Postuar më: 15 Tetor 2016

Takimi ministres Ekonomi me ambasadorin Pedro Pablo San Jorge. Kuba kërkon produktet “Made in Albania”.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Znj. Milva Ekonomi  priti në ambientet e MZHETTS  e ambasadorin e Kubës në Bullgari Z. Pedro Pablo San Jorge, i cili mbulon edhe Shqipërinë. Qëllimi i takimit lidhej me intensifikimin e  marrëdhënieve tregtare edhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kubës pasi është larg potencialit që ekziston.

Ministrja Ekonomi shprehu nevojën e  firmosjes të një Memorandumi Mirëkuptimi i cili do të promovojë zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve  dy palëshe pasuar nga memorandume të bashkëpunimit ekonomik, investimeve  si dhe ato për turizmin.

Duke u ndalur në shkëmbimet tregtare ministrja Ekonomi u shpreh se “ eksportet shqiptare të   bulmetit, vajit te ullirit, mjaltit dhe bimëve medicinale tashmë janë  shumë të suksesshëm në tregjet botërore. Sëbashku me komunitetin e biznesit duhet të shikojmë mundësitë që këto produkte Made in Albania të mbërrijnë edhe në tregjet kubaneze”.

Ndërkohë ministrja e ekonomisë i  theksoi ambasadorit edhe nevojën e shkëmbimit kulturor nëpërmjet turizmit dhe jo vetëm.

Ministrja në vazhdim të bisedës u shpreh se “qeveria shqiptare e inkurajon Kubën për të shqyrtuar qëndrimin e saj në njohjen  e pavarësisë së Republikës së Kosovës”, gjë të cilën nuk e ka bërë ende.

Për këtë ambasadori u shpreh  se “çështja është duke u marr në konsideratë nga qeveria e Kubës”.

Gjatë bashkëbisedimit  ambasadori Pedro Pablo San Jorge e vuri theksin në  rëndësinë e hartimit të protokolleve të bashkëpunimit në shumë fusha midis dy vendeve.

Duke i bërë një panoramë të situatës në Kubë, ambasadori  shprehu qasjen e politikës së Kubës kundrejt tërheqjes së investimeve të huaja në vend dhe suksesit të arritur me shumë vende të Bashkimit Evropian.

“ I vlerësoj  mundësitë e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe shikoj se ekzistojnë  oportunitete  tregtare të shumta mes Kubës dhe Shqipërisë. Investimet shqiptare në Kubë janë të mirëseardhur” u shpreh ambasadori Pedro Pablo San Jorge.

Në këtë kuadër Ambasadori e pranoi propozimin e ministres Ekonomi për nënshkrimin e  një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, përfshi edhe shtimin e kontakteve midis institucioneve përkatëse.

Ambasadori shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në turizëm, e sidomos tërheqjen e investimeve në marinat detare dhe fushat e golfit. Sikurse edhe për tërheqjen e investimeve shqiptare drejt Kubës  në energji, atë te ujit dhe të erës, duke e konsideruar vendin tonë me eksperiencë në sektorin hidroenergjetik.

Ai përmendi gjithashtu interesin e pasjes të investimeve shqiptare  në fushën e përpunimit të ushqimit, bujqësisë, ndërtimit dhe infrastrukturës si dhe të eksportimit të produkteve shqiptare drejt Kubës.