Regjimi tregtar

Zhvillimet në politikën tregtare shqiptare kanë kaluar në disa stade, një nga më të rëndësishmit prej të cilëve është anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Politika tregtare e Shqipërisë  është frymëzuar nga parimet udhëheqëse dhe qëndrimi i OBT-së.

 

Politika tregtare shqiptare është e ndikuar ndjeshëm nga proçesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe procesi i harmonizimit të politikave dhe ai legjislativ me acquis. Zhvillimet në Politikën e Përbashkët Tregtare (PPT) të Bashkimit Evropian kanë pësuar një transformim të rëndësishëm me Traktatin e Lisbonës (2009) duke shtuar kompetencat e politikës tregtare si dhe mekanizmat e vendim-marrjes.

 

Shqipëria ka patur edhe ka një politikë për rritjen dhe hapjen e saj  në tregti me vendet e BE-së, të rajonit edhe më tej. Kjo tregon potencialin për të diversifikuar tregjet, sidomos ato eksportuese. Tregtia me Kosovën po bëhet e rëndësishme dhe procedurat për lehtësimin e mëtejshëm të tregtisë është realizuar së fundmi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Lehtësimit të Tregtisë, në kuadër të OBT-së.

Të gjitha strategjitë e politikave tregtare pas anëtarësimit në OBT-ë bazohen në :

  1. një dokument strategjik, që është raporti i anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë dhe
  2. Marrëveshjen e Uruguait. Përmes këtyre dokumenteve bëhet e mundur që Shqipëria përmes legjislacionit dhe praktikës së saj të brendshme të garantojë mungesën e:

 

-Kufizimeve sasiore mbi importet dhe eksportet, përveç rasteve të mbrojtjes mjedisore apo të ndihmës ndaj industrive të krijuara rishtazi. Gjithashtu, në raste krizash apo raste emergjente, në përputhje me dispozitat e GATT 1994 aplikohen kufizime të përkohshme, deri në stabilizimin e situatës.

            - Subvencioneve për eksportet;

            - Taksave në eksport;

            - Ose çdo lloj ndalimi të licencave të eksportit, ndryshe nga memorandumi i ndalimit ose licencimit të eksporteve në përputhje me rregullat ndërkombëtare.

 

Parimet e OBT-së kanë gjetur shprehje në të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë në Shqipëri.