Postuar më: 02 Maj 2016

Reagimi për akuzat e PD,dhënien e koncesioneve me preferenca klienteliste

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes i përgjigjet akuzave që kanë dalë sot nga Partia Demokratike për “dhënien e koncesioneve” për shërbime klienteliste, duke argumentuar si më poshtë të vërtetën:

Së pari, ky është procesi i dhënies me qira me tarifën simbolike 1 Euro, në kuadër të zhvillimit dhe forcimit të sipërmarrjes private, drejtuesit e të cilëve kanë guximin dhe iniciativën të zhvillojnë aktivitete ekonomike në rritje të prodhimit vendas. 

Së dyti, përfitimi i këtyre kontratave është bërë mbi bazën e garave të hapura,  të shpallura në Agjencinë e Prokurimit Publik,  në Buletinet e APP Nr. 40, datë 12.10.2015 dhe Nr. 46, datë 23.11.2015 .

Në këto gara kanë marrë pjesë subjekte të ndryshme; gara për Agjencinë e Rezervave të Shtetit një subjekt, dhe gara për NPV Durrës, 2 subjekte.

Ideja e dhënies së pasurive shtetërore me çmimin 1 Euro, me qëllim zhvillimin e pronës shtetërore dhe nxitjen e punësimit mishërohet dy investime që janë kryer dhe planifikohet të realizohen nga kompanitë “ROZAFA” SHPK dhe “KASSEL” SHPK, të mirënjohura në Shqipëri për cilësinë dhe produktet që i sjellin tregut shqiptar e më gjerë.

Lidhur me citimin nga Partia Demokratike të dy vendimeve të Këshillit të Ministrave përkatësisht, vendimit Nr. 873, datë 30.10.2015 të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 Euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si Qiradhënës dhe shoqërisë “ROZAFA” SHPK si Qiramarrës, për pasurinë “Objekte të Agjencisë së Rezervave të Shtetit Labinot,  Elbasan”, dhe vendimit Nr. 260, datë 6.04.2016 të Këshillit të Ministrave “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 Euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si Qiradhënës dhe shoqërisë “Kassel” SHPK si Qiramarrës, për pasurinë “Objekti Nr.2 (ish fabrika e Tuba Rrypa) Nr. 14/a (Ish Reparti i kompresorëve) dhe Nr.20, të ish-Ndërmarrjes “Goma” Durrës, të “NPV” SHA, Durrës” sqarojmë:

Janë dy vendime të qeverisë që ia hapin rrugë kryerjes së një investimi prej rreth 8 milionë Euro dhe punësimit të rreth 800 punonjësve, pa përmendur shndërrimin e pasurive shtetërore të degraduara në fabrika moderne të standardeve evropiane.

Kompania “ROZAFA”SHPK  ka investuar deri më sot 2 milionë Euro për ndërtimin e një fabrike moderne të përpunimit të peshkut, si dhe punësuar rreth 300 punonjës. Ky investim është në zhvillim e sipër, pasi nuk janë përmbushur akoma të gjithë fazat e investimit të marra përsipër nga kjo kompani në planin e biznesit të dorëzuar prej konkurrimit të zhvilluar.

Kompania “KASSEL” SHPK,  sapo ka firmosur kontratën për kryerjen e një investimi mbi 5 milionë Euro dhe punësimin e të paktën 250 punonjësve kur të ndërtohet e të fillojë punë fabrika e prodhimit të produkteve metalike dhe të drurit për fushën e ndërtimit, etj.

Faktet zbulojnë të vërtetat, të cilat nuk duhen mohuar, më keq nëse ato deformohen për publikun e gjerë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është e bindur për të vazhduar angazhimet e saj të mëtejshme në zhvillimin e ekonomisë, dhe bënë lutje për të gjithë të interesuarit të drejtohen pranë burimeve zyrtare përgjegjëse për t’u informuar në mënyrë korrekte. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes premton transparencë në cdo hap të punës së saj që kryen në shërbim të vendit.