Postuar më: 16 Korrik 2015

Ligj nr. 77/2015 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, të ndryshuar

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

Në ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

Neni 1

Në nenin 3, pika 12 riformulohet si më poshtë:

“12. “Subjekti për qëllime të veçanta (SPV)” është:

a)    një person juridik privat, me seli në Republikën e Shqipërisë, i krijuar me kërkesë të autoritetit kontraktues nga operatori ekonomik i zgjedhur si ofertuesi më i suksesshëm, me të cilin lidhet kontrata;

b) një formë e partneritetit publik privat, për krijimin e një entiteti të përbashkët të partnerit publik dhe atij privat, që kryen punë apo shërbime në bazë të një kontrate koncesioni/partneriteti publik privat dhe ku partneri privat, përveç kontributit në kapital apo asete, kontribuon edhe me pjesëmarrje aktive në menaxhimin e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat. Kontributet e thjeshta të kapitalit nga investitorët privatë në kompanitë shtetërore nuk përbëjnë SPV.”.

 

Neni 2

Në nenin 4, pika 1, pas shkronjës “m” shtohet shkronja “n” me këtë përmbajtje:

“n) bujqësi.”.

 

Neni 3

Në nenin 5, pika 1, shkronja “i” riformulohet si më poshtë:

“i) për ndërtimin dhe shfrytëzimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 138/2013 “Për burimet e rinovueshme të energjisë”, përveç hidrocentraleve me kapacitet të instaluar mbi 2 MW.”.

 

Neni 4

Neni 7, “Koncesionet për hidrocentralet”, shfuqizohet.

 

Neni 5

Pas nenit 9 shtohet neni 9/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 9/1

Ministria përgjegjëse për ekonominë

Ministria përgjegjëse për ekonominë është institucioni përgjegjës, i cili orienton dhe harmonizon veprimtaritë për zhvillimin e koncesioneve /partneriteteve publike private.”.

 

Neni 6

Neni 11 riformulohet si më poshtë:

“Neni 11

Agjencia e Prokurimit Publik

Agjencia e Prokurimit Publik kryen detyrat e mëposhtme:

a) monitoron respektimin e procedurave konkurruese të koncesioneve /partneriteteve publike private, sipas legjislacionit për prokurimet publike, pas nënshkrimit të kontratës dhe, në rast të shkeljeve të këtij ligji dhe akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij, vendos gjoba ose propozon marrjen e masave administrative;

b)përjashton një operator ekonomik, sipas dispozitave të ligjit të prokurimit publik, nga pjesëmarrja në procedurat e koncesioneve /partneriteteve publike private;

c) kryen publikimin e dokumenteve standarde të tenderit.

 

Neni 7

Paragrafi i parë i nenit 12 numërtohet “1” dhe pas tij shtohen pikat 2, 3, 4 me këtë përmbajtje:

“2. Njësia e Trajtimit të Koncesioneve /Partneriteteve Publike Private asiston autoritetet kontraktore me qëllim:

a) përgatitjen e studimit të fizibilitetit;

b)  përgatitjen e dokumenteve të procedurës konkurruese dhe kritereve të vlerësimit;

c)  vlerësimin e propozimeve dhe përcaktimin e ofertuesit më të mirë;

ç) kryerjen e negocimeve dhe nënshkrimin e kontratës së koncesionit;

d)    monitorimin e kontratave të koncesionit.

3.  Njësia e Trajtimit të Koncesioneve / Partneriteteve Publike Private gjithashtu:

a)   propozon pranë ministrit përgjegjës për ekonominë ndryshimin e legjislacionit në fushën e koncesioneve/partneriteteve publike private, si dhe udhëzimet për zbatimin e dispozitave të këtij ligji;

b)  monitoron, analizon dhe studion tendencat aktuale europiane dhe globale të njohurive dhe përvojës në fushën e koncesioneve/partneriteteve publike private;

c)       bashkëpunon me APP-në për hartimin dhe publikimin e dokumenteve standard të koncesionit/partneritetit publik privat.

4.  Mënyra e organizmit dhe funksionimit të Njësisë së Trajtimit të Koncesioneve /Partneriteteve Publike Private përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

 

Neni 8

Në nenin 13 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

1. Pika 2 riformulohet si më poshtë:

“2. Autoritetet kontraktuese janë:

a)    ministritë e linjës;

b)   njësitë e qeverisjes vendore.”.

2. Pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Kur objekt i kontratës së koncesionit / partneritetit publik privat është fushë e veprimtarisë së më shumë se një autoriteti kontraktor, Këshilli i Ministrave me vendim përcakton autoritetin kontraktor/autoritetet kontraktore, sipas rastit.”.

 

Neni 9

Në nenin 14, pika 2 riformulohet si më poshtë:

“2. Regjistri i koncesionit/partneritetit publik privat krijohet dhe mbahet nga Njësia e Trajtimit të Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.”.

 

Neni 10

Titulli i kreut II ndryshohet si më poshtë:

“VEPRIMET PËR DHËNIEN E KONCESIONIT/PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT”.

 

Neni 11

Neni 16 riformulohet si më poshtë:

“Neni 16

Veprimet për dhënien e koncesionit/partneritetit publik privat

1.   Veprime për dhënien e një koncesioni /partneriteti publik privat quhen të gjitha aktivitetet e ndërmarra që nga identifikimi i projekteve deri në fazën e monitorimit të kontratës në zbatim të këtij ligji.

2.  Autoriteti kontraktues mund të angazhojë këshilltarë të jashtëm për të siguruar mbështetjen e ekspertëve në përgatitjen dhe dhënien e projekteve të koncesionit/partneritetit publik privat.

3.  Këshilli i Ministrave miraton rregulla më të hollësishme në zbatim të pikës 1 të këtij neni.”.

 

Neni 12

Në nenin 17, pika 3 shfuqizohet.

 

Neni 13

Neni 18 riformulohet si më poshtë:

“Neni 18

Komisioni i koncesionit/partneritetit publik privat

1.         Për shqyrtimin dhe dhënien e koncesionit /partneritetit publik privat, autoriteti kontraktues, në koordinim me Njësinë e Trajtimit të Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private, krijon komisionin e koncesionit/partneritetit publik privat.

2.         Anëtarët e komisionit duhet të jenë me profesion jurist, ekonomist, profesion teknik dhe profesione nga fusha të tjera përkatëse, në varësi të objektit dhe karakteristikave të koncesionit /partneritetit publik privat.

3. Numri i anëtarëve në komisionin e dhënies së koncesionit/partneritetit publik privat është tek, por jo më pak se 5 anëtarë, nga të cilët jo më pak se 2 janë nga Njësia e Trajtimit të Koncesioneve /Partneriteteve Publike Private. Për projekte koncesioni/partneriteti publik privat, objekti i të cilave është i ngjashëm në natyrë, mund të krijohet një komision i vetëm.

4.    Anëtarët e komisionit të koncesionit /partneritetit publik privat nuk duhet të kenë interes të drejtpërdrejtë ose të tërthortë privat në asnjë prej aktiviteteve që përbëjnë konflikt interesi, në përmbushje të detyrave si anëtarë të këtij komisioni, gjë të cilën ata e konfirmojnë me nënshkrimin e një deklarate që garanton se nuk kanë konflikt interesi, sipas parashikimeve në ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.

5.  Komisioni i koncesionit/partneritetit publik privat kryen detyrat e mëposhtme:

a) harton studimin e fizibilitetit për koncesionin /partneritetin publik privat, përcakton procedurën e zbatueshme për dhënien e koncesionit /partneritetit publik privat dhe harton dokumentacionin e tenderit;

b)          shqyrton dhe vlerëson ofertat e pranuara dhe/ose kërkesat për pjesëmarrje, që janë dorëzuar;

c)           formulon propozimin e përzgjedhjes së ofertës së suksesshme ose propozimin e vendimit për ndërprerjen e procedurës së prokurimit, si dhe një shpjegim të tyre;

ç) kryen të gjitha aktivitetet e tjera që kërkohen për zbatimin e procedurës së koncesionit /partneritetit publik privat, në përputhje me rregulloret në fuqi.

6. Komisioni i dhënies së koncesionit /partneritetit publik privat mban procesverbale për pasqyrimin e punës së tij, të cilat duhet të nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e komisionit.”.

