Marrëveshja e Lehtësimit të Tregtisë

PROTOKOLLI PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË MARRAKESHIT QË THEMELOI ORGANIZATËN BOTËRORE TË TREGTISË

VENDIMI I DATËS 27 NËNTOR 2014

Këshilli i Përgjithshëm;

            Duke pasur parasysh paragrafin 1 të Nenit X të Marrëveshjes së Marrakeshit që themeloi Organizatën Botërore të Tregtisë (“Marrëveshja e OBT-së”);

            Duke kryer funksionet e Konferencës Ministrore në intervalin ndërmjet mbledhjeve në pajtim me paragrafin 2 të Nenit IV të Marrëveshjes së OBT-së);

            Duke rikujtuar Vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për të filluar negociatat mbi bazën e modaliteteve të përcaktuara në Shtojcën D të atij vendimi, të miratuar me 1 Gusht 2004, si dhe Vendimin Ministror të datës 7 Dhjetor 2013 për të hartuar një Protokoll të Ndryshimit për të futur Marrëveshjen mbi Lehtësimin e Tregtisë në Aneksin 1A të Marrëveshjes së OBT-së (“Protokolli”);

            Duke rikujtuar paragrafin 47 të Deklaratës Ministrore të Dohas të datës 20 Nëntor 2001; 

            Duke rikujtuar paragrafët 2 dhe 3 të Deklaratës Ministrore të Dohas, Shtojcën D të Vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Gusht 2004 dhe Nenin 13.2 të Marrëveshjes mbi Lehtësimin e Tregtisë mbi rëndësinë e ofrimit të ndihmës dhe mbështetjes për ndërtimin e kapacitetit për të ndihmuar vendet në zhvillim dhe më pak të zhvilluara për të zbatuar dispozitat e Marrëveshjes mbi Lehtësimin e Tregtisë;

            Duke mirëpritur njoftimin e Drejtorit të Përgjithshëm për ngritjen, brenda strukturave ekzistuese të OBT-së, të një Faciliteti të Marrëveshjes mbi Lehtësimin e Tregtisë për të menaxhuar mbështetjen që Anëtarët dalin vullnetar t’i ofrojnë OBT-së në përkrahje të ndihmës shtesë për të zbatuar dispozitat e Marrëveshjes mbi Lehtësimin e Tregtisë dhe për të lehtësuar koherencën e ndihmës me Shtojcën D plus agjensitë;

            Duke marrë në konsideratë Marrëveshjen e paraqitur nga Komiteti Përgatitor mbi Lehtësimin e Tregtisë (WT/L/931);

            Duke vënë në dukje konsensusin për të paraqitur këtë ndryshim të propozuar te Anëtarët për pranim;   

            Vendos si më poshtë:

  1. Protokolli që ndryshon Marrëveshjen e OBT-së bashkëngjitur këtij vendimi miratohet në këtë mënyrë dhe i paraqitet Anëtarëve për pranim.
  2. Protokolli në këtë mënyrë do të jetë i hapur për pranim nga Anëtarët.
  3. Protokolli do të hyjë në fuqi në përputhje me dispozitat e paragrafit 3 të Nenit X të Marrëveshjes së OBT-së.