Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA)

Funksionet kryesore  

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit kryen akreditimin e organizmave të vlerësimit të konformitetit. Akreditimit bazohet në legjislacionin në fuqi, në standardet  ndërkombëtare si dhe në dokumenta të tjerë të organizmave evropianë dhe ndërkombëtarë të akreditimit. DPA ka si objektiv kryesor anëtarësimin me drejta të plota në EA (Organizmin Evropian të Akreditimit) dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të njohjes reciproke me EA (EA-MLA). Nënshkrimi i marrëveshjeve të njohës reciproke nënkupton pranimin dhe njohjen e certifikatave dhe raporteve të lëshuara nga organizmat e akredituar nga DPA edhe jashtë territorit të Shqipërisë.  DPA ofron shërbimin e akreditimit mbështetur në parimet e akreditimit: kompetenca profesionale, paanshmëria dhe pavarësia. 

Kompetencat lëndore   

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit është institucion buxhetor në varësi të ministrisë që mbulon ekonominë dhe tregtinë.
Kjo drejtori drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili është nëpunës civil dhe ka autoritetin e përgjegjësinë për marrjen e vendimit për akreditimin.
Nëpunësit e kësaj drejtorie, që ushtrojnë detyra të natyrës drejtuese, organizuese, mbikëqyrëse apo ekzekutuese gëzojnë statusin e nëpunësit civil, në përputhje me ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”. Për punonjësit e tjerë, marrëdhëniet e punës rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

DPA ofron shërbimin e akreditimit:

a) laboratorëve testues dhe kalibrues;
b) organizmave certifikues të sistemeve të menaxhimit;
c) organizmave certifikues të personelit;
ç)  organizmave certifikues të produkteve;
d) organizmave inspektues;
dh) organizmave që realizojnë teste zotësie dhe krahasime ndërlaboratorike;
e) organizmave që prodhojnë materiale referuese të certifikuara.

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit ka këto përgjegjësi:

a) përfaqëson Republikën e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë dhe europianë të akreditimit;
b) bashkëpunon me organizmat kombëtarë të akreditimit në vendet e tjera për arritjen e marrëveshjeve të njohjes së ndërsjellë, rajonale ose ndërkombëtare, apo për të arritur marrëveshje dypalëshe;
c) këshillon administratën shtetërore për çështje që lidhen me akreditimin dhe vlerësime të tjera të kompetencës teknike, për kryerjen e procedurave të vlerësimit të përputhjes me standardet dhe rregullat teknike;
ç) mban, përditëson dhe jep të dhëna për statusin e akreditimit të organizmave të akredituar;
d) bashkëpunon me Drejtorinë e Përgjithshme të Standardizimit, me Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, me ministritë përkatëse dhe me shoqatat e interesuara për çështjet e akreditimit;
dh)  kryen trajnime për fushën e akreditimit;
e)  ndërmerr veprimtari në fushën e krahasimeve ndërlaboratorike dhe të testeve të zotësisë;
ë)  merr të dhëna nga organizmat akreditues të vendeve të tjera për organizmat e akredituar prej tyre, të cilët kryejnë veprimtari në Shqipëri;
f)  u vendos gjoba subjekteve të paakredituara, apo të cilave u ka mbaruar akreditimi, në rastet kur ato përdorin simbolin e akreditimit;
g) i trajton ankesat dhe apelimet për akreditimin, të dërguara në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit.

Kompetencat territoriale:

Bazuar në nenin 4 të Rregullores Evropiane nr. 765/2008 “Kërkesa për akreditimin dhe mbikëqyrjen e tregut” si dhe në Ligjin nr. 9824 datë 1.11.2007 “Për Akreditimin e Organizmave të Vlerësimit të Konformitetit në Republikën e Shqipërisë” është krijuar Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit si i vetmi organizëm kombëtar i Akreditimit në Republikën e Shqipërisë. DPA është krijuar si institucion më vete që në vitin 2003 bazuar në Ligjin Nr. 9024, dt. 06.03.2003 “Për Akreditimin e Laboratorëve Testues, Kalibrues, Organizmave Certifikues dhe Inspektues në Republikën e Shqipërisë”.
Rregullorja Evropiane nr. 765/2008 dhe VKM nr. 1716 datë 03.10.2008 “Për mënyrën e Organizimit dhe Funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit” ka të përcaktuara edhe kushte kur një trup akreditues mund të ofrojë shërbimin e akreditimi jashtë territorit të vendit. Ofrimi i këtij shërbimi jashtë territorit të vendit bazohet në dokumentet e EA, ILAC dhe IAF “Cross frontier Accreditation”. DPA ka politikën e saj për akreditimin ndërkufitar. 
Aktualisht DPA ka ofruar shërbimin e akreditimit vetëm brenda territorit të Shqipërisë.  

Bazen ligjore sipas te ciles vepron institucioni:

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit është institucion buxhetor në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Gjithashtu në këto akte është parashikuar baza ligjore dhe parimet ku bazohet akreditimi:

- Ligjit”, ndryshuar me Ligjin Nr. 9824, datë 01.11.2007 “Për Akreditimin e Organizmave të Vlerësimit të Konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, 
- VKM Nr. 1716, datë 03.10.2008 “Për mënyrën e Organizimit dhe Funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit”.
- Urdhri Nr. 121, datë 16.10.2012 “Për miratimin e Strukturës dhe Organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit”. 
- Rregullorja e brendshme e DPA miratuar nga Ministri i METE, në datë 21.06.2010 me Nr. 9644/2 prot.                                
Në nenin 75 të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit theksohet se Shqipëria duhet të marrë të gjitha masat në mënyrë që të arrijë gradualisht përafrimin me rregullat teknike të Komunitetit dhe procedurat evropiane të vlerësimit të konformitetit, të standardizimit metrologjisë, dhe akreditimit.

për më shumë vizitoni faqen www.dpa.gov.al