Postuar më: 06 Tetor 2016

Ministrja Ekonomi: Të punojmë për mënjanimin e barrierave jotarifore për eksportet shqiptare

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi, në bashkëpunim me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, organizoi një takim me kompanitë eksportuese, ku ishin të ftuar edhe përfaqësues të autoriteteve doganore, tatimore, AKU si dhe këshilltarja e kryeministrit për ekonominë Irena Beqiri.

Ministrja Milva Ekonomi theksoi se MZHETTS po punon për një qasje të re, të orientuar ndaj rezultateve, për të adresuar problemet konkrete që hasin eksportuesit tanë në aksesimin e tregjeve dhe për krijimin e një partneriteti biznes-qeveri për maksimizimin e lehtësimit të barrierave.

“Takimi i sotëm është fillimi i një bashkëbisedimi me ju për të ndarë me ju lehtësitë që i ofrohen aktualisht eksportuesve, si dhe për të identifikuar barrierat jotarifore që krijojnë kosto të panevojshme për biznesin ose pengojnë eksportet shqiptare.”

Ministrja Ekonomi i bëri një përmbledhje asaj çfarë është arritur deri më tani me politikat liberalizuese si: heqja e tarifave doganore me vendet e BE, CEFTA, EFTA dhe Turqi për pjesën më të madhe të produkteve, progresi në thjeshtësimin e procedurave doganore, njohja ndërkombëtarisht e rezultateve të testimit të laboratorëve të akredituar shqiptarë, përafrimi i legjislacionit, dhe krijimi i Komitetit të Koordinimit të Politikave Tregtare dhe Lehtësimit të Tregtisë.

Gjithashtu Ministrja bëri me dije  eksportuesit se MZHETTS  duke konsideruar edhe duke përfituar nga rregullat e origjinës së Konventës PEM (Pan Euro MED), po hulumton për mundësitë e reja të eksportit të produkteve shqipatre. Për këtë ne mirëpresim sugjerimet tuaja në drejtim të vendeve me interes për të pasur marrëveshje të tregtisë së lire”.

Me mbështetjen e Bankës Botërore, MZHETTS ka  përfunduar hartimin e  planit të veprimit për lehtësimin e tregtisë dhe konektivitetin (JAP) me vendet e rajonit.

Propozimet e ministres Ekonomi

Në kuadër të lehtësirave për eksportuesit shqiptarë ministrja Ekonomi propozoi krijimin e një helpdesk-u në ndihmë të eksportuesve për shqyrtimin e kërkesave të tyre, të mbështetur me një sistem të dhënash online, i cili do përmbajë të dhënat e nevojshme për eksportuesit dhe importuesit në lidhje me barrierat tarifore dhe jo tarifore, sipas vendeve dhe sektorëve. Fillimisht mund të fillojmë me disa sektorë prioritarë dhe vende pilot, i cili do të përditësohet në vijimësi.

“Ky helpdesk duhet të funksionojë në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që të merrni përgjigje për pyetjet që keni dhe të bëjmë të gjithë përpjekjet për t’jua zgjidhur problemet në një kohë sa më të shkurtër. AIDA po punon për përgatitjen e një guide për eksportuesit që mendojmë se do të jetë një dokument ndihmës.” u shpreh Ekonomi.

Nikolin Jaka: Qeveria po dëgjon shqetësimet sipërmarrjes

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka falënderoi iniciativën e Ministres për të dëgjuar dhe adresuar shqetësimet e eksportuesve. Zoti Jaka theksoi që biznesi tashmë është prezent dhe i përfaqësuar në disa institucione, si Komiteti i Lehtësimit të Tregtisë, Këshilli i Investimeve dhe Këshilli Ekonomik Kombëtar.

Sipas Z. Jaka iniciativat rajonale për liberalizimin e tregut duhet të shihen ngushtë me zhvillimin e prodhuesve shqiptarë.

Duke u ndalur në integrimin e Shqipërisë në BE, Z. Jaka tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që biznesi të jetë i përfshirë në procesin e negocimit, si një zë në mbrojtje të interesave ekonomike kombëtare. Vlerësoj maksimalisht ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku sipërmarrja është pjesë aktive”.

Kërkesat e Eksportuesve

Eksportuesit pjesëmarrës në këtë mbledhje kërkuan ndërhyrje për thjeshtimin e mëtejshëm të procedurave të zhdoganimit, funksionimin e shërbimit në dogana me orar më të zgjatur , përdorimin e instrumentit të reciprocitetit në rastin e pengimit të pajustifikuar të produkteve shqiptare në vendet e CEFTA-s. Rishikimin e regjimit të taksës së ambalazhit, rishikimin e tarifave të shërbimit të portit të Durrësit etj. Ndër të tjera, eksportuesit ngritën edhe nevojën e mbështetjes së qeverisë për pjesëmarrje të bizneseve eksportuese në panaire.

Në përfundim të takimit, Ministrja Ekonomi shprehu angazhimin e saj dhe të gjitha institucioneve shqiptare në adresimin e problematikave të evidentuara gjatë këtij takimi dhe vijimin me takime të tjera pune sipas grup produkteve dhe eksportuese të cilët ballafaqohen me barriera jotarifore të ndryshme.