Postuar më: 23 Dhjetor 2016

Fjala e Ministres Ekonomi ne aktivitetin: Modelet e investimeve jashtë buxhetore‎

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi me temë: “Modelet e investimeve jashtë buxhetore: Partneriteti Publik Privat”. Ky aktivitet përkon me dy vjetorin e krijimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi. I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Genti Sejko.

Ministrja Ekonomi tha në fjalën e saj se tashmë rritja ekonomike e Shqipërisë është e qëndrueshme dhe bashkëpunimi mes qeverisë dhe biznesit ka hyrë në një fazë të re, ku edhe ndryshimet që bëhen në legjislacionin fiskal vijnë si rezultat i komunikimit të shtuar mes biznesit dhe qeverisë. Në Shqipëri, tha Ministrja, ka shumë mundësi në përmirësimin e shërbimeve publike, si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, por edhe në sektorin e turizmit, si një sektor nxitës i zhvillimit ekonomik të vendit. Ministrja tha se ndryshimet në ligjin për partneritetin publik privat zgjeruan hapësirën ku mund të zbatohen projektet PPP dhe më e rëndësishme, shuma për projektet PPP nuk duhet tejkalojë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës buxhetor. 

Ministrja bëri me dije se në muajin janar të vitit 2017 qeveria do të lançojë projektin “One Billion Project Financing”, i cili është i orientuar kryesisht drejt infrastrukturës, shëndetësisë, edukimit dhe turizmit, ku partnerët kryesorë në realizimin e këtij projekti do të jenë padyshim bankat, kur projektet që do të financohet duhet të jenë serioze dhe të mbartin me vete sa më pak risk në momentin që ato zbatohen. “Qeveria e Shqipërisë e vlerëson si shumë të rëndësishëm këtë projekt sepse ky mund t’i japë rritjes ekonomike një frymë të re dhe padyshim mund të rrisë dhe perspektivën që ka Shqipëria për tu zhvilluar dhe performuar më mirë, si dhe për të plotësuar më mirë nevojat e popullatës”, tha Ekonomi.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Genti Sejko pohoi se interesi për projektet të partneritetit publik privat në Shqipëri ka ardhur në rritje, si për projekte thelbësore në infrastrukturë ashtu dhe për përmirësimin e shërbimeve publike në përgjithësi. Përdorimi i PPP, tha Sejko; mund të rezultojë i dobishëm për sigurimin e mjeteve të domosdoshme financiare për përmirësimin e infrastrukturës, për rritjen e ekspertizës dhe efektivitetit në administrimin e shërbimeve publike, si dhe për sigurimin e një procesi të qëndrueshëm përafrues me partnerët më të zhvilluar. “Këto bëhen dhe me relevante kur financat publike janë të kufizuara nga niveli i lartë i borxhit publik apo e mbingarkuar nga prioritete konkurruese”, tha Guvernatori. Në vijim të fjalës së tij, z. Sejko tha se qeveria  duhet të adresojë sa më mirë kostot dhe përfitimet në rastet e partneritetit publik privat, projekte që, në kushtet e Shqipërisë, jo vetëm do të lehtësojnë kushtet e financimit për projektet e reja, por do të bëjnë të mundur që qeveria të përfitojë nga ekspertiza e sektorit privat.

Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi z. Seyhan Pencabligil vlerësoi modelin e ngritur nga qeveria shqiptare për bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore dhe sektorit privat. Vazhdimi i këtij modeli, tha ai, do të nxisë më tej rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitet e ardhshme. z. Seyhan Pencabligil shprehu gatishmërinë për të dhënë ndihmën dhe suportin e nevojshëm për autoritetet shqiptare, në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dhe projekteve të partneritetit publik privat.

Fjala e Ministres Ekonomi:

Faleminderit të gjithëve. Ky takim është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi praktikat tona të partneritetit publik privat në Shqipëri. Është e rëndësishme të shohim së bashku se si ka qenë ecuria që ka pasur Shqipëria në zhvillimin ekonomik; rritja ekonomike në Shqipëri është një rritje e qëndrueshme dhe bashkëpunimi mes qeverisë dhe biznesit ka gjetur një dialog të ri, ku ndryshimet që kërkohen në legjislacionin kombëtar, fiskal dhe të biznesit, të vijnë si rezultat i komunikimit me vetë biznesin. Së fundmi, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria ka një rritje ekonomike midis 3.2 dhe 3.5 për qind dhe në bazë të reformave që janë ndërmarrë Shqipëria mendohet të jetë vendi me rritje ekonomike më të lartë në Ballkan në vitin 2017. Gjithashtu, situata e borxhit, të cilën do të keni mundësi ta dëgjoni nga Guvernatori, lidhet me një disiplinë fiskale e cila siguron dy gjëra: e para, përpiqet të ulë fort informalitetin dhe e dyta lehtëson mënyrën e raportimit financiar që bëjnë ndërmarrjet, qofshin këto dhe banka në sektorin financiar. Kështu që, edhe mbulimi i borxhit ka gjetur përmirësim në këtë vit fiskal që po lëmë. Thënë këtë gjë dua të tregoj se në Shqipëri ka akoma hapësira për të përmirësuar jetën e qytetarëve, sidomos me ato që njihen si shërbime publike ndaj qytetarëve, që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës, që kanë të bëjnë me përmirësimin e strukturave të shkollimit, strukturave që ofrojnë shërbim shëndetësor, por natyrisht që ka shumë për të bërë edhe përsa i takon një sektori që njihet si nxitës i zhvillimit ekonomike të vendit, që është sektori i turizmit.

Deri më tani në Shqipëri janë zbatuar disa vepra në infrastrukturë nëpërmjet modelit PPP.  Modeli i PPP është një model i cili njeh disa kontrata koncesionare ose PPP që janë zhvilluar në Shqipërisë gjatë këtyre viteve të fundit, sepse nga njëra anë ai kërkonte të sillte përmirësimin e nevojave të popullatës dhe nga ana tjetër të balanconte pamundësinë financiare që kishte në një moment të caktuar qeveria për të mbuluar investimet. Kështu që, edhe modelet që vinin nga Europa apo modelet që vinin nga Turqia u përdorën si modele frymëzuese edhe për Shqipërinë.

Të dhënat e Qendrës Europiane të Partneritetit Publik Privat tregojnë që për vitin 2016 rritje e fondeve në PPP ishte gati 72 për qind në rajonin europian, në krahasim me një vit më parë. Në Shqipëri, për të menaxhuar më mirë këtë politikë të projekteve me Partneritet Publik Privat, u amendua ligji i partneritetit i vitit 2015, i cili synonte kryesisht të ulte rrezikun  që vinte nga vetë projektet e PPP. Ligji solli hapjen e llojit të shërbimeve PPP që propozoheshin dhe për këtë arsye u përfshinë projekte që vinin në fushën e shëndetësisë, në fushën e mjedisit, së dyti i dha një kohë të caktuar shkrimit dhe parashkrimit të një projekti PPP për tu marrë në diskutim nga komisionet përkatëse, administroi më mirë kohën e prezantimit, së treti rriti transparencën duke krijuar detyrimin që çdo kontratë koncesionare ose PPP të futej në një regjistër unik- kombëtar, dhe një herë në vit, nga ky regjistër, të raportohej mbi ecurinë e koncesioneve dhe PP në vend. Por, ajo që ishte më e rëndësishme ishte masa e PPP që mund të financohej në buxhetin e Shqipërisë, e cila nuk duhet të kalonte 5 për qind të të ardhurave tatimore mbledhur një vit më parë. Kështu që, ju mund të kuptoni që në ministrinë e Financave presioni për të mbledhur të ardhurat tatimore jo vetëm që është një presion kundër informalitetit, por është gjithashtu dhe një presion për të financuar projekte jashtë buxhetore.

Qeveria po bëhet gati që në janarin e vitit 2017 të lançojë një projekt që është “One Billion Project Financing”, i cili është i orientuar kryesisht drejt infrastrukturës, shëndetësisë, edukimit dhe turizmit, ku partnerët kryesorë në realizimin e këtij projekti do të jenë padyshim bankat, por natyrisht që duhet të jenë projekte të shkruara mirë, të cilat mbartin me vete sa më pak risk në momentin që ato zbatohen.

Qeveria e Shqipërisë e vlerëson si shumë të rëndësishëm këtë projekt sepse ky mund t’i japë rritjes ekonomike një frymë të re dhe padyshim mund të rrisë dhe perspektivën që ka Shqipëria për tu zhvilluar dhe performuar më mirë, si dhe për të plotësuar më mirë nevojat e popullatës. Aktualisht të gjithë ministritë që janë në dispozicion të këtyre sektorëve, infrastrukturës, shëndetësisë, edukimit dhe edukimit profesional janë gati për të prezantuar nevojat që ato kanë, kështu që edhe koha e fillimit të këtyre projekteve të financimit do të jetë e shpejtë. 

Siç e shihni, perspektiva e PPP ka hapësirë sepse nga njëra anë është ideja dhe nga ana tjetër është hapësira që ne kemi sepse aktualisht nga fondi 5 % i të ardhurave tatimore të vitit paraardhës janë përdorur midis masës 2-2.5 për qind. Kështu që, thirrja është e hapur për bashkëpunime të ardhshme.

Unë besoj që për Dhomën tuaj ky është një informacion i vlefshëm dhe që sjell mundësi për të pasur më shumë ide se si mund të punohen në Shqipërinë e vitit që vjen.

Faleminderit.