 

Neni 14

Në nenin 19, pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Studimi i fizibilitetit për koncesionin /partneritetin publik privat hartohet nga komisioni i dhënies së koncesionit/partneritetit publik privat brenda 60 ditëve pune nga krijimi i këtij komisioni. Ky afat mund të shtyhet për shkaqe të kompleksitetit të projektit me jo më shumë se 30 ditë pune.”.

 

Neni 15

Në nenin 21, pika 1 riformulohet si më poshtë:

“1. Dokumentet e tenderit hartohen dhe trajtohen nga autoriteti kontraktues, në përputhje me dispozitat përkatëse të këtij ligji.”.

 

Neni 16

Neni 22 riformulohet si më poshtë:

“Neni 22

Procedura për dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private

1.            Procedura për dhënien e koncesioneve /partneriteteve publike private fillon me publikimin e njoftimit të kontratës dhe përfundon me publikimin e njoftimit të fituesit për dhënien e kontratës ose me vendimin për ndërprerjen e procedurës së dhënies së kontratës.

2.            Procedura për dhënien e koncesioneve /partneriteteve publike private, me vlerë mbi kufirin e ulët monetar, bëhet në përputhje me dispozitat përkatëse të ligjit të prokurimit publik, për aq sa nuk parashikohet ndryshe në këtë ligj.

3.  Në dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private, autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurën e hapur, procedurën e kufizuar ose procedurën me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Për të vazhduar procesin e përzgjedhjes së fituesit duhet të pranohet së paku një ofertë e vlefshme.

4. Kur jepen koncesione të punëve publike, afati për dorëzimin e ofertave është jo më pak se 30 ditë nga data e publikimit të njoftimit të kontratës.”.

 

Neni 17

Në nenin 23 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit ndryshohet si më poshtë:

“Kriteret e vlerësimit për dhënien e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat.”.

2. Pikat 1 dhe 2 riformulohen si më poshtë:

“1. Kriter vlerësimi për dhënien e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat është oferta ekonomikisht më e favorshme, bazuar në kritere të ndryshme, të lidhura me objektin e koncesionit /partneritetit publik privat në fjalë, që përfshijnë cilësinë, meritat teknike, karakteristikat estetike, funksionale e të mjedisit, kostot e drejtimit, kosto të efektivitetit, ofrimin e shërbimeve pas dorëzimit të produkteve dhe asistencën teknike, datën e dorëzimit dhe periudhën e dërgesës ose periudhën e përfundimit të punimeve, çmimin e shërbimit për përfituesit fundorë, shumën e tarifës së koncesionit.

2. Komisioni i dhënies së koncesionit specifikon në dokumentet e tenderit dhe në njoftimin e kontratës koeficientët relativë, që ai i jep secilit prej kritereve të zgjedhura për të përcaktuar ofertën ekonomikisht më të favorshme. Këta koeficientë mund të shprehen duke parashikuar një gamë më një shtrirje të përshtatshme maksimale. Kur kjo nuk është e mundur, për shkak të arsyeve të justifikuara, autoriteti kontraktues tregon në njoftimin e kontratës kriteret, sipas rendit zbritës të rëndësisë.”.

3. Pika 3 shfuqizohet.

 

Neni 18

Në nenin 24, pika 3 riformulohet si më poshtë:

“3. Palët e interesuara për procedurën konkurruese kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin ose korrigjimin e dokumenteve standarde të procedurës konkurruese. Kjo kërkesë duhet depozituar brenda 10 ditëve, nga dita e nesërme e publikimit të njoftimit të kontratës. Në rast se dokumentet e procedurës konkurruese ndryshohen ose korrigjohen, afati i fundit për dorëzimin e ofertave mund të shtyhet, në përputhje me rrethanat, por jo më shumë se 10 ditë.”.

 

Neni 19

Në nenin 25 bëhen këto ndryshime:

1.     Pika 2 riformulohet si më poshtë:

“2. Nëse propozimi i pakërkuar konsiderohet i pranueshëm, pas vlerësimit paraprak, autoriteti kontraktues mund të ndërmarrë veprimet për dhënien e koncesionit/partneritetit publik privat. Nuk do të pranohen propozimet e pakërkuara, të shoqëruara me studim në formë minimale.”.

2.    Pikat 3, 4 dhe 5 shfuqizohen.

3.    Pikat 6 dhe 7 riformulohen si më poshtë:

“6. Propozuesit i jepet një bonus për rezultatin teknik dhe/ose financiar të arritur gjatë procedurës konkurruese deri në një maksimum 10 për qind të pikëve totale të garës.

7. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për vlerësimin e pranueshmërisë, përmbajtjen dhe trajtimin e propozimeve të pakërkuara.”.

 

Neni 20

Neni 43 riformulohet si më poshtë:

“Neni 43

Procedura e rishikimit administrativ

1. Çdo operator ekonomik, i cili ka ose ka pasur interes në një procedurë konkurruese dhe kur është dëmtuar ose rrezikohet të dëmtohet nga vendimmarrja e autoritetit kontraktor të konce-sionit/partneritetit publik privat, për të cilin pretendon se është marrë në kundërshtim me këtë ligj, ka të drejtë të ankimojë në Komisionin e Prokurimit Publik.

2.   Në rastin e ankesave për dokumentet e procedurës konkurruese, operatorët ekonomikë kanë të drejtë të ankimojnë brenda 10 ditëve nga dita e nesërme e publikimit të njoftimit të kontratës në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik.

3.   Në rastin e ankesave për vendimin e vlerësimit/klasifikimit përfundimtar, operatorët ekonomikë kanë të drejtë të ankimojnë brenda 10 ditëve nga dita e nesërme, kur ankimuesi është vënë në dijeni ose duhej të ishte vënë në dijeni.

4.      Një kopje me shkrim e ankesës i dërgohet detyrimisht për dijeni edhe autoritetit kontraktor. Me marrjen e ankesës me shkrim, autoriteti kontraktor pezullon vazhdimin e procedurës konkurruese deri në shqyrtimin plotësisht të ankesës, përfshirë dhe nxjerrjen e një vendimi nga KPP-ja.

5.      Ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik bëhet me shkrim, sipas formularit përkatës, ku shënohen emri dhe adresa e ankuesit, referimi për procedurën konkrete dhe bazën ligjore, ku ankuesi pretendon për shkeljet, duke e shoqëruar atë me dokumentacionin dhe provat përkatëse, për të cilat ai mendon se mbështesin ankimin e tij.

6.      Komisioni i Prokurimit Publik përgjigjet me shkrim brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të ankesës. Kur për shqyrtimin e ankesës kërkohet informacion nga autoriteti kontraktor, KPP-ja përgjigjet me shkrim jo më vonë se 20 ditë.

7.   Procedura e rishikimit administrativ dhe vendimmarrja e KPP-së, në përfundim të shqyrtimit të ankesës, bëhen në përputhje me parashikimet përkatëse në legjislacionin e prokurimit publik.

8.  Ndaj vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, ankimuesi ka të drejtë të ankimojë në gjykatën përkatëse që shqyrton mosmarrëveshjet administrative. Ankimi në gjykatë nuk pezullon procedurat konkurruese, lidhjen e kontratës apo ekzekutimin e detyrimeve mes palëve.”.

 

Neni 21

Në nenin 46, pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Çdo mosmarrëveshje ndërmjet autoritetit kontraktues dhe koncesionarit /partnerit privat zgjidhet përmes mekanizmave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të pranuar nga palët në kontratën e koncesionit/partneritetit publik privat, duke përfshirë edhe procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar. Në çdo rast, ligji i zbatueshëm është ligji shqiptar në fuqi.”.

 

Neni 22

Neni 51 shfuqizohet.

 

Neni 23

Zbatimi i dispozitave

Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për veprimet dhe procedurat për dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private, të filluara para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

Neni 24

Këshilli i Ministrave, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr aktet nënligjore, të përcaktuara në nenet 7, pika 4; 11, pika 3; dhe 19, pika 4, të këtij ligji.

 

Neni 25

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 16.7.2015

Shpallur me dekretin nr. 9189, datë 27.7.2015 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani