Postuar më: 02 Dhjetor 2016

Fjala e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi në Parlament për Buxhetin 2017

E nderuara Kryetare e Seancës, 

Të nderuar Deputetë, 

Konsolidimi dhe sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë i vendit ka qenë dhe mbetet një prioritet konstant i punës së qeverisë qysh në krye të herës. Përmbushja e këtij objektivi kërkon jo vetëm aplikimin e politikave të kujdesshme buxhetore, monetare, dhe fiskale, por edhe koordinimin e vazhdueshëm dhe efiçent të tyre. Hartimi i një buxheti të kujdesshëm duke analizuar arritjet dhe duke programuar të ardhmen ishte motoja e punës për paraqitjen e buxhetit 2017 përpara jush. Ky buxhet u kujdes të akomodojë implementimin e plotë të reformave të marra dhe fillimin e reformave të reja në mbështetje të modernizimit të qeverisjes dhe të një zhvillimi të qëndrueshëm.

Ne zgjodhëm një model të ri ekonomik që mbështet prodhimin vendas dhe punësimin real, ndaj ky është buxheti i konsolidimit të zhvillimit ekonomik dhe vazhdimit të implementimit të plotë të reformave të ndërmarra. Gjatë këtyre viteve siguruam rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe e konsoliduam atë, nga më pak se 1% në 2013, në 2% në 2014, në 2.62% në 2015 dhe në 3,4 % për vitin 2016. Ndërsa për vitin 2017, FMN parashikon një rritje me 3,8% të ekonomisë së vendit tonë, duke e renditur atë si ekonominë me dinamike në Ballkan.

Zhvendosëm burimet e rritjes nga modeli i para-krizës, i orientuar në konsum të paqëndrueshëm, në një model rritje të bazuar në investimet private dhe konsum të qëndrueshëm. Konsumi final i popullatës, gjatë viteve të fundit, ka ardhur në trend rritës. Siç dëshmon bilanci i pagesave në tremujorin e dytë 2016 u rrit me 3,98% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2015. Ndërsa konsumi final i qeverisë në tremujorin e dytë 2016 u rrit me 1,68% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2015. Rritja në investime është gjithashtu e dukshme në importin e pajisjeve të makinerive. Ky tregues u rrit në masën 7.3% në terma vjetorë në 2014, me 11% në terma vjetorë në 2015 dhe 8% në Janar – Tetor 2016.

Buxheti 2017 siguron nivel optimal të investimeve publike me rreth 5% e PBB, duke arritur nivelin më të ulët të defiçitit të programuar ndonjëherë, prej rreth 2% të PBB. Investimet publike do të vijojnë mbështetjen e sektorëve kyç të ekonomisë, me qëllim përmirësimin e shërbimeve publike dhe jetës së qytetarëve.

Vendosëm taksimin e ndershëm, progresiv, mbi bazën e parimit “kush fiton më pak, paguan më pak”. Taksimi progresiv uli taksat për 97% të shqiptarëve dhe paga mesatare u rrit me 7.5% në vit. Në Buxhetin e Shtetit 2017, 100 milionë dollarë do të dedikohen për rritjen e pagave dhe pensioneve. Kjo është shuma më e madhe e vënë ndonjëherë nga ndonjë Qeveri për rritjen e pagave dhe pensioneve në një vit të vetëm. Qeveria e mëparshme ndau për rroga e pensione në buxhetin e shtetit në 8 vjet, 124 milionë dollarë, ndërsa kjo qeveri falë uljes së taksës mbi rrogën dhe buxhetit të dedikuar për rritje pagash dhe pensionesh u jep mundësi plot 700 mijë pensionistëve dhe punonjësve të administratës të përfitojne 240 milionë dollarë brenda një mandati të vetëm.

Kjo rritje e konsiderueshme e pagave dhe pensioneve realizohet në kushtet e një buxheti me sufiçit primar, pra financohet tërësisht nga të ardhurat buxhetore dhe jo nga para të marra hua.

Të dhënat zyrtare tregojnë se kemi rritje të shkallës së punësimit gjatë viteve të fundit dhe gjithashtu një rënie të shkallës së papunësisë. Tremujori i dytë shënon një rritje të shkallës së punësimit me 48,4% krahasuar me tremujorin e parë 47,5%. Gjithashtu në tremujorin e dytë kemi patur një rënie të shkallës së papunësisë me 15,5% krahasuar me 16,6% që ishte në tremujorin e parë. Sot figurojnë të punësuar 173, 000 individë më shumë se në vitin 2013.

Por edhe të dhënat e ndihmës shtetërore dëshmojnë se fondet prej 4,2 mld  lekë në vitin 2014  dhe 3,7 mld lekë në 2015 arritën të përfitojnë nga skema horizontale në mbështetje të punësimit 853 ndërmarrje që punësuan 8,393 individë nga të cilët 45 persona me aftësi të kufizuar.

Borxhi publik po administrohet më mirë ndaj me këtë buxhet arrihet ulja e borxhit me mbi 2 pikë % në vitin 2017, duke arritur në nivelin 69.1% nga 71.8 % i pritur për 2016.

Ky model ekonomik tregoi nga të dhënat e datës 17 nëntor të këtij të  INSTAT se shpenzimet për konsum të NJEF sipas decileve në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014 , ka pasur ulje të shpenzimeve të 10 përqindëshit me shpenzime më të larta dhe rritje të shpenzimeve përsa i përket 90 përqindëshit tjetër të tyre. Si rrjedhim raporti i decileve paraqet një ulje të pabarazisë përgjatë dy viteve.

Një analizë e shpërndarjes së nivelit të shpenzimeve për konsum sipas decileve tregon se 90 përqind e NJEF shpenzojnë 80,4 përqind të vlerës së konsumit të të gjitha NJEF, me një mesatare të shpenzimeve, ndërsa 10 përqindëshi tjetër shpenzon 19,6 përqind të konsumit.

Mbështetje sipërmarrjes pa dallim, bazuar  në konkurrueshmëri dhe inovacion.

Duke analizuar raportet e fundit të institucioneve ndërkombëtare në lidhje me ecurinë e reformave ekonomike dhe politikave në vendin tonë, Shqipëria po kalon në një përmirësim të dukshëm ekonomik. Bazuar në studimet dhe raportet ndërkombëtare krahasuese të 3 viteve të fundit, vendi po evidenton rigjetjen e vlerësimeve duke u ngjitur me disa pozicione. Mund të përmendim disa prej tyre si përshembull “Indeksin e Konkurrueshmërisë” ku Forumi Ekonomik Botëror e rendit Shqipërinë në pozicionin e 80-të ndër 138 ekonomi globale duke u përmirësuar me 13 pozicione, “Liria Ekonomike” nga Fondacioni Heritage që rendit vendin tonë në pozicionin e 59-t ndër 178 ekonomi globale duke e cilësuar ekonominë shqiptare si pothuajse të lirë. Një nga arritjet e këtij viti ishte vlerësimi i Shqipërisë në Raportin “Doing Business” ku Banka Botërore e rendit vendin tonë në pozicionin e 58-të ndër 190 ekonomi globale duke shënuar një përmirësim me 32 pozicione krahasuar me një vit më pare. Raporti i Bankës Botërore ka konfirmuar rritjen cilësore të reformave të ndërmarra nga qeveria për lehtësitë e të bërit biznes, duke nënvizuar se distanca e Shqipërisë ndaj praktikave më të mira, në të bërit biznes ka patur një përmirësim të dukshëm, duke u rritur nga 61.3 pikë në raportin e vitit të kaluar në 68.9 pikë në raportin e sivjetshëm. Këto vlerësime janë vërtetimi që gjatë këtyre viteve të fundit kemi punuar mirë dhe kemi patur shumë sukses. Edhe “Progres Raporti i BE”, i tetorit të këtij viti, konfirmon për reformat e marra nga qeveria shqiptare në mbështetje të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Me formalizimin e ekonomisë shënuam rritjen më të madhe të bizneseve të reja. Gjatë 2013 e deri më 29 nëntor 2016 janë regjistruar 86.610 biznese të reja. Në vitin 2013 janë regjistruar 11.951 biznese të reja, në vitin 2014 janë regjistruar 16.731 biznese të reja dhe viti 2015 shënoi numrin më të lartë të bizneseve të reja të regjistruara gjatë 6 viteve të fundit me 39.650 regjistrime të reja. Për periudhën Janar – 29 nëntor 2016 kemi 18.278 biznese të reja të regjistruara.  

Nëpërmjet regjistrimit të biznesit online ofrohen shërbime pa pagesë të cilat mundësojnë shkurtimin e kohës së regjistrimit nga 24 orë në 8 orë. Ky regjistër ndërvepron me platforma të tjera në kohë reale me më shumë se 8 institucione publike dhe private nga 2 që ishin në vitin 2013. Publikimi i pasqyrave financiare bën të mundur publikimin online të mbi 75.000 pasqyrave financiare (procedurë e munguar me parë). Buxheti i vitit 2017 do të garantojë realizimin e plotë të nënshkrimit elektronik nga bizneset. 

Një tregues i rëndësishëm është numri i bizneseve të reja të regjistruara në industrinë përpunuesë (FASON) që ka ardhur në rritje. Nga viti 2013 deri në Tetor 2016  janë regjistruar 5.912 biznese në industrinë përpunuese. Në AIDA është krijuar një departament i veçantë “After Care” që ndjek problematikat lidhur me kontratat fason. Janë rreth 260 kompani që ndiqen aktualisht. Kjo ka ndikuar në rritjen e eksportit fason me 26% dhe hapjen e rreth 5 mijë vendeve të reja të punës.

Investimet e Huaja

Hyrjet vjetore të investimeve të huaja direkte në Shqipëri janë rritur ndjeshëm që prej vitit 2008, mesatarisht me rreth 1 bilion USD në vit për periudhën 2008 – 2015. Periudha aktuale, në veçanti, ka një fluks më të lartë të IHD-ve në krahasim me ato të periudhës së qeverisë së mëparshme. Mesatarja e hyrjeve tremujore të IHD-ve në periudhën T1 - 2010 – T3 - 2013 ishte 187 milion Euro, ndërkohë që mesatarja tremujore e hyrjeve të IHD-ve për periudhën T4 - 2013 – T4 - 2015 ishte 228 milion Euro. Për vitin 2015 të ardhurat nga IHD-të kanë patur një rritje në vlerë prej 12 milion Euro, në krahasim me vitin 2014 . Në fund të vitit 2015 rezultuan që janë regjistruar 1038 ndërmarrje me kapital 100% të huaj më shumë se në vitin 2013. Një rritje me 34.1 %. Ndërsa numri i të punësuarve në to është rritur po ashtu me 33%.

Megjithatë, pjesa më e madhe e IHD-ve (rreth 60%) në Shqipëri është e përqendruar në sektorin e minierave (kryesisht naftë dhe gaz); 13% është në transport dhe komunikacion, 9% në elektricitet dhe 8% në prona të paluajtshme. Diversifikimi i investimeve dhe IHD-ve në veçanti vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë.

Mbështetje e Sipërmarrjes​

Të dhënat e INSTAT mbi “Rezultatet Paraprake të ASN-së”, për vitin 2015, publikuar në 24 nëntor thonë se për ndërmarrjet jo bujqësore:

· Shitjet neto u rritën 4,7% krahasuar me vitin 2014

· Numri gjithsej i të punësuarve u rrit 17,1%

· Investimet e realizuara arritën vlerën 207 miliardë lekë nga 183 miliardë lekë në 2014, duke shënuar rritje prej 13,5%

· Në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve operojnë 104.534 ndërmarrje. Numri i tyre u rrit me 22,7% krahasuar me vitin 2014

Dhe këto rezultate ekonomike të sipërmarrjes pa dyshim që janë falë disa masave mbështetëse në favor të biznesit:

✓ Hoqëm taksën e biznesit të vogël. Zeruam tatim fitimin për bizneset me xhiro 0-5 milionë dhe reduktuam nga 7.5% në 5% tatim fitimin për bizneset me xhiro 5-8 milionë lekë. Mbi 83 mijë biznese përfituan nga kjo masë lehtësuese.

✓ Në dy vite ofruam 55 lehtësira fiskale në favor të sipërmarrjes, që ju kursyen 150 milionë dollarë qytetarëve dhe bizneseve.

✓ Paguam 726 milionë dollarë detyrime të prapambetura dhe falëm 3.1 miliardë lekë gjoba elektorale ndaj bizneseve dhe në dy vjet e gjysmë qeverisje nuk krijuam asnjë borxh të ri!

Një nga programet e MZHETTS me shumë rëndësi dhe me impakt të drejtëpërdrejtë tek bizneset është mbështetja e sipërmarrjes. AIDA administron fondet në mbështetje të sipërmarrjes si fondi i konkurrencës, inovacionit, kreativitetit, Start Up-it. Gjatë këtij viti MZHETTS ka ndihmuar 63 kompani që kanë përfituar 97 mln lekë.  Ndërkohë që për vitin 2012 dhe 2013 ky buxhet ishte në total 18 mln lekë dhe përfitues vetëm 16 kompani.

Ndërmarrjet shqiptare mbështeten gjithashtu edhe nga kredia italiane, ku kanë përfituar 103 projekte të sipërmarrjes me një vlerë prej 30 mln Euro, nga ky 2,5 mln Euro jane fond grancie.

Mbrojtja e konsumatorit, mbikëqyrjes së tregut dhe pronësisë industriale u vendos gjithashtu në fokus.

U shpenzuan që nga viti 2014 deri më sot 98 milionë fonde për përmirësimin dhe plotësimin e kornizës  për mbrojtjen e konsumatorëve, në mënyrë të vazhdueshme duke ndjekur edhe zhvillimet e legjislacionit evropian të fushës. Gjithashtu janë zhvilluar 5 fushata sensibilizuese në mbrojtje të konsumatorit si dhe jemi përpjekur të ndikojmë në uljen e praktikave të padrejta tregtare.

Për të siguruar cilësinë e mbikqyrjes së tregut u kompletuan laboratorët me pajisje dhe instrumenta matës me vlerë 24 milionë lekë.

Në vitin 2015, MZHETTS u caktua të ndiqte edhe Turizmin. Fondet buxhetore në dispozicion të këtij programi u përqëndruar në promovimin e Shqipërisë turistike dhe në zhvillimin e projekteve në fushen e turizmit (financuar me 332 milionë lekë për 2016), realizimin e rreth 15 Fam Ture, pjesëmarrje në rreth 16 panaire, u investua ne infrastrukturë me krijimin e info point-eve që deri më sot janë rreth 23 bashki që po marrin strukturën e info pointe-ve. Puna e bërë në Turizëm është konkretizuar me rritjen e numrit të vizitorëve gjatë sezonit turistik veror 2016 me 19,7% krahasuar me një vit më parë. Sipas bilancit të pagesave gjatë sezonit turistik 2016 kemi patur një rritje të të ardhurave neto me 16% krahasuar me vitin 2015 (64 mln leke në 2016 dhe 55 mln lekë në 2015).

Dialog me biznesin

Është në vëmendje dhe kujdesje të MZHETTS me anë të Komitetit të Lehtësimit të Tregtisë, Këshillit të Investimeve dhe Këshilli Ekonomik Kombëtar duke parashtruar problematikat dhe ankesat që mund të ketë biznesi për t’i ardhur në ndihmë me reformat tona ekonomike. Gjatë tre viteve janë bërë më shumë se 30 takime me përfaqësues të biznesit. AIDA si “Dritare Unike” është gjithmonë në ndihmë të biznesit dhe investitorëve të huaj.

Gjithashtu është për tu theksuar Prona Publike e vënë në shërbim të sipërmarrjeve, është bërë i mundur realizimi i 22 kontratave të cilat i shtuan ekonomisë në këto tre vite një investim prej 4,5 mld lekë dhe të punësuar janë 2278 vetë. Jo vetëm kaq, por për administrimin elektronik të të dhënave dhe ofrimin e shërbimeve mbi pronat shtetërore po investohet gjatë vitit 2016 mbi një regjistër që kushtoi 15 mln lekë.

Partneriteti Publik Privat në shërbim të qytetarëve

Për të qartësuar zhvillimet kaotike të koncesioneve të deritanishme buxheti 2016 bëri të mundur ndërtimin e regjistrit të koncesioneve me fond 5 mln lekë, i cili do të bëjë transparencë të plotë mbi ecurinë e koncesioneve dhe përdorimin e fondeve nga ana e tyre. Ndërsa “Ligji Organik i Buxhetit” vendosi qartësisht rregulla për të mos lejuar pagesa vjetore të koncesioneve mos të jete me e lartw se 5% i fondit të grumbullur nga tatimet e vitit paraardhës. 

Kemi ende shumë për të bërë...

Për vitin 2017 projektbuxheti i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të jetë rreth 2 miliardë e 51 milion lekë (2.051 mln lekë) i ndarë në 1.051 miliardë lekë investime dhe 1 miliardë lekë shpenzime operative. Synimi i MZHETTS është:

Përmirësimi edhe më shumë i klimës së biznesit

Raporti “Doing Business”, pavarësisht nga klasifikimi në pozicionin e 58-të që i bën Shqipërisë, lë detyra për 2017-ën, se çfarë duhet të bëjmë më mirë. Lidhur me këtë synojmë të reduktojmë barrierat administrative për lejet dhe licencat, kërkojmë reformën në fushën e autorizimeve, kërkojmë të çojmë më tej projektin “Paperless” prandaj Qendra Kombëtare e Biznesit duhet mbështetur me fonde. 30 mln lekë janë vënë në dispozicion të QKB-së për përmirësimin e vazhdueshëm të një programi të ri software-sh. Aplikimi i softeve dhe algoritmeve të caktuara kërkon që vëmendja për përmirësimin e algoritmeve dhe të përditësimit të softëwere-ve të jetë vazhdimisht prezent. Nga ky fond 11 mln lekë është vendosur në dispozicion të ofrimit të disa shërbimeve të reja në kuadër të bashkimit ndërkufitar quke qenë se ndërlidhja është një projekt shumë i rëndësishëm për ne. Vazhdon mbetet shumë e rëndësishme që ky projekt të shkojë përpara dhe Shqipëria të mbajë po atë rol që ka pasur deri më tani, një rol orientues për të gjitha vendet e Ballkanit lidhur me “Joint Action Plan” (Aksioni i Masave të Buta) përsa i takon minimizimit të barrierave jo tarifore dhe harmonizimit të kuadrit rregullator për ndërlidhjen rajonale.

Në fushën e mbështetjes për zhvillimin ekonomik (589 mln leke) për nxitjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit, do të financojmë mbështetjen e biznesit duke krijuar kushtet e favorshme dhe lehtësira si në aspektin financiar edhe në atë logjistik duke rritur numrin e shërbimeve të dixhitalizuara. 88 mln lekë financim në mbështetje të biznesit nëpërmjet fondeve të AIDA ku do të përfitojnë një numër ndërmarrjesh të cilat lidhen kryesisht me konkurrueshmërinë, me kreativitetin, me Start Up-et, me skemën e mbështetjes së grave në biznes. Për herë të parë këtu kemi futur dhe dy komponentë të rinj që kanë të bëjnë me mbështetjen e sipërmarrjes turistike. Kësaj shume i shtohen edhe 24 milionë lekë, nga ky fond do të shkojnë në mbështetje të sipërmarrjes turistike për t’i dhënë më shumë mbështetje ekonomisë së vendit.

Në fushën e mbështetjes për mbikqyrjen e tregut, infrastrukturën e cilësisë dhe pronësisë (96 ml leke) do të vazhdojmë të mbështesim forcimin e infrastrukturës së metrologjisë, në mbrojtje të konsumatorit. Vlera e financimit në dispozicion për këto është 37 mln lekë ku synohet dixhitalizimi i procesit të akreditimit në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit për mbështetje të shitjes së standardeve për 16 sektorë të biznesit dhe adaptimin e standardeve ndërkombëtare si Standarde Shqiptare të CEN/CENELEC, ETSI, IEC dhe ISO. Gjithashtu, kjo synon edhe rritjen e numrit të markave dhe patentave të regjistruara. Përveç kësaj, do të vazhdojmë të mbështesim ndërgjegjësimin e konsumatorëve për të drejtat e tyre dhe përdorimin e ndihmës shtetërore duke financuar fushatat sensibilizuese.

Në fushën e lehtësimit të tregtisë Komiteti i Lehtësimit të Tregtisë në bashkëpunim me AIDA edhe me sipërmarrjen do të angazhohen të nxisin dhe të zgjerojnë mundësitë e eksportit të kompanive shqiptare sipas MTL ekzistuese dhe të reja për këtë është angazhuar një fond prej 6mln lekë, që do të mundësojë krijimin e një Help Desk-u dhe do të shpërndajë më shumë informacione mbi procedurat jo tarifare dhe kërkesat e tjera teknike sipas produkteve në tregjet ku eksportohet. Ky Help Desk do të përdoret gjithashtu edhe si burim informacioni për të stimuluar nevojën për mbështetje të sipërmarrjes në drejtim të inovacionit të proceseve të punës.

Në fushën e zhvillimit të turizmit (34 mln lekë) për vitin 2017, do të vazhdojmë të financojmë promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik, përmirësimin e cilësisë dhe infrastrukturën e turizmit, si dhe nxitjen e investitorëve në këtë fushë. Kemi vënë në dispozicion një fond prej 42 milionë lekësh që do të ketë efekt në promovimin e Shqipërisë turistike.

Do të vazhdojë të promovohet Shqipëria turistike në panaire ndërkombëtare, por promovimi në këto panaire do të bëhet mbi bazën e analizave të një viti më parë dhe kërkimin e tregut për kërkesën ndaj destinacionit. Në panairin e Shtutgartit për herë të parë në historinë e pjesëmarrjes në panaire Shqipëria bëhet një vend partner, ky përfaqësim do të mbeshtetet me një fond prej 25 mln lekë.

Por do të synohet të ndërtohen bazat për cilësinë e shërbimit të industrisë mikpritëse. Për këtë arsye në vitin 2017 janë parashikuar 77 mln lekë në nxitje dhe plotësimin e kërkesave të cilësisë.

Edhe prezenca e projekteve të huaja në Shqipëri në fushën e zhvillimit ekonomik, turizmit, tregtisë dhe sipërmarrjes, siç është GIZ, BE, SDC, BB kërkon gjithashtu një angazhim të stafit dhe të financave të MZHETTS. Financimi i dedikuar për këto projekte është 18 mln lekë dhe përfitimi prej tyre në vitin 2017 është 600 mln lekë (totali është 1,8 mld grante dhe 5,5 mld kredi).

Arritjet e deritanishme kanë treguar me shifra se planifikimet buxhetore kanë sjell rezultate të suksesshme gjatë këtyre viteve të fundit, prandaj me këto hapësira që ka buxheti i vitit 2017, MZHETTS, do të vazhdojë edhe këtë vit që vjen, të mbështesë sipërmarrjen, tregtinë dhe turizmin me qëllim zhvillimin ekonomik të vendit. MZHETTS do të mbetet gjithnjë bashkëpunuese për të informuar në mënyre transparente mbi impaktin social të fondeve të përdorura. 

MZHETTS është e sigurt, se buxheti  i vitit 2017, do të garantojë realizimin e të gjitha detyrave të marra përsipër!

Faleminderit!