Postuar më: 08 Shtator 2016

Fjala e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, në Parlament

Të nderur Deputetë.

E nderuara Drejtuese e seancës.

Desha te ndalesha te Konventa që po  miratojmë sot për Mbrojtjen e Peizazheve, pasi është me rëndësi për nxitjen e turizmit, i cili është një aktivitet ekonomik që i jep mundësi rritjes ekonomike në vend. Mbrojtja e peizazheve, duke ardhur si një Konventë e hartuar në fillimet e vitit 2000, në zemër të Europës, në Firence, tregon se ka shumë nevojë që dhe Shqipëria të jetë pjesë përbërëse e të gjithë atyre vendeve që marrin përsipër të ruajnë peizazhet dhe ta kthejnë atë në një të mirë publike dhe ekonomike.

Dua të sjell në vëmendje se, qeveria është përpjekur shumë fort gjatë kësaj periudhe dhe ka marrë disa angazhime, në mënyrë që rritja ekonomike e Shqipërisë të bëhet e qëndrueshme dhe dy kanë qenë faktorët kryesorë që kanë çuara përpara këtë rritje, eksporti dhe turizmi.

Ndaj me ju me shumë kënaqësi që numri i atyre që vizituan Shqipërinë si turistë të sezonit turistik veror u rrit me 500 mijë turistë në krahasim për periudhën qershor, korrik, gusht të vitin e kaluar ose një rritje të fluksit turistik me 18 për qind. E gjitha kjo përkthehet në më shumë të punësuar në sektorin e turizmit dhe në më shumë kontribut në GDP kombëtare.

Por, nuk mjaftojnë vetëm këto shifra. Gjithashtu, unë dua të ndaj me shumë kënaqësi se gjithë përpjekjet e qeverisë gjatë kësaj periudhe, për të pasur një rritje ekonomike të qëndrueshme, janë përgëzuar nga institucionet ndërkombëtare, siç është Banka Botërore e cila, në raportin e saj të pranverës së këtij viti, tregoi se Shqipëria ishte një ndër vendet Ballkanike që qëndronte në një nivel mesatar por të konsoliduar në arritjen e stabilitet ekonomik në rajon dhe së bashku me vendet e tjera Ballkanike kishte bërë përpjekje për të hequr nga varfëria 140 mijë individë.

Gjithashtu, ka edhe një deklaratë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në fund të gushtit të këtij viti, ku Fondit Monetar Ndërkombëtar flet për qëndrueshmërinë fiskale të Shqipërisë dhe për këtë arsye, në vrojtimin e tetë që i bën ekonomisë kombëtare, miraton edhe mbështetjen buxhetore për vendin tonë.

Natyrisht që këto janë lajme të mira por, rritja e GDP-së do të bënte më shumë kuptim në qoftë se i referohemi dhe një indikatori tjetër botëror që është indeksi i zhvillimit social të një vendi. Ky indikator është matur për 133 vende dhe Shqipërinë e rendit në 68 vendet e para me indikator më të suksesshëm, duke zënë vendin e 52-të. Kjo do të thotë se GDP-ja që ne arritëm në vendin tonë dha një kontribut në përmirësimin e nevojave bazike të popullatës, në përmirësimin e nivelit të jetesës, dhe të rritjen e oportuniteteve që ofron kjo qeverisje sot për të gjithë njerëzit që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.

Dua të sjell në vëmendjen tuaj, se këto oportunitete lidhen me oportunitetet ekonomike që u ofruan bizneseve dhe kanë të bëjnë  me mundësinë që bizneset shqiptare patën gjatë kësaj periudhe për të qenë aktivë dhe për të përfituar nga shumë fonde të vëna në dispozicion qeveria. Një nga këto fonde është Fondi i Konkurrueshmërisë, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet e rëndësishme në Ballkan për oportunitetin që i jep biznesit. Për periudhën 2014-2016 kanë përfituar nga ky fond 68 kompani, me një sasi fondi 72 milionë lekë, ndërsa përsa i takon bizneseve të reja, të cilat shfaqen si iniciativa Start Up të atyre të rinjve që punësohen në Shqipëri  numri i kompanive që kanë përfituar është 23, me një sasi fondi prej 7.2 milionë lekë.

Për të ndihmuar më mirë përmirësimin e jetës ekonomike në shërbim të sipërmarrjes turistike, por dhe për të rregulluar ato që në i quajmë peizazhe artistike të vendit, në Ministrinë e Ekonomisë është vënë një dispozicion të biznesit një fond që njihet si Fondi i Sipërmarrjes Turistike, që po rivitalizon disa nga zhvillimet urbane që janë marrë së fundi. Për shembull, kemi një fond që i dedikohet zhvillimit turistik në zonën e Korçës dhe gara e sipërmarrjeve, nëpërmjet fondit të konkurueshmërisë jep në dispozicion, një fond prej 29 milionë lekë.

Prandaj unë mendoj që Konventa e Peizazheve shërben më shumë për të forcuar industrinë turistike në vendin dhe padyshim për të sjellë më shumë punësim dhe më shumë rritje ekonomike.

Ju faleminderit.