira e gjithë kësaj është se ne fillojmë dhe uniformizojmë në kuptimin e pamjes bizneset të cilat do të vendosen këtu, duke e shendruar keshtu zonen ne atraksion turistik.

Sa herë ekziston dëshira, gjendet rrugëzgjidhja. Pazari i Korçës erdhi si iniciativë nga kabineti i zëvendëskryeministrit, por edhe nga vet dëshira që kishte Agjencia e nxitjes së investimeve të huaja në Shqipëri, AIDA. Ne e bëmë realitet këtë projekt dhe aktualisht kemi vënë në dispozicion mundësi deri në 3 milion lekë financim për çdo projekt që do vij të aplikojë në këtë zonë. Fondi “Në mbështetje të mikro-ndërmarrjeve, MNV që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike/historike” që AIDA ka planifikuar për këtë vit, është 29 milion lekë ose 50% e kontributit total të këtij programi.  Dhe  50% tjetër vjen në ndihmë të bizneseve nga granti i Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.

AIDA, agjencia e cila bëri të mundur që projekti të merrte frymë dhe të vinte tek ju, ofron mundësitë për tjera projekte të cilat lidhen me konkurrueshmërinë, kreativitetin, artizanatin apo edhe me start up-et, bizneset inovative.  Tek AIDA do të gjeni një dritare ku këshilloheni për projekte të reja, por gjithashtu këshilloheni dhe për mënyrën se si mund të përfitoni nga granti apo nga të gjithë incentivat që janë në shërbim të biznesit.

Duke u bërë jo vetëm një model, por edhe një zë, ju do të ndihmoni jo vetëm Korçën, por gjithë Shqipërinë, sepse kur ke një shembull suksesi, ky shembull bëhet motivues për të tjera rajone të vendit. Do të jeni frymëzues për Beratin, Voskopojën, Tiranën, Gjirokastrën, Shkodrën, Tepelenën e për të tjera qytete të vogla ku ne po mendojmë të shkojmë me zhvillimet e qendrave të qytetit. Përveç kthimit në identitet dhe rijetëzimit të projektit, ky shembull do përdoret dhe si një stimul i  mirë për nxitjen e turizmit në vend.

Ju uroj shumë sukses dhe ju siguroj se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të jetë pranë jush në çdo moment.

 

Edhe pse vëmendjen më të madhe deri më sot ia kemi dhënë bregdetit, duhet të vlerësojmë pasuritë e shumta që ka vendi, për të cilat duhet të jemi shumë krenar. Korça kthehet në një element të rëndësishëm për të na nxitur edhe më shumë krenarinë kombëtare, duke dëshmuar që dimë të bëjmë turizëm dhe dimë ta bëjmë atë mirë dhe me cilësi.

Faleminderit dhe njëherë dhe suksese!