Postuar më: 28 Maj 2015

Ligj nr. 54/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9789, datë 19.7.2007, “për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

Neni 1

Në titull dhe kudo në ligj, fjalët “zonë ekonomike”, “zonë e lirë” dhe “park industrial” zëvendësohen me fjalët “zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”.

 

Neni 2

Neni 2 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 2

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1.    “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik (zona)” është një territor i ndarë, sipërfaqe e përcaktuar trualli apo ndërtesash dhe pasurish të tjera të paluajtshme, e zhvilluar në përputhje me një plan të përgjithshëm dhe e pajisur me infrastrukturën e nevojshme për prodhim, zhvillim industrial, tregti dhe ofrimin e shërbimeve, që vlerësohet pjesë e territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, e ndarë nga ky territor, në aspektin e regjimit fiskal dhe doganor dhe që rregullohet në përputhje me dispozitat e këtij ligji, aktet e tjera ligjore dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

2.  Termi “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” ka kuptimin e “zonës së lirë”, sipas Kodit Doganor.

3.   “Zhvillues” është shteti ose çdo person juridik i licencuar, vendas ose i huaj, i cili ndërton, administron dhe monitoron funksionimin e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, aktet e tjera ligjore dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

4.   “Përdorues” është personi fizik ose juridik, vendas ose i huaj, i cili ushtron veprimtari ekonomike brenda zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, aktet e tjera ligjore dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

5. “Infrastrukturë e përgjithshme” janë sistemet e punëve publike që përfshijnë elemente të tilla si hekurudhat, rrugët, portet, linjat e telekomunikacionit, rrjetin e energjisë, kanalizimet.”.

 

Neni 3

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

a)       Në pikën 3, shkronja “b” riformulohet si më poshtë:

“b) kufijtë e zonës dhe pikat e hyrjes e të daljes;”

b)      Pika 5 riformulohet si më poshtë:

“5. Përzgjedhja e zhvilluesit të zonës bëhet sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

c)         Pas pikës 5 shtohet pika 6 me këtë përmbajtje:

“6. Këshilli i Ministrave përcakton rastet dhe procedurat e ndryshimit të sipërfaqes së shtrirjes së zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik.”.

 

Neni 4

Në nenin 7, pas pikës 7 shtohet pika 8 me këtë përmbajtje:

“8. Miraton fillimin e veprimtarisë ekonomike të përdoruesit në zonë, duke mbajtur parasysh nxitjen e industrive të reja, teknologjive novatore, teknologjive të informacionit, industrive që përmbushin standardet ndërkombëtare të eliminimit të ndotjes, industrive efiçente në përdorimin e energjisë, si dhe industrive me produktivitet të lartë, në raport me punonjësit.”.

 

Neni 5

Pas nenit 7 shtohen nenet 7/1 dhe 7/2 me këtë përmbajtje:

“Neni 7/1

Lejet dhe licencat

1. Institucionet, entet dhe autoritetet publike trajtojnë aplikimet për leje dhe licenca nga zhvilluesi ose përdoruesi, brenda 15 ditëve pune nga dorëzimi i kërkesës.

2.   Për shkaqe të arsyeshme, që lidhen me kompleksitetin e licencave dhe lejeve, afati shtyhet vetëm një herë për një periudhë kohe 15 ditë pune.

3.    Institucioni përgjegjës, me kërkesë të zhvilluesit ose përdoruesit, mund të aplikojë, në emër të tij, pranë institucioneve, enteve, autoriteteve publike që lëshojnë lejet ose licencat përkatëse.

Neni 7/2

Shteti ndërton infrastrukturën e përgjithshme deri në kufijtë e zonës.”.

 

Neni 6

Në nenin 8, shkronja “c,” pas fjalës “zhvilluesit” shtohen fjalët “dhe/ose përdoruesit”.

 

Neni 7

Pas nenit 8 shtohet neni 8/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 8/1

Klauzola e stabilitetit

1.  Institucioni përgjegjës mund të hyjë në një angazhim detyrues, në emër të shtetit, që do të ketë efektin e sigurimit të garancive të përshtatshme në favor të investitorit, me të cilin do të mbrohet kundër pasojave financiare të legjislacionit, i cili hyn në fuqi pas lëshimit të licencës ose lejes për fillimin e veprimtarisë në zonë, angazhim që u nënshtrohet kufizimeve të mëposhtme:

a)  pasojat financiare duhet të përshkruhen në mënyrë të qartë dhe të saktë;

b)   angazhimi përfundon me përfundimin e veprimtarisë në fjalë;

c)       duhet të përshkruhet natyra e legjislacionit.

2.  Një angazhim i tillë, detyrues, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, për një periudhë 10-vjeçare, me kërkesën e autoritetit kontraktues.”.

 

Neni 8

Neni 10 riformulohet si më poshtë:

“Neni 10

Zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në truall shtetëror

Në rastin kur trualli ose pasuritë e tjera të paluajtshme janë pronë shtetërore:

a) kandidati zhvillues i nënshtrohet procedurës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave;

b) zhvilluesi merr në përdorim truallin ose pasuritë e tjera të paluajtshme, për një periudhë kohore deri në 99 vjet dhe gëzon të drejtën e dhënies me nënqira te përdoruesit, sipas përcaktimeve të aktit nënligjor të shkronjës “a” të këtij neni.”.

 

Neni 9

Neni 13 riformulohet si më poshtë:

“Neni 13

Lehtësitë fiskale

1. Zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik përfitojnë lehtësitë e mëposhtme:

a)   hyrja dhe dalja e mallrave në/nga zona, formalitetet dhe procedurat bëhen sipas dispozitave të Kodit Doganor;

b)      zhvilluesit dhe përdoruesit përjashtohen nga pagesa e 50 përqindëshit të normës së tatimfitimit për 5 vitet e para, nga fillimi i veprimtarisë së tyre në zonë;

c)       zhvilluesit që investon në zonë, brenda 3 viteve nga data e fillimit të punimeve, ose përdoruesit që investon në zonë, brenda 3 viteve nga fillimi i veprimtarisë ekonomike të zonës, i njihen si shpenzime të zbritshme, të periudhës tatimore, 20 për qind e shpenzimeve kapitale vjetore, pavarësisht nga shumat e amortizimit, sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat, për një periudhë 2-vjeçare;

ç) furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në zonë, konsiderohet si furnizim për eksport me shkallë zero, në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe legjislacionit doganor;

d) projekti i zhvilluesit përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë;

dh) ndërtimet e realizuara në këtë zonë, sipas projektit të zhvilluesit, përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë pesëvjeçare;

e)  zhvilluesit ose përdoruesit e zonës janë të përjashtuar nga taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme;

ë) shpenzimet për paga dhe kontributet shoqërore e shëndetësore, që punëdhënësi paguan për punëmarrësit, njihen 150 për qind të vlerës gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit. Në vitet në vijim, shpenzimet shtesë për pagat, në raport me vitin paraardhës, për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, njihen si shpenzime të njohura me 150 për qind të vlerës;

f)  kostot e trajnimit të punonjësve në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, njihen si shpenzime të njohura të periudhës tatimore me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike;

g)    shpenzimet për kërkim shkencor dhe zhvillim njihen si shpenzime të njohura me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike.

2.     Transferimi i një veprimtarie ekzistuese në territorin shqiptar në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me qëllim kryesor përfitimin e lehtësive të parashikuara në këtë ligj, është i ndaluar. Çdo transaksion, që në thelb rezulton në transferimin e veprimtarisë ekonomike, sipas përcaktimit të mësipërm, ndalohet.

3.     Nëse produktet dalin nga zona për shitje në tregun e brendshëm, me një çmim nën çmimin normal për produktin në fjalë, ose produkte të ngjashme apo të zëvendësueshme në mënyrë direkte, dhe kur i shkaktohet dëm material industrisë vendase, ministria përgjegjëse për ekonominë aplikon një tarifë korrektimi të vlerës së munguar mbi produktin në fjalë. Ministria përgjegjëse për ekonominë ngarkohet për zbatimin e këtij mekanizmi korrektues.

4.     Këshilli i Ministrave miraton procedurat dhe kriteret për aplikimin për përfitimin nga lehtësitë fiskale.”.

 

Neni 10

Në nenin 15, pika 2, pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c” me këtë përmbajtje:

“c) produktet e transportuara nga një zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në një tjetër, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nuk janë subjekt i detyrimeve doganore dhe/ose tatimore.”.

 

Neni 11

Pas nenit 17 shtohet neni 17/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 17/1

Të drejtat, detyrimet dhe lehtësitë fiskale, të përcaktuara në këtë kre, aplikohen për zhvilluesin nga data e fillimit të punimeve, sipas përcaktimeve në marrëveshjen e institucionit përgjegjës me zhvilluesin.”.

 

Neni 12

Neni 18 riformulohet si më poshtë:

“Neni 18

Licencimi

Asnjë person nuk mund të ndërtojë, të zhvillojë, të vërë në funksionim ose të drejtojë një zonë të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik pa licencën e zhvilluesit, të lëshuar nga institucioni përgjegjës, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj, akteve nënligjore në zbatim të tij, si dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi.”.

 

Neni 13

Neni 20 riformulohet si më poshtë:

“Neni 20

1.    Institucioni përgjegjës i jep licencën zhvilluesit, në përputhje me procedurat e parashikuara nga ky ligj dhe aktet e tjera ligjore dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

2.   Institucioni përgjegjës nënshkruan marrëveshje me zhvilluesin, në të cilën parashikohen angazhimet reciproke, afatet e realizimit, penalitetet në rast mospërmbushjeje të detyrimeve, vlera, si dhe garancitë e nevojshme dhe instrumentet e sigurisë për realizimin e investimit.”.

 

Neni 14

Në nenin 22, pika 3 riformulohet si më poshtë: “3. Mosmarrëveshjet që lindin nga heqja e licencës duhet të zgjidhen nga palët me mirëkuptim. Në rast të kundërt, ato zgjidhen në rrugë gjyqësore ose nëpërmjet arbitrazhit.”.

 

Neni 15

Pas nenit 22 shtohet neni 22/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 22/1

Mosmarrëveshje të tjera

Mosmarrëveshjet midis shtetit dhe zhvilluesit ose përdoruesit zgjidhen në mënyrë gjyqësore ose nëpërmjet arbitrazhit.”.

 

Neni 16

Neni 24 riformulohet si më poshtë:

 

“Neni 24

Fitimi i tatueshëm

Fitimi i tatueshëm për periudhën tatimore përcaktohet në bazë të pasqyrave financiare, sipas ligjit për kontabilitetin, ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe përcaktimeve të bëra në këtë ligj. Subjektet e këtij ligji kanë të drejtë të zbatojnë standardet ndërkombëtare të kontabilitetit.”.

 

Neni 17

Dispozitë kalimtare

Dispozitat e këtij ligji zbatohen për zonat e shpallura pas hyrjes në fuqi të tij.

 

Neni 18

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 28.5.2015

Shpallur me dekretin nr. 9136, datë 16.6.2015, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani