Postuar më: 25 Tetor 2016

Ministrja Ekonomi: Ndihma Shtetërore në 2015 ishte 6.2 miliard lekë. U punësuan 8350 persona

Në mbledhjen e radhës së Këshillit Ekonomik Kombëtar, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi i njohu anëtarët e Këshillit me të dhënat e raportit vjetor të Komisionit të Ndihmës Shtetërore.

“Totali i Ndihmës Shtetërore dhënë për vitin 2015 ishte 6.2 miliard lekë. Sektori i bujqësisë përfitoi 1.5 miliard lekë. Nga Fondi i Ndihmës për vitin 2014 dhe 2015 u punësuan gjithsej 8350 persona, gjithashtu u  mbështetën 853 ndërmarrje. U trajnuan 2371 persona, ndërkohë që u punësuan 43 persona me aftësi të kufizuar”- tha ministrja Ekonomi.

Gjatë fjalës së saj ministrja e MZHETTS dha të dhëna dhe për ndihmën shtetërore për kryerjen e proceseve teknologjike në serat me ngrohje për prodhimin e produkteve industrial dhe agro-industriale.

“38 sera në vitin 2014 përfituan rimbursimin akcizë për lëndët djegëse në vlerën 478. 927. 252 lekë. Në vitin 2015 kanë përfituar 13 subjekte në vlerën 1.130.860.778 lekë”- u shpreh ministrja Ekonomi.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka ngritur Komitetin e Lehtësimit të Tregtisë që mbështetja për konkurrueshmërinë të vazhdojë dhe të jetë efikase. MZHETTS ka vënë gjithashtu në dispozicion adresën shqetesime.eksporti@ekonomia.gov.al ku çdo eksportues që ka shqetësime mund të komunikojë nëpërmjet kësaj adrese e-mail-i.