Postuar më: 20 Tetor 2016

Fjala e ministres Milva Ekonomi në parlament

Faleminderit zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Gjatë seancës së sotme u ndanë shumë shifra për mënyrën se si ka ecur ekonomia jonë gjatë vitit 2015.

Në fakt është një realitet i pamohueshëm që përpjekjet e qeverisë për të vendosur reforma strukturore në qendër të vëmendjes së rimëkëmbjes së ekonomisë kanë qenë të dukshme sepse në këtë periudhë ne mund të themi që rritja ekonomike mori formën e qëndrueshmërisë së vet nga një rritje ekonomike më pak se 1 për qind në vitin 2015 kemi një rritje ekonomike që shkon 2.77 për qind. 

Përveç kësaj kemi bërë përpjekjen e pamatë për ta kthyer jetën ekonomike të vendit, sidomos atë që është e lidhur me bizneset, në një formë më të qetë dhe të sigurtë duke i paguar atyre borxhet e prapambetura për aktivitetin e zakonshëm që ato kishin kryer në të kaluarën e tyre, duke shlyer 720 milion dollarë.

Në gjithë këtë lëvizje u përpoqëm që dhe jeta e bizneseve të vogla dhe të mesme të ishte më e rregulluar duke ju lehtësuar atyre tatimet, dhe duke i shkallëzuar ato sipas xhiros vjetore. Për te gjitha bizneset që realizojnë një xhiro vjetore deri 5 milion leke taskat u zeruan. Nga ana tjetër u synua t'i lehtësohej  dhe mënyra dhe mjetet  se si  procedohej  në momentin që hapej një biznes i ri apo aksesimi me sistemin  e taksave dhe te tjera pagesave.

Të gjitha këto u shoqëruan me një platformë, e cila ishte platforma e derregullimit, ndaj sot në momentin që një biznes vendos të mbyllë aktivitetin mund të shikojmë se për një biznes që mbyll aktivitetin lindin katër të rinj dhe kjo duket dhe nga shifra që rezulton në vitin 2015.

Ndërkohë që mendohej për të përmirësuar jetën e biznesit të vogël dhe jetën e popullatës, u vendos taksa progresive, e cila shëroi nga barra shumë individë që kishin një pagë mesatare jo shumë të lartë.

Po ti referohemi shifrave të vitit 2014 dhe 2015 do vëmë re që paga reale në Shqipëri u rrit me 2.2 % pavarësisht se inflacioni ishte rritur me 1.9 %. Të dhëna këto që vijnë nga INSTAT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. ( paga reale mesatare në vitin 2014 ishte 45,539 lek/muaj ndërsa në vitin 2015 ishte 46,829 lek/ muaj) 

Ndërkohë një shifër tjetër shumë e rëndësishme dëshiroj të ndajë. Ndërsa synohej për një model ekonomik i cili nuk mbështetej më tek remitancat, por tek sektorët që sillnin zhvillim, u vendos që të bëhej një përpjekje shumë më intensive për të nxitur ardhjen e investimeve të huaja në vend. Fluksi i investimeve të huaja në vend në vitin 2015 rezultoi  të ishte 870 milionë euro, dhe  ne vend operonin rreth  10.580 ndërmarrje të huaja ose të përbashkëta, ndërkohë që përqindja  mbulimit që i vinte nga  investimet e huaja përkundrejt remitancave ishte rreth 72%. Kjo shifër ishte 4 % më e madhe se sa në 2014.

Të gjitha këto përpjekje tregojnë se vëmendja e qeverisë për të shtuar kontributin, për të zhvilluar degë të tilla të ekonomisë të cilat i japin edhe përmirësimin e treguesve sociale ishin shumë të rëndësishme, por në zhvillimin e këtyre sektorëve natyrisht që prioriteti u përqendrua në sektorë strategjikë siç ishte energjia, duke i dhënë përveçse një platformë të re legjislacionit në fushën e energjisë, edhe një mundësi për të investuar më shumë në këtë fushë. Në vitin 2015 ka  400 milionë investime në këtë sektor. 

U vendos në qendër të vëmendjes sektori i turizmit për të promovuar Shqipërinë turistike në rajon, Europë dhe më gjerë dhe për këtë sektor ka investime që shkojnë në vitin 2015, rreth 102 milionë lekë. Me investimet që u bënë në turizëm, Shqipëria shtoi numrin e turistëve në vitin 2015 për 14 për qind më shumë se sa një vit më parë, duke shtuar dhe të punësuarit në këtë sektor, duke shtuar dhe kontributin e GDP-së në këtë sektor.

Qeveria mori gjithashtu edhe masa për ti dhënë një mbështetje sektorit të bujqësisë. Në sektorin e bujqësisë, tendenca e parë ishte tendenca e formalizimit, e cila shoqëronte dhe pjesën jo bujqësore të ekonomisë. Fermerët  filluan të pajiseshin me kartën e tyre fiskale  ose NIPT-in që i mundësonte ato të hynin në transaksione me grumbulluesit në mënyrë më të drejtë dhe të përfitonin kështu rimbursimin e TVSH-në e produkteve . Pra u lehtësua shumë edhe jeta ekonomike e një fermeri që punonte në zona të ndryshme të Shqipërisë. Por ku vit do të shënonte kthimin e vëmendjes drejt infrastrukturës kulluese dhe vaditëse, problem i kahershëm dhe asnjëherë i adresuar siç duhej.

Përveç kësaj qeveria mori përsipër të mbështesë si sipërmarrjen industriale edhe sipërmarrjen bujqësore me disa fonde zhvillimi që ishin të dedikuara për sipërmarrje që lidheshin me aktivitete të cilët kishin të bënin me konkurrueshmërinë, me kreativitetin, me start up-et, me inovacionin. Këto fonde nuk bënin gjë tjetër përveçse u jepnin shansin kompanive të vogla dhe të mesme shqiptare të dilnin më konkurruese në tregun e eksporteve dhe importeve duke ju lehtësuar atyre marrjen e certifikatave dhe regjistrimin e produkteve përkatëse. Fondi  që qeveria  vuri në dispozicion ishte 53 mln lekë dhe gjithashtu garantuan një financim të huaj prej 67, 5 mln lekë.  Ndërsa në bujqësi gjate këtij viti skema  agro 100, nxiti edhe  më shumë prodhimin bujqësor në sera.

Nëse shohim shifrat e eksporteve, përsa i takon shkëmbimeve tregatare   me vendet e BE-së sipas  strukturës totale  në vitin 2015 ato ishin vetëm 2 pikë për qind më të ulta se eksportet  në vitin 2014. Ndërkohë shkëmbimet  e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare me rajonin dhe vendet CEFTA, përsa i takon eksporteve, ai eksport ishte rritur me 12 përqind. Shifrat tregojnë që përpjekjet që ne po bënim për të stimuluar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për ti dhënë atyre një hop në aktivitetin e tyre rezultuan me të dhëna pozitive. 

Është shumë e rëndësishme të themi se përveç fondeve që vuri në dispozicion qeveria për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, qeveria mori përsipër të angazhojë dhe burime të tjera, burime që ishin të lidhura me lehtësimin e fondeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që vinin nga programe të ndryshme të mbështetjes.

Për shembull mund të themi që qeveria kishte lehtësuar mundësinë e marrjes së një kredie italiane për biznesin me kushte lehtësuese që kishte një shumë prej 25 milion eurosh dhe qeveria vet vendosi fondin e garantimit të kredive prej 2.5 milion euro.

Nga ana tjetër fondi që kishte të bënte me zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në një network europian ardhur në ndihmë në Shqipëri ishte 20 milionë euro dhe fondi i garancisë që qeveria vuri në dispozicion për këtë kishte të njëjtën shumë.

Përfituesit e këtyre fondeve kanë një aktivitet më të shtuar, kanë ndihmuar proceset e tyre të prodhimit në pjesë të ndryshme si për shembull në marrjen e një makine frigoriferike, në punësimin e më shumë punëtorëve për të cilët ka pasur gjithashtu një skemë lehtësuese, skemë e cila kishte të bënte jo vetëm me faktin që ato mund të trajnoheshin duke bërë procesin e prodhimit, por gjithashtu qeveria merrte përsipër të paguante edhe një skemë të sigurimeve shoqërore për 6 muaj dhe pagesën minimale për 4 muaj.

Po të shohim edhe të dhënat që vijnë nga ndihma shtetërore, padyshim ato tregojnë se numri i të punësuarve që erdhi falë ndihmës shtetërore dhënë këtyre ndërmarrjeve, rezulton të jetë rreth 6-7 mijë individë më shumë të futur në procesin e prodhimit.

Unë mendoj se të gjitha përpjekjet bënë të mundur që Shqipëria të rankohej në të dhënat ndërkombëtare në një situatë më të mirë.

Banka Botërore në një studim që bën për rajonin flet për mundësinë që kishin individët e  vendeve të Ballkanit për të dalë nga varfëria. Dhe kur mat daljen nga varfëria për individët shqiptar ajo tregon se ashtu sikurse vendet e tjera të Ballkanit, edhe Shqipëria ka punuar intensivisht për të mundësuar  daljen nga varfëria të individëve që jetonin nën këtë nivel. Numri i individëve që kanë dalë nga varfëria në gjithë rajonin është 140 mijë individë, dhe Shqipëria nuk mund ti mungonte kësaj përpjekje.

Një tjetër shifër e rëndësishme që vlen të ndahet sot është përsa i përket indikatorit të zhvillimit social, një indikator ky europian, ku Shqipëria është në vendin e 52-të nga 68 vende që vlerësohen të kenë punuar mire. Shqipëria renkohet në këtë pozicion sepse ia ka dalë të plotësojë nevojat bazike të individëve dhe ti japi atyre shanse për mundësi të barabarta.

Të gjitha këto arritje dëshmojnë  që përpjekja për një  2015 me një parashikim më të qëndrueshëm të ekonomisë të jetë vërtet  një përpjekje e suksesshme, e cila vazhdon dhe konfirmohet nga 2 mujorët e parë të 2016  ku rritja ekonomike është konsoliduar ne nivelet 3-3,2 % gjithashtu është konsoliduar dhe aktiviteti i lehtësuar i bizneseve dhe natyrisht dhe komunikimi që biznesi ka vendosur me qeverinë.

Prandaj masat lehtësuese që po merren sot për të shtuar fuqinë eksportuese të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë janë padyshim masa që do ti vijnë në ndihmë zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë sonë kombëtare.

Ju faleminderit